BB: Kriza, shqiptarët tani më të varfër
Kriza globale financiare jo vetëm që do të ndikojë në uljen e rritjes ekonomike në vend, por si pasojë e kësaj krize shqiptarët rrezikojnë të jenë më të varfër. Në një raport të Bankës Botërore, theksohet se Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve që janë mesatarisht të rrezikuara nga pasoja negative që mund të sjellë kriza në rritjen e varfërisë. Sipas raportit të bankës, kriza globale financiare mund të ndikojë në rritjen e varfërisë në vend. Në një situatë të tillë, zyrtarë të Bankës Botërore i kanë sugjeruar qeverisë shqiptarë që të rrisë kapacitetet institucionale, ose e thënë ndryshe të zbatojë programe për të mbrojtur shtresat më të varfra të shoqërisë nga ndikimi i krizës. Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, qeveria shqiptare nuk ka shumë hapësira fiskale për t’u përballur me krizën. Kjo pasi, sipas tyre, Shqipëria nuk mund të ulë më taksat apo të rrisë deficitin buxhetor për të nxitur ekonominë dhe mbrojtur shtresat në nevojë nëse kriza do të godasë fort vendin. Në fakt, një gjë e tillë është vënë në dukje edhe nga ndërkombëtarët e FMN-së. Edhe pse një ekonomi e vogël, Shqipëria nuk ka mundur t’i “shpëtojë” krizën globale financiare. Efektet e para të krizës kanë filluar të ndihen, pasi kanë rënë ndjeshëm të ardhurat e emigrantëve si dhe eksportet e mallrave shqiptare drejt vendeve të BE-së.