Mustafaj: Berisha e ka kuptuar se si është katandisur PD e Tiranës
Kandidati i vetëm për PD e Tiranës, Besnik Mustafaj, e ka pritur mirë lajmin që Berisha do të marrë vetë frenat e drejtimit të grupit të punës për zgjedhjen e kryetarit të ri në PD e Tiranës. I kontaktuar në telefon nga gazeta “TemA”, Mustafaj shprehet se, “lajmi që zoti Berisha është vënë në krye të grupit të punës për zgjedhjet në PD e Tiranës, është një lajm i mirë, sepse Berisha është bërë i vetëdijshëm se ku e kanë katandisur PD e Tiranës drejtuesit aktualë”, - thotë Mustafaj. Më tej, kandidati për PD e Tiranës shton se beson në një garë të ndershme dhe brenda rregullave.
Humbja në 2007
Zbritja e Berishës nga maja e “Olimpit”, siç është posti kryeministror dhe kreu i PD, me synimin për të marrë në dorë “frenat” në PD e Tiranës, tregon se pozitat e tij, sidomos në PD e Tiranës, janë dobësuar së tepërmi. Jo më kot ai shmang nga drejtimi i punëve kryetarin aktual të PD Tiranë, Sokol Olldashi dhe sekretarin e degës së Tiranës, duke i mbajtur larg nga ky proces.
Në këto 18 vjet, vërtet në krye të degëve, qoftë në Tiranë, qoftë në rrethe, janë zgjedhur njerëzit që kishin përkrahjen e kryetarit dhe ishte ai vetë që de facto e drejtonte këtë proces, por në metodën e punës së tij, Berisha asnjëherë nuk kishte dalë hapur në përkrahje të një kandidati për PD e Tiranës. Dalja e Mustafajt në skenë duket se ndryshoi ekuilibrat. Kryeqyteti është një dhe ndër qytetet më të zhgënjyer nga ana e qeverisë ‘Berisha’. Në zgjedhjet e vitit 2005, fitorja e të djathtës në Tiranë ishte bindëse, por raportet u përmbysën në 2007, kryetari i degës së PD Tiranë, i shpallur kandidat për kryetar bashkie humbet në mënyrë bindëse në garën për Bashkinë e Tiranës.
Kandidatët
Ndërkohë, Berisha duket dhe më i pasigurt për kandidaturën që do i nxjerrë përpara Mustafajt në garën për Tiranën. Duke pasur parasysh staturën e këtij të fundit dhe simpatinë që gëzon në elektoratin e Tiranës, për shkak të qëndrimeve të tij të moderuara dhe të ekuilibruara, Berishës medoemos i duhet të nxjerrë në garë një element të fortë që të përballet me të. Deri më tani më i përfoluri është Gjergj Bojaxhi, drejtori aktual i KESH, intelektual dhe njeri, i cili e vlerëson shumë pavarësinë e tij, gjë që jo në pak raste e ka shfaqur në deklaratat kontradiktore me ato të kryeministrit. Por duket se është pikërisht kjo veti ajo që e bën atë disi të pavarur në qëndrimet e tij, gjë e cila bie ndesh me perceptimin e kryeministrit për kandidatët. Deri më tani, sipas burimeve nga PD, Bojaxhi nuk është se ka marrë “bekimin” e Berishës për këtë kandidim, dhe e gjithë tymnaja për të është nxitur vetëm nga një takim që ky i fundit ka zhvilluar me sekretarin e Përgjithshëm të PD, Ridvan Bode.
Zhgënjimi elektoratit
Por sa gjasa ka të fitojë Mustafaj në PD e Tiranës? Zhgënjimi nga qeverisja e Berishës dhe lënia pas dore e anëtarëve të PD dhe militantëve në kryeqytet, duket se janë karta më e fortë e Mustafajt në këtë garë. Mënyra e drejtimit nga drejtuesit aktualë, krahinizmi dhe tribalizmi i ndjekur në emërimet në administratë, kanë bërë që shumë prej anëtarëve të PD së Tiranës të mbeten të zhgënjyer dhe këta janë në shumicë. Berisha, nga ana tjetër nuk mund të lejojë një fitore të Mustafajt, e cila as më shumë e as më pak do të thoshte një goditje ndaj tij. Berisha do e ketë shumë të vështirë ta pranojë këtë dhe jo më kot ka marrë vetë drejtimin e grupit të punës në dorë, që është dhe një mesazh i qartë i lëkundjes së pozitave të tij jo vetëm në elektorat, por edhe brenda partisë.