E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e Butrintit, në pranga edhe dy të dyshuar të tjerë si organizatorë të trafikut

Nga Bledar Lumani

Pas arrestimit dy ditë më parë të dy prej të dyshuarve si organizatorë të trafikut të klandestinëve të tragjedisë së Butrintit, policia ka vënën nën pranga ditën e djeshme edhe dy të dyshuar të tjerë për këtë vepër. Të arrestuarit e djeshëm janë Dashamir Mane dhe Hyqmet Sollaku, teksa tashmë kanë mbetur pa u arrestuar dy të dyshuarit e fundit si organizatorë të trafikut të klandestinëve, që solli tragjedinë e Butrintit, Brahim Madhi dhe Albert Gega. Sakaq, nga deklarimet e marra nga klandestinët që do të shkonin në drejtim të Greqisë, mësohet se ata kanë paguar nga një mijë euro secili. Ndërkohë, edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar kërkimet e palombarëve për gjetjen e 18-vjeçarit Ndriçim Myftarit, kërkime të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme, pasi nuk është gjendur ende asnjë gjurmë prej të riut.

Arrestimi

Policia e Shtetit ka arrestuar gjatë ditës së djeshme edhe dy prej të dyshuarve të trafikut të klandestinëve drejt Greqisë, që solli edhe tragjedinë e Butrintit, ndërkohë që tashmë kanë mbetur pa u arrestuar dy të dyshuarit e fundit për këtë vepër. “Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm, është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasve të kërkuar Dashamir Mane, 23 vjeç, lindur e banues në Sarandë. Ndalimi i tij është bërë në fshatin Shelegar, Sarandë