Dule: Duhen dy gjuhë zyrtare në Shqipëri
PBDNJ dhe shoqata të tjera përfaqësuese të minoriteteve kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi situatën dhe gjendjen reale të pakicave në Shqipëri. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule shprehet se shteti shqiptar nuk ka ratifikuar një prej konventave më të rëndësishme, Kartën Ndërkombëtare për Gjuhët Minoritare. "Karta Ndërkombëtare për Gjuhët Minoritare nuk është nënshkruar ende dhe nuk ka asnjë informacion për nënshkrim të mundshëm", u shpreh Dule. Sipas kësaj marrëveshje pakicat do të kenë dy gjuhë zyrtare shqipen dhe atë të minoritetit që përfaqësojnë. Shteti shqiptar nuk e ka ratifikuar ende këtë konventë, zyrtarisht për shkak të kostos së lartë financiare. "Çështja e arsimimit është e rëndësishme për minoritetet. Duhet të merret një përgjigje nga ana e qeverisë. Komisioni i BE-së tërhoqi vëmendjen për këtë mangësi", u shpreh Dule. Ndërkohë në këtë takim ishte edhe kryetari i Bashkisë Himarë, Vasil Bollano, i cili ka hedhur poshtë akuzat e bëra në disa media në lidhje me kërkesën e "Omonia" drejtuar parlamentit grek për mosratifikimin marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit. Bollano është munduar të sqarojë dje para mediave, se ai ishte një vendim i Këshillit Kombëtar të OMONIA-s dhe jo një vendim personal i tij, ndërsa hodhi poshtë zërat se deklarata është mbajtur e fshehtë. Bollano tha se deklarata është botuar dhe në gazetën e kësaj organizate, "Zëri i OMONIA"-s. "Kemi kërkuar ratifikimin e MSA-së dhe ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Vendi duhet të përmbushë angazhimet e ndërmarra", u shpreh Bollano. Kryetari i Bashkisë së Himarës dhe njëkohësisht kryetar i organizatës OMONIA, është akuzuar nga politika shqiptare se nxit ndjenjat nacionaliste në këtë zonë, duke vepruar kundër ligjeve të shtetit shqiptar. Madje deputetë të Kuvendit të Shqipërisë i kanë kërkuar Kryeministrit Berisha të shkarkojë kryebashkiakun e Himarës për shkelje të ligjeve të shtetit shqiptar.