E Shtunë, 31 Tetor 2026

“FALSTAFF”, Ciko: “Verdi komik, për herë të parë në skenën shqiptare”



Petrika GROSI
Për herë të parë në skenën operistike shqiptare vjen opera e vetme komike që ka shkruar në fund të jetës së tij mjeshtri i madh G. Verdi. Me këtë vepër sipas drejtorit të TOB-it, Zhani Ciko, bëhet dhe hapja e portës së kështjellës shekspiriane në operan tonë, pasi “Falstaff” është një nga titujt e prurjes shekspiriane në krijimtarinë e Verdit përveç kryeveprave “Makbeth” dhe “Otello”. Ciko thotë se “Në repertorin e deritashëm të Verdit në operan shqiptare ka zënë vend kapitulli i triptikut popullor ‘Trovatore’ – ‘Rigoleto’ – ‘Traviata’, ndërsa me këtë vepër fillon futja në repertorin e madh verdian, të lidhur me krijimtarinë e Shekspirit.” Në fakt, sa i takon repertorit verdian në TOB, suksesi i fundit mban emrin “Aida”, por me “Falstaff”-in futemi në marrëdhëniet më të ngushta të teatrit me muzikën., madje, ky është edhe një farë avancimi profesional sipas maestro Cikos. Teksa e pyesim Cikon mbi vendosjen e kësaj opere pikërisht tani ai pohon se nuk ka ndonjë arsye të veçantë:
“Pas një sezoni të larmishëm me tituj dramatikë, në muajin e majit shkon bukur një opera komike. I rëndësishëm është dhe ballafaqimi e dy profileve; Verdi shekspirian dhe Verdi komik. Kjo pjesë konsiderohet “grand premiere” në teatrot prestigjoze dhe ka vend të përhershëm në kalendaret e tyre. Së fundi, e pyesim Cikon edhe mbi arsyen e vonesës së realizimit të kësaj opere në skenën shqiptare; “Vonesa ka ndodhur për shkak se vepra është pak e komplikuar. Artistët duhet të jenë këngëtarë por dhe aktorë komikë në të njëjtën kohë. Gjithashtu, kërkohet zë dhe një preçizion teknik vokal, në të cilin artistët e rinj të TOB-it nuk kishin mbërritur si përvojë. Një prapavijë dhe një provë e cila i ka përgatitur ata për këtë opera ishte dhe pjesa ‘Xhani Skiki’ e Puçinit”, përfundon Zhani Ciko për gazetën “Albania”.

REALIZIMI

“Falstaff” titullohet opera e fundit e maestro Verdit, bazuar mbi veprën shekspiriane “Gratë gazmore të Uinsonit”, e cila më 24 maj vjen si premierë absolute në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Në fakt, puna për këtë opera ka filluar prej disa kohësh dhe regjisori Nikolin Gurakuqi, sëbashku me pjesën tjetër të stafit kanë nisur punën për ta vënë në jetë projektin skenik, në të cilin të ftuar specialë do të kemi artistët turq të Teatrit të Izmirit Cengiz Sayin, Sahap Cuneyt Unsal dhe Deniz Penozhur, ndërsa si mjeshtre koncertuese, artisten e mirënjohur italiane Xhana Frata. Kostumografia do të mbajë firmën e Sartoria Arrigo Milanos, ndërkohë që dirigjimi u është besuar Dritan Lumshit dhe Alqi Lepurit. Vepra do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e TKOB-it dhe do të shfaqet nga data 24-31 maj. Interpretimi u është besuar artistëve Vikena Kamenica, Dorina Selimaj, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli, Armand Likaj, Sonila Oshafi, Klodiana Laze, Roel Llupo, Gilmond Myftari e Denis Skura.

