Maturantët, 7 ditë në për procesin e ankimimit
Maturantët do të kenë në dispozicion plot 7 ditë për të dorëzuar ankesat e tyre pranë drejtorive arsimore rajonale apo zyrave të arsimit. Sipas rregullores së përcaktuar nga Ministria e Arsimit, afati i korrigjimeve do të zgjasë për 15 ditë me radhë. Nëse vlerësimet përfundojnë në datën e paracaktuar në rregullore, më 19 qershor, nxënësit e pakënaqur do të kenë mundësi të ankohen një ditë pas përfundimit të tyre. Sipas drejtorit të arsimit parauniversitar, Fatmir Vejsiu, afati që është vënë në dispozicion për ankimimet e maturantëve është më se i mjaftueshëm, si për t’u ankuar ashtu edhe për të ngritur një komision të posaçëm, që do të bëjë rivlerësimin e testeve. Maturantët që do të jenë kureshtarë të dinë sesi është vlerësuar teza, do të kenë mundësi të kërkojnë pranë drejtorisë arsimore fotokopjen e testit origjinal të letërsisë. Nëse pas kësaj, maturanti konstaton parregullsi në vlerësim, do t’i njihet e drejta që nëpërmjet një letre adresuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të kërkojë rivlerësim të provimit. Kërkesa e nxënësit do t’i dorëzohet drejtorisë së shkollës. Kjo e para do ta nisë atë në drejtoritë arsimore rajonale ose në zyrat arsimore. Më pas do t’i drejtohet agjencisë qendrore të arritjeve të nxënësit. AVA do të kujdeset për ngritjen e një komisioni të posaçëm, i cili do të përbëhet nga specialistë të kualifikuar të fushës. Ata do të rishikojnë me kujdes testin dhe do të bëjnë rivlerësimin e tij. Procesi i korrigjimit të tezave është konceptuar të kalojë në disa faza, në mënyrë që të shmangë parregullsitë ose gabimet e bëra gjatë vlerësimit. Këtë e vërteton korrigjimi i trefishtë që është vënë në praktikë për herë të parë gjatë këtij viti. Një vëmendje e tillë e detajuar nuk do të lërë shkak për rikorrigjim të testeve, megjithatë specialistët e Maturës Shtetërore pranojnë se do të jenë të hapur dhe të gatshëm për të pranuar çdo ankesë dhe shqetësim të nxënësve.
#