Flamuri, trajnime falas për çështjen “Fazlliç”
Antena brenda familjes
Flamuri dje ishte i angazhuar gjithë ditën të përgatiste njerëzit që do çoheshin për të mbrojtur Fazlliçin në TV “Klan”. Kishte tre vetë që duhej të instruktonte: Frangajn, Balliun dhe Olldashin. S’dinte si t’ia bënte, se do talleshin me të dhe vendosi t’u shkruajë një memo të treve.
Ashtu bëri. U ul dhe shkroi.
Memo
Për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, me temë “Prokuroria dhe Fazlliç”
1. Shënim për Frangajn
Besoj ti nuk e ke shumë të vështirë detyrën. Sa herë të flasë Andrea Stefani ose Zheji, ti thjesht duhet t’u thuash ku i keni faktet. Të jesh i sigurt se ata vijnë pa asnjë letër me vete, se ata s’kanë nerva të lexojnë letra. Ata e shpjegojnë thjesht atë punë me hamendje, ndaj ata duhet t’i shkatërrosh, duke u thënë na sillni fakte. Po të thanë ty ata na sill ti fakte, bëj sikur tund ca letra dhe thuaj kam sa të duash. Kujdes nga Majko, se ai merr gjithnjë letra me vete. Dhe atë e besojnë shumë njerëzit në këto raste. Nëse ai hap letrat, duhet të ndërhyjë Sokoli, ta sulmojë, t’i thotë që je mik i Delijorgjit. Por dhe këtu s’duhet ta trashë shumë, se i ngelet qejfi Fahriut. Ju e dini se Fahriu dhe Delijorgji kanë qenë shumë miq, aq sa mua një herë më iku truri, kur na ndërhynte t’i kalonim lejet në KKRT, në bashki. Ia thashë dhe atij burrit atëherë. I thashë, mo ta shoh më atë Fahriun me Delijorgjin, por s’ma vari shumë. Më vonë e kuptova si ishte puna. Sidoqoftë, ti shiko Majkon mirë dhe sa të hapin gojën, u thuaj ku i keni letrat. Ata të tjerët dalin vetë jashtë loje, se ata kanë hall të shajnë më shumë Ramën sesa Fazlliçin.
2. Porosi për Olldashin
Tani ti e di vetë ç’të bësh, s’ke nevojë të të them unë. E di që s’e ke aq qejf Fazlliun, por s’kemi ç’i bëjmë. Kur vjen puna në raste të tilla, duhet ta vëmë interesin e përgjithshëm mbi atë personal. Unë them të bësh sikur s’ka ndodhur gjë dhe ta mbrosh. E di se e ke pak problem se dhe Inën e ke shoqe, por tani duhet të shikosh interesin e përgjithshëm. E di që je në pozicion të vështirë, pasi je me Inën kundër Fazlliçit, por një natë është. Bëj si të bësh, bëhu me Fazlliun kundër Inës. E di që do më shash nga nëna kur ta lexosh letrën, por s’e kam unë fajin, e kam porosi. Unë punën bëj.
3. Porosi për Fahriun
Zoti Balliu! Pavarësisht se s’na ecën bashkë muhabeti, jam i detyruar të të lë disa porosi që m’i ka dhënë ai burri. Do mbash në dorë një tufë letrash dhe do thuash vazhdimisht i kam këtu faktet. Nuk ka rëndësi çfarë faktesh ke, se s’ka nerva njeri të t’i lexojë letrat. Do mbrosh çdo deklaratë ndërkombëtare kundër qeverisë, por thuaj s’e keni kuptuar mirë, se është pro qeverisë, se ata s’kanë nerva të të kundërshtojnë. Dhe po të thanë që ambasadori amerikan është pro Ina Ramës, thuaj është vetëm në ato raste kur Ina është dakord me atë burrin, d.m.th., që është pro dhe atij burrit. Po përmendën Bujar Nishanin dhe Alibeajn, futua atyre, se budallenj janë, le ta hanë një dajak. Ke leje dhe nga ai burri për këtë gjë. Nga ana tjetër duhet të shmangësh emocionet, se e ke për herë të parë në “Opinion”. Më tha pak ai burri sa punë të madhe ka bërë që t’i mbushë mendjen atij Fevziut. Ai paska njëmbëdhjetë vjet që nuk të fton në emision. Ja u desh rasti i Fazlliut që të bëheshit një treshe e fortë, Fazlliu, Fevziu dhe Fahriu. Ai burri më tha që Fevziu ishte treguar korrekt. Ai ka refuzuar lutjet e Kadaresë për ty, por kur ishte fjala për Fazlliun, tha të vijë, se vetëm ai mund të thotë gjëra që s’merr guximin njeri t’i debatojë. Mos mendo se unë e kam qejf atë Fazlliun, se një kokërr b..q.. ishte, por tani ai është heroi ynë dhe duhet ta mbrojmë. Mos e tepro me lëvdata për të, por përmbaju idesë që i bien më qafë kot, se është mik i atij burrit. E di që e ke siklet të shash Delijorgjin, por po doli puna e Bosnjës, futja dhe atij se të mirëkupton në burg. Ky Majko është pak i rrezikshëm dhe mund të të akuzojë se ke bërë biznes me serbë të Bosnjës, por i thuaj që bota ka ndryshuar dhe ti ke mbetur mbrapa. S’di ç’të them tjetër për fakte. Pjesën e krijimtarisë besoj se e mbulon më mirë se unë. Suksese në emision dhe mirupafshim.
Flamuri