HISTORIA

Verdi 80-të vjeçar deklaronte atëherë se për më tepër së 40 vjet kish dashur të kompozonte një opera komike. Dhe ja, në 1889 Arrigo Boito nis të punojë për libretin e Falstaffit dhe ia dorëzon kompozitorit në fillimin e vitit që pasoi, pas disa vështirësive të shkaktuara nga keqkuptime mes të dyve. Me një shpirt të ri, duke marrë parasysh dhe moshën e madhe, Verdi nisi të muzikojë operan thuajse për të kaluar kohën, pa qenë i detyruar të respektojë afate dhe krejtësisht i lirë në krijimtari. Punon në mënyrë të shkujdesur por të përpiktë njëkohësisht, e në vitin 1892, i dorëzon botuesit partiturën. Në 9 shkurt 1893, shfaqet premiera e operas “Falstaff” në “La Scala” të Milanos nën drejtimin e Edoardo Mascheronit. Publiku ishte ai i okazioneve të mëdha, një publik i veçantë ku shiheshin dhe personalitete të botës së kulturës si Carduçi, Giacosa, Puçini dhe Mascagni. “Falstaff” është opera e fundit e kompozuar nga Giuseppe Verdi. “Ju, tek ravijëzoni ‘Falstafin’, a keni menduar ndonjëherë për numrin e madh të viteve të mia?” Kështu nis komunikimi gjithmonë e më tërheqës, letër pas letre mes Verdit dhe Arrigo Boito-s, të angazhuar në një sipërmarrje të shpejtë të kësaj vepre mbi subjektin e Shekspirit. Edhe në këtë rast, pas triumfit të Otellos në 1887, raporti i tyre u vulos nga respekti reciprok. Boito ishte gjithmonë gati të shkrinte çdo dyshim të bashkëbiseduesit dhe ishte fitorja e tij, kur Verdi më 17 mars 1890, i shkruajti: “Akti i parë mbaroi pa asnjë ndryshim të poezisë”. Ishte hera e parë një kompozitori i bënte një deklaratë të tillë libretistit të tij. Dhe arsyet nuk mungonin. Kish ndër duar një bizhu të vogël, të thurur me elementë gjuhësorë preçiozë në një stil perfekt dramatik. Verdit i mungonte një sukses i madh në operan komike, ndonëse pat’ dhënë prova për aftësitë e tij gjeniale në atë që quhet “opera buffa”, sidomos, po të kihet parasysh “ngjyrimi” i shkëlqyer te “Ballo me maska” dhe konturet që ravijëzojnë “La forza del destino”. Që kur Boito i propozoi Verdit subjektin e ri shekspirian “Falstaff” ishte i realizueshëm, pa lodhje, pa dhimbje, deri te suksesi që rrëmbeu opera e fundit e mjeshtrit 80-vjeçar në “La Scala”. Prej atij momenti, opera “pushtoi” në mënyrë të qëndrueshme skenat e gjithë botës dhe u shndërrua në një “kalë beteje” për gjithë dirigjentët virtuozë si Mahler, Toscanini, Karajan dhe Bernstein. Me këtë vepër, Boito e Verdi përbëjnë vëllazërinë perfekte mes muzikës dhe dramës, harmoni që nuk dukej nga koha e realizimit të veprës “Dasma e Figaros”. Dhe nuk janë të pakta ngjashmëritë mes dy kryeveprave. Më 1890-n, Verdi 70-të vjeçar i shkruante Gino Monaldi-it: “Prej 40-të vjetësh dëshiroja të shkruaja një opera komike dhe prej 50-të vjetësh njoh veprën ‘Gratë gazmore të Uindsonit’, madje, të zakonshmit por që janë gjithandej, përpiqeshin të pengonin këtë dëshirë timen. Tashmë Boito ka shkrirë gjithçka, dhe krijoi një komedi lirike që nuk i ngjan asnjë vepre tjetër. Dhe unë argëtohem duke i kompozuar muzikën; Falstaff është një i trishtuar që kryen veprime të këqija… por në formë argëtuese. Është një tip! Ka shumë tipa në fakt! Opera është krejtësisht komike!”.

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›