Meta: Ngërçi politik, Rama të heqë dorë nga tekat
Liberalizimi i vizave nuk do të kushtëzohet me krizën politike në Shqipëri. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje në një konferencë të posaçme për shtyp pas kthimit nga Sarajeva se mbështetja e dhënë për Shqipërinë në kuadër të këtij procesi është unanime nga anëtarët e Bashkimit Europian. “Në veçanti, do të doja të theksoja dhe mbështetjen që në mënyrë unanime të gjithë përfaqësuesit e Bashkimit Europian i dhanë propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe për Bosnjën”, deklaroi numri dy i qeverisë. Ai ka bërë të njohur edhe njëherë faktin se për vendin tonë kushtet që duhet plotësuar deri në aktivizimin final të lëvizjes së lirë janë vetëm ato që i janë prezantuar qeverisë shqiptare nga Komisionin Europian. Gjithsesi, Meta nuk ka lënë pa përmendur edhe rëndësinë që ka për imazhin e vendit, situata e rënduar politike e cila është tensionuar më së shumti nga qëndrimi në vend i një krize që po mbahet në këmbë rreth një keqkuptimi gati absurd. Sipas tij, hapësira për zgjidhjen e krizës është e plotë dhe e pranueshme për të gjithë nëse referimi do t’i bëhet Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, dy dokumente që përmes procedurave japin edhe adresën institucionale të zhbllokimit të saj. “Duhet hequr dorë nga ndikime dhe qëndrime tekanjoze, të cilat janë jashtë logjikës së dialogut dhe frymës së një zgjidhjeje demokratike dhe konstruktive. Kushtetuta e Shqipërisë, Kodi Elektoral, i gjithë legjislacioni ynë u jep zgjidhje dhe përgjigje të gjitha pretendimeve të ngritura nga lidershipi i opozitës”, tha Meta. Zgjidhja e krizës është pra një domosdoshmëri për vetë Shqipërinë, opinioni publik i së cilës duhet të kërkojë normalizimin si kusht për zhvillimin e vendit dhe jo kënaqjen e faktorit ndërkombëtar. Gjithsesi, Samiti i Sarajevës me qëndrimet e veta dhe shprehjen e vullnetit të BE për zgjerim i shtron Tiranës zyrtare detyra të rëndësishme që lidhen me funksionimin e demokracisë, e vënë në provë periodikisht dhe pas çdo raundi elektoral. Nga ana tjetër, ky aktivitet ka sjellë lajme të mira jo vetëm për sa u përket vizave dhe lëvizjes së lirë, por edhe njohjes faktike të statusit prej të barabarti të shqiptarëve në rajon. Meta ka nënvizuar se Sarajeva ishte rasti i parë kur Kosova u ul në tryezë me të drejtën e fjalës si shtet që gëzon ekzistencën legjitime në arenën ndërkombëtare. “...dua të shpreh kënaqësinë për zhvillimin e këtij evenimenti shumë të rëndësishëm...në veçanti pa dyshim edhe për Kosovën, pasi...ky është evenimenti...ku për herë të parë ministri i Jashtëm i Kosovës ulet si i barabartë me të gjithë përfaqësuesit e tjerë dhe fjala e Kosovës dëgjohet me shumë vëmendje”, tha që në fillim të konferencës Meta. Ai ka bërë të ditur se vendet anëtare të BE kanë rënë dakord për përfshirjen e shtetit të ri shqiptar në nismat rajonale dhe globale, por edhe për nisjen e procedurave për anëtarësim.
#