E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oferta akademike

Nga Jak Simoni

Edhe në këtë fillim viti akademik vazhdon kalvari i gjatë i prindërve me fëmijët e tyre që iu drejtohen universiteteve. Kalvar i përhershëm: si para një viti; si para pesë vitesh; si para dhjetë vjetësh; ashtu si është e imagjinueshme, për fat të keq, që të jetë pas dhjetë vjetësh. Pa dyshim, shqetësimi prindëror për fëmijët është normal, por njëkohësisht ky shqetësim shpreh njëfarë mosbesimi për pritjen që i rezervon institucioni shkollor dhe për aftësinë e fëmijës për të kryer praktikat e regjistrimit, në një kohë kur studentin do ta presin detyra shumë më të komplikuara.

Shpeshherë ky kalvar është një vajtje-ardhje nga universiteti te Ministria e Arsimit, me gazeta që kanë emrat e studentëve sipas degëve në dorë. Gjithnjë, një pjesë mbesin të pakënaqur.

Pa dyshim, numri i mbyllur i pranimit në fakultete ndikon pozitivisht në ruajtjen e cilësisë së universitetit, por çfarë ndodh me cilësinë e shoqërisë?

Si do të arrihet qëllimi i edukimit të përcaktuar më së miri nga Komensky, sipas të cilit të gjithë njerëzit do të kenë mundësinë e edukimit pa dallim race, seksi, shtrese, moshe për të arritur një paqe, një tolerancë reciproke dhe një bashkëjetesë harmonike?

Individi shpesh nuk di rrugën e integrimit shoqëror dhe kërkon zgjidhje individuale, ndonjëherë dhe duke u larguar nga ky vend dhe për motive studimi apo duke iu drejtuar universiteteve private dhe kur mundësitë janë të pakta. Nuk ka asnjë të keqe nga studimi pranë universiteteve private apo jashtë, por krahas provimeve të tjera, është provimi i madh i përballimit të kostos gjithnjë në rritje të jetesës për t’u përballuar.

Faktikisht, në vendet perëndimore e drejta e studimit po konsiderohet si e drejtë fondamentale paralelisht me të drejtat themelore si ajo e jetës, pronës, informimit etj. Atje gjen universitete të hapura të një shoqërie të hapur, por problemi më i madh është ai i kostos së jetesës atje.

Universitetet tona nuk kanë pse të mbyllin dyert për studentët e të gjitha niveleve përfshirë masterat të nivelit të parë, të dytë apo doktoraturë, kur është e mundur.

Autori është pedagog në universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›