Zyrë e re informacioni në Aeroportin e Rinasit
Për herë të parë në Shqipëri është ngritur një Zyrë Informacioni Turistik. Ajo do të jetë operative gjatë gjithë javës në zonën e mbërritjeve në aeroport, duke u ofruar pasagjerëve informacion të bollshëm për të përmbushur më së miri interesat e tyre, apo për të shuar kuriozitetin mbi vendin tonë. Në këtë mënyrë pasagjerët, të cilët do të udhëtojnë nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) do të kenë mundësinë për një informacion më të detajuar mbi Shqipërinë, për historinë e saj, zbulimet arkeologjike, monumentet kulturore dhe burimet e saj natyrore. Zyra e Informacionit Turistik ofron guidë të Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë, duke u fokusuar mbi monumentet kulturore apo qendrat më të rëndësishme turistike. Guidat përfshijnë hartat e qyteteve me itineraret turistike më interesante. Gjithashtu ofrohet dhe një hartë tjetër e Shqipërisë, këtë herë e orientuar drejt vendeve turistike me interes arkeologjik, si dhe drejt vendeve me rëndësi historike. “Qëllimi i kësaj iniciative kaq të rëndësishme është të shtojmë cilësinë dhe llojshmërinë e shërbimeve që ne u ofrojmë pasagjerëve, qofshin ata lokalë apo ndërkombëtarë. Ky projekt është pjesë e strategjisë së TIA-s për të mbështetur zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Zyra e Informacionit Turistik është një mundësi mjaft e mirë për promovimin e Shqipërisë si një vend shumë tërheqës për t’u vizituar, dhe si një destinacion turistik”, tha Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s, Andrea Gebbeken. Për të përballuar fluksin e madh të pasagjerëve të parashikuar në trafikun ajror të Shqipërisë, TIA filloi në vitin 2008 zgjerimin e terminalit të ri të pasagjerëve. Punimet, të cilat përfshijnë Fazën B të modernizimit të aeroportit, do të shtojnë 40 për qind të sipërfaqes ekzistuese të aeroportit, duke shtuar në këtë mënyrë kapacitetin e tij operativ, duke tërhequr kështu gjithmonë e më shumë turistë. Faza B pritet të përurohet në shtator 2009.