E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita e Bajden në Kosovë, Sejdiu: “Ngjarje historike e rëndësishme”



Vizita e zëvendëspresidentit amerikan Xho Bajden në Kosovë është konsideruar tepër e rëndësishme dhe me vlerë historike nga presidenti Fatmir Sejdiu. “Ky do të jetë një përkushtim i thellë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetje të Kosovës, në mbështetje të demokracisë dhe të zhvillimeve të mira për të gjitha vendet e rajonit”- tha presidenti Sejdiu për vizitën në pritje të zëvendëspresidentit të SHBA, Xhozef Bajden në rajon dhe në Kosovë. Sejdiu theksoi se kjo do të jetë një vizitë historike me peshë të veçantë. Bajden do të vizitojë Kosovën gjatë këtij muaji, ndërsa datat e mundshme të vizitës zyrtare do të jenë në periudhën ndërmjet 18 e 21 majit. Me vizitën në Prishtinë Zv. Presidenti Bajden do të fillojë turneun e tij diplomatik në rajon, gjatë së cilës ai do të vizitojë edhe Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Bajden do të zhvillojë takime me tre liderët e vendeve por edhe me autoritete ndërkombëtare që ndodhen në Ballkan. Ish-diplomati amerikan Xhejms Huper më herët ka konsideruar se Bajden do të jetë një mbështetës i madh i Kosovës. Ai do ketë dorë e influencë të fuqishme në hartimin e politikës së jashtme amerikane. Huper ka konsideruar se fillimisht përqëndrimi i presidentit të zgjedhur Barak Obama do të jetë më shumë në politikat e brendshme, posaçërisht në rrafshin ekonomik dhe më pak në politikën e jashtme. Por në raport me politikën amerikane në Kosovë dhe Ballkan, Huper nuk parashikon ndryshime të mëdha. “Janë tri figura kyçe: është nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, i cili është mbështetës i madh i Kosovës dhe ai do të ketë dorë të fuqishme dhe ndikim të fuqishëm në hartimin e politikës së jashtme. Dhe, ai nuk do të dojë të rihapë ndonjë çështje të mbyllur, siç është çështja e pavarësisë së Kosovës. Xho Bajden nuk dëshiron ta shohë të rihapur këtë çështje”. Sipas Huper në këtë listë është edhe Bill Klinton, si një forcë e fuqishme në kuadër të Partisë Demokratike. Për Hollbrukun, Huper thotë gjithashtu se e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe për të cilin “Kosova është çështje e mbyllur”. SHBA-të prej kohësh mbështesin Kosovën dhe kjo ishte arsyeja e anulimit të një takimi mes Sekretares së Shtetit, Hilari Klinton me ministrin e jashtëm serb Vuk Jeremiç.

Kosovë, rezulton i rremë alarmi për bombë në Ministrinë e Arsimit

Një alarm vendosjen e një bombe në një ndërtesë qeveritare në Kosovë ka rezultuar se ishte i rremë. Stafi i evakuar i Ministrisë së Arsimit të Kosovës u kthye sërish në zyra, pasi ekipet e specializuara të policisë përfunduan kontrollin e objektit, në të cilin u morën të gjitha masat e sigurisë pas një kërcënimi anonim përmes një mesazhi të dërguar në postën elektronike, prejardhja e të cilit është në hetim. Ky është alarmi i dytë kërcënues anonim për objektet qeveritare, pas alarmit gjithashtu të rremë të para një jave, më 6 maj, për vendosjen e mjeteve shpërthyese në dy lokacione, përkatësisht në ndërtesën e kryeminstrisë dhe atë të Ministrisë së Shërbimeve Publike. Paralajmërimi kërcënues me bomba i javës së kaluar, edhe pse rezultoi i rremë, është pasuar me urdhërin e kreut të Policisë së Kosovës për shtimin e masave të sigurisë, në të gjitha objektet e institucioneve shtetërore të vendit.

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›