Hec i Devollit, ndez debatin mes qeverisë dhe PS-së
Dhënia me koncesion e kaskadës së Devollit ka ndezur debatin mes pozitës dhe opozitës. Në një deklaratë për mediat, deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, i ka kërkuar qeverisë të rishikojë kontratën, pasi sipas tij ka shumë mangësi. "Shkelet ligji mbi koncesionet, pasi në vend të jetëgjatësisë së aprovuar prej 35 vitesh në ligjin e koncesioneve, në kontratë kompanisë fituese të paracaktuar i jepet e drejta që ta shtyjë pa afat" u shpreh Harasani. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Energjetikës. "Afati i këtij koncensioni jo vetëm që është në përputhje me ligjin, por është aq qartë i përcaktuar, sa vetëm miopia apo keqdashja socialiste nuk ka mundur ta dallojë. Partia Socialiste e mbron interesin e popullit duke kërkuar që ky investim i ri të mos bëhet dhe këto para të mos shpenzohen në Shqipëri, dhe të vazhdohet me politikat e saj të mosmarrjes së asnjë iniciative për të ndërtuar burime të reja energjetike", thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.