E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Progres me regjistrimin e pronave, por jo me lejet e ndërtimit

21/10/2011  Vendi ynë zhvendoset në vendin e 82-të nga vendi i 77-të që mbante për vitin aktual

Shqipëria ka përmirësuar klimën e biznesit në vend, por vetëm në disa aspekte. Sipas analizës së ekspertëve të Bankës Botërore, Shqipëria ka bërë përparim në regjistrimin e pronave, por marrja e lejeve të ndërtimit është bërë më e vështirë. Raporti “Të bërit biznes për vitin 2012: Të bërit biznes në një botë më transparente”, vlerëson rregullat që prekin firmat e vendit në 183 ekonomi. Sipas raportit të Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për lehtësitë e të bërit biznes, ku renditen vlerësimet për 183 vende të botës, vendi ynë përkeqësoi pozicionimin krahasuar me një vit më parë, duke u zhvendosur në vendin e 82-të nga vendi i 77-të që mbante për vitin aktual. Raporti i klasifikon ekonomitë në 10 fusha të rregullave të biznesit, të tilla si, nisja e një biznesi, zgjidhja e çështjes së falimentimit, dhe tregtisë ndërkufitare. Metodologjia e përdorur nga studimi këtë vit u zgjerua për të përfshirë treguesit e lidhjeve elektrike.

Raporti “Doing Bussines”

Analiza e Bankës Botërore mbështetet në rregullat që ndihmojnë apo pengojnë një aktivitet të sipërmarrjes. Sipas raportit, Shqipëria vlerësohet e fundit për dhënien e lejeve të ndërtimit, ndërkohë që nga 245 reforma të reja të ndërmarra nga qershori 2010 në qershor 2011 në të 183 vendet e përfshira në raport, Shqipëria përmendet vetëm për lehtësimin e regjistrimit të titullit të pronësisë në regjistrin e tokës. “Shqipëria duke vendosur afate kohore e ka bërë më të lehtë regjistrimin e një prone”, - thuhet në raport. Renditje të mirë ka në vendin e 16 dhe 24 për mbrojtjen e investitorëve dhe marrjen e një kredie. Renditje jo të mirë ka për lidhjen e kontratave të energjisë dhe pagesën e taksave. Për këto zëra renditja është në vendin 154 dhe 152, pasi një biznesi i duhen disa ditë për të lidhur kontratën, si dhe shumë orë për të paguar taksat. Kështu ka renditje të veçantë për hapjen e një biznesi, pagesën e taksave marrjen e lejeve të ndryshme dhe procese të tjera, të cilat të mbledhura së bashku bëjnë dhe renditjen e secilit prej shteteve.

Ekonomitë e Evropës Juglindore

Në vend të parë për 2012, ashtu si dhe për këtë vit është Singapori, ndërsa në vendin e fundit është Çadi. Banka Botërore ka bërë dhe një vlerësim të përgjithshëm për rajonin ku vihet në dukje se Moldavia ka bërë një kapërcim prej 18 vendesh. Nga vendet e Ballkanit, Maqedonia qëndron dukshëm përpara të tjerëve duke përmirësuar një pozicion mjaft të mirë që kishte edhe vitin e shkuar kur ishte e 34-ta, e duke u renditur këtë herë e 22-ta në botë. Vitin e shkuar, 21 nga 24 ekonomitë e rajonit i kanë përmirësuar rregullat e biznesit për firmat e vendeve të tyre përmes zbatimit të 65 reformave në fusha të tilla si zgjidhja e çështjes së falimentimit, marrja e lejeve të ndërtimit, zbatimi i kontratave dhe mbrojtja e investitorëve. Në mes të një krize ekonomike globale, 40 për qind e ekonomive të rajonit i kanë përmirësuar procedurat e falimentimit, duke zbatuar masa të tilla si ligje të përmirësuara të falimentimit. Të dhëna të reja tregojnë se përmirësimi i qasjes në informacion për rregullat e biznesit i ndihmon sipërmarrësit. “Rritja e transparencës dhe qasje në informacion rregullator është me rëndësi për krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për biznesin”, tha Sylvia Solf, autorja kryesore e raportit.

Mundësitë për sipërmarrësit

“Duke thjeshtuar rregulloret dhe zgjeruar mundësitë e marrjes së kredive, vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore vazhdojnë të shtojnë mundësitë për sipërmarrësit”, – thekson raporti. Deri më sot, 60 për qind e ekonomive të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore e kanë bërë të lehtë marrjen e informacionit për afatet e pagesave apo kërkesat për dokumentacion për tregti, nisjen e një biznesi, leje ndërtimi apo lidhje elektrike. Një masë e re, e cila analizon ndryshimet e rregullave të biznesit nga këto vende gjatë 6 viteve të fundit, tregon se si ekonomitë e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore kanë krijuar mjedise më miqësore ndaj biznesit. Studimet tregojnë se një mjedis biznesi i riorganizuar ndihmon rritjen ekonomike të një vendi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›