Unaza e Kavajës, përjashtohen 2 kompani
Ministria e Punëve Publike ka vendosur që të përjashtojë nga prokurimet publike dy kompani. Shkak për këtë janë mospërfundimi në kohë i Unazës së Kavajës si dhe punimet e dobëta të kryera nga këto kompani. Konkretisht Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik, përjashtimin e subjekteve Rubin Petrol dhe Alba Konstruksion nga prokurimet publike, futjen e tyre në listën e zezë. Gjithashtu, ashtu sikurse ka kërkuar Komisioni i Posaçëm i Dhënies së Licencave, kanë filluar procedurat për heqjen e licencave të këtyre subjekteve të ndërtimit. "Shkak për këtë është bërë fakti që edhe pse i është shtyrë dy herë afati i punimeve për ndërtimin e Unazës së Kavajës, ende sot e kësaj dite ato nuk kanë përfunduar. Përveç vonesave këto dy subjekte kanë realizuar një cilësi punimesh të papranueshme" kanë theksuar burime të kësaj ministrie. Sipas tyre, ministria do të vazhdojë të marrë masa drastike dhe të dërgojë për penalizim të gjitha subjektet që nuk do të përmbushin detyrimet kontraktuale, si në shkeljen e afateve dhe në cilësinë e punimeve.