E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Kriza do të jetë globale, nuk shpëton askush

Institucionet financiare ndërkombëtare vijuan të paralajmërojnë vende të varfra si Shqipëria mbi pasojat e krizës globale, ndërkohë që qeveria shqiptare ankohet për klasifikimin tonë si "vend me të ardhura të vogla". Pas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar që u publikua javën e kaluar, dje Banka Botërore publikoi një raport ku thuhet se vendet me të ardhura të ulëta, ku hyn edhe Shqipëria, do të vuajnë pasoja edhe më të rënda se vendet e pasura për shkak se kredituesit dhe investitorët do të largohen nga këto vende. Banka Botërore thotë se Evropa Qendrore dhe Lindore është rajoni i goditur më fort nga kriza, se deficitet e këtyre vendeve janë në rritje dhe popujt e tyre po varfërohen. "Banka Botërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare nuk janë në gjendje të ndihmojnë me fondet e tyre të gjitha këto vende njëherësh, kështu që është e nevojshme ndihma nga qeveritë e vendeve të zhvilluara", - thuhet në raport. Vetëm një pjesë e vogël e vendeve të varfra kanë aftësinë për të përballuar rënien ekonomike. "Ne kemi nevojë për investime në siguri shoqërore, infrastrukturë dhe kompani të vogla për të krijuar vende pune dhe për të shmangur kryengritjet politike", - deklaroi presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick.

Një javë më parë, FMN njoftoi se ka identifikuar katër rrugë përmes të cilave kriza do të godasë vende si Shqipëria: Remitanca më të ulëta, volum tregtie më i vogël, investime më të pakta dhe akses më të ulët në tregjet ndërkombëtare të parasë. Të gjitha këto fenomene kanë prekur sakaq edhe Shqipërinë: Remitancat pësuan rënie për herë të parë në shumë vite në tremujorin e fundit ‘08, volumi tregtar i vendit ra me 10 për qind në janar ndërsa qeveria nuk ishte në gjendje të merrte një kredi prej 300 milionë eurosh që pati kërkuar në tregun ndërkombëtar. Qeveria shqiptare i ka injoruar këto analiza duke vlerësuar se ndikimi i tyre në Shqipëri është i vogël. "Ka shumë zyra të FMN-së që bëjnë studime", - deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode. "Por zyra me të cilën ne bashkëpunojmë, zyra e Gerwin Bell, ka një opinion pozitiv për të ardhmen ekonomike të vendit".

Qeveria ka programuar rritje ekonomike prej 5.5 përqindësh për këtë vit, dukshëm më i lartë sesa parashikimi i FMN-së. Pranimi i vështirësive të sjella nga kriza është kthyer në një debat politik në Shqipëri, ku të dyja palët përpiqen të fitojnë kapital politik në pritje të zgjedhjeve të qershorit, ndërsa idetë konkrete se çfarë mund të bëhet në një situatë të tillë nuk gjenden asgjëkundi.

Qeveria duket se ka shumë pak hapësirë për të lëvizur në një situatë të tillë, për shkak se buxheti i shtetit dominohet nga shpenzimet për paga e pensione, ndërsa investimet janë përqendruar në vetëm një projekt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›