Burgu, veçantia skandinave
Jam ulur në Oslo dhe po ha drekë me drejtoreshën e përgjithshme të shërbimeve të burgut, Kristin Bolgen Bronebakk, po bisedojmë për “veçantinë skandinave”. Me fjalë tjera, pse Finlanda, Suedia dhe posaçërisht Norvegjia kanë shifra shumë më të ulëta të të burgosurve sesa shtetet e tjera evropiane? Për shembull, kur Skocia ka më shumë se 7,000 të burgosur që mbahen nëpër 16 burgje, Norvegjia me të njëjtin numër popullsie ka 3,500 të burgosur, të mbajtur në 50 burgje - shkalla për popullatën e burgjeve është 75 për Norvegjinë, por 142 për Skocinë.
Ia theksova Bronebakk-ut se burgu Bastoy, një burg me siguri minimale, i vendosur në ishullin Bastoy, në jug të Oslos, me siguri do të dilte në faqen e parë të gazetave tona, duke pasur parasysh që 155 të burgosurit aty inkurajohen të “kalërojnë, peshkojnë, luajnë tenis dhe të bëjnë ski” gjatë kohës së tyre të lirë. Njëri nga punonjësit e saj, i cili e dëgjoi këtë bisedë, qeshi dhe tha që Michael Moore, regjisori amerikan i filmit, kishte dashur ta paraqiste burgun në njërin nga filmat e tij dokumentarë, por në fund iu kujtua që absolutisht askush nuk do të besonte që ai me të vërtetë po filmonte në një burg.
Duket qarë që Bronebakk ka lexuar biografinë, të cilën e ka dërguar në Norvegji, Komisioni mbi burgjet angleze sot, për mua dhe komisionarët e tjerë që po vizitojnë, dhe ajo pyet rreth punës sime akademike me vrasësit serialë. Duke qenë i sjellshëm, them se nuk më bie në mend ndonjë vrasës serial norvegjez, por Bronebakk thotë se kanë pasur një, Afnfinn Nesset. Nesset ishte një ndihmësmjek i dënuar në vitin 1983 për helmimin e 22 pacientëve me Curacit, një qetësues i muskujve, në një institut të të moshuarve në Orkdal, edhe pse ai dyshohej të ketë vrarë edhe dhjetëra të tjerë para se të kapej. Unë sugjeroj që mjekët vrasës janë një fenomen mjaft i zakonshëm dhe se vrasësi ynë i fundit serial, Colin Norris, ishte gjithashtu një ndihmësmjek, i cili vriste të moshuarit, por Bronebakk prapë më befason.
“Natyrisht, - thotë ajo, - ne e liruam Nesset-in në vitin 2004.” Dhe me të vërtetë ata e bënë këtë, duke pasur parasysh që dënimi maksimal në Norvegji për çdokënd është 21 vjet, apo më pak se një vit për secilën viktimë të tij, në rastin e Nesset-it.
Por, a ka gjëra për t'u mësuar nga kjo veçanti skandinave, nëse kemi parasysh faktin që ne kurrë nuk do të mund të pranonim llojet befasuese të aktiviteteve, në të cilat të burgosurit mund të përfshihen apo qëndrimin e tyre të butë ndaj lirimit të vrasësve serialë? Përgjigjja, natyrisht, është po.
Në Norvegji, burgjet dhe burgosja nuk janë çështje të partive politike, andaj, gjerë e gjatë, nuk e kanë fare vëmendjen e publikut. Të burgosurit mbeten “qytetarë” dhe për shkak të kësaj vazhdojnë të votojnë, kanë qasje në internet, punojnë, shkojnë në shkollë e madje edhe caktojnë takime me gazetarë. Dhe, kur ndodhin skandale, si për shembull kur një i burgosur gjatë lejes për vizitë në shtëpi vrau një grua të re dhe pastaj shëtiti rreth e rrotull me trupin e saj në bagazh, para 18 muajsh, sistemi penal ishte mjaft i fuqishëm dhe debati publik mjaft racional, sa për ta parë këtë si tragjedi, e jo si sinjal për ndryshime nga rrënjët.
Më vonë, duke folur për të gjitha këto me dy pishtarët udhëzues të reformave për burgjet evropiane, profesorët Nils Christie dhe Thomas Mathiesen, të dy tregojnë se si ka mundur Norvegjia ta mbajë të ulët popullatën e burgjeve dhe të mbledhë përkrahje publike për këtë lloj qasjeje. Christie sugjeron që ndikon shumë gjendja e një shteti me mirëqenie sociale funksionale, sepse kjo e bën të vështirë krijimin e “distancës shoqërore”, dhe në këtë mënyrë secili person ndihet i lidhur me gjithë të tjerët dhe për shkak të kësaj askush nuk flijohet për telashet që ndodhin. Edhe Mathiessen beson që numri i ulët i të burgosurve reflekton një “sistem të matur social” në Norvegji dhe se i vetmi rrezik i vërtetë është “teprimi” dhe dallimi në rritje e sipër mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë.
Më pëlqeu fjala “i matur”. Në fund të fundit, kur të gjithë ne kemi filluar të shohim se çfarë i bën mënyrës tonë të jetuarit teprimi në ushqim, pije, duhan dhe, kohët e fundit, çfarë i ka bërë ekonomisë teprimi i skajshëm i përfitimeve mes bankave tona, a nuk është koha që të përdorim maturinë më gjerësisht dhe më hollësisht ndaj tepricës së numrave në burgje?