BB: Kina mund të ndihmojë për rimëkëmbjen ekonomike
Kina mund të ndihmojë për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore. Kështu është shprehur Presidenti i Bankës Botërore Robert Zollik gjatë një konference në Uashington. Ai tha se ka marrë informacione të ndryshme nga ekonomistët dhe udhëheqësit financiarë dhe është i sigurt lidhur me këtë çështje. “Mënyra se si i kuptoj unë këto informacione është se ne ende përballemi me një nivel të lartë pasigurie. Por sigurisht do të ishte një gabim i madh të lejonim pasigurinë të na paralizonte”. Zollik tha se për rënien ekonomike globale Kina mund të luajë një rol pozitiv. “Mendoj se një shenjë pozitive mund të jetë Kina e cila mund të na befasojë në kuptimin e mirë. Kina veproi me shpejtësi dhe me agresivitet për të stimuluar kërkesën dhe ka pasur disa shifra mjaft pozitive për tremujorin e parë”. Zoti Zollik tha se kur i analizon numrat nga afër, të dhënat pozitive nga Kina vijnë kryesisht nga shpenzimet qeveritare dhe mbetet për t’u parë kur sektori privat i vendit t’i rrisë përsëri investimet.
Rusia parashikon se kërkesat për energji mund të nxisin luftra
Kremlini parashikoi se e ardhmja parashikon një garë të ashpër për burimet e energjisë, që mund të nxitin konflikte ushtarake në kufijtë e Rusisë. Në raportin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, të nënshkruar nga presidenti Dmitry Medvedev, i cili është postuar në faqen e Këshillit të Sigurisë, radhiten sfidat kryesore për sigurinë kombëtare dhe nënvizohen prioritetet e qeverisë deri në vitin 2020. Raporti thotë se bota “do të fokusohet në ruajtjen e burimeve të energjisë, përfshirë Lindjen e Mesme, rajonet Arktike, Kaspikun si dhe Azinë Qendrore”.
Raporti gjithashtu thotë se Rusia do të synojë “partneritet” të barabartë me Shtetet e Bashkuara, ndërsa planet amerikane për mburojën antiraketore në Europë i cilëson si një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e Rusisë. Dokumenti vë në pah se Moska kundërshton zgjërimin e NATO-s me vendet që gjenden në kufijtë me Rusinë.
14 Maj 2009