Shqipëria, e fundit në rajon për lirinë e medies
Shqipëria ka bërë përmirësime për sa i përket lirisë së shtypit, por vazhdon të mbetet e fundit në rajon, e sigurisht e fundit në Evropë për sa i përket lirisë së medies.
Një raport i Reporterëve pa Kufij tregon se Shqipëria ndodhet në vendin e 79, në një renditje me ishujt Fixhi, ndërsa i vetmi shtet i rajonit që ndodhet pranë nesh është Serbia, e cila ndodhet në vendin e 64, 15 vende më mirë se Shqipëria. Shteti më i ri në Evropë, Kosova, ka një renditje shumë më të mirë se Shqipëria e më të mirë se Serbia, duke u renditur në vendin e 58. Ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia ndodhen në nivele mjaft të kënaqshme. Maqedonia ndodhet në vendin e 42, dhe në fakt është më keq se vjet, dhe Mali i Zi në vendin e 53.
Po dje, në një komunikim me mediet, drejtues të G99 thanë se qeveria duhet të sulmojë disa spote propagandistike, të cilat po iu kushtojnë lekë taksapaguesve dhe janë thjesht propagandë politike.
“Këto reklama janë një mashtrim i qartë politik që po paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Janë këto pará që do duhet të shkonin për ngritjen e pensioneve, rregullimin e statusit të minatorëve, ndërtimin e shkollave të reja, ilaçet nëpër spitale e shumë të tjera. Këto pará tani përdoren për të tentuar të na hedhin hi syve, plot 7 muaj përpara fillimit të fushatës zyrtare elektorale të 2009.
Përtej këtij fakti, spoti më i mirë për arritjet e qeverisë sonë të Gërdecit sot është situata tragjike në të cilën ndodhemi. Spoti i vërtetë i suksesit të Ministrisë së Brendshme është bilanci i vdekjeve të trafikut që u shtuan edhe këtë fundjavë në tragjedinë e Butrintit. Spoti i vërtetë i arritjeve të Ministrisë së Transportit është realizimi i ulët i investimeve dhe aferat korruptive që përsëri i kushtojnë xhepit të taksapaguesit shqiptar.
Këto spote televizive që kushtojnë miliona euro po kërkojnë të na shesin një arritje virtuale, ndërkohë që ne të gjithë sot jetojmë në një realitet fatkeq shumë larg spoteve gënjeshtare dhe hajdute”, - thuhet në deklaratën e G99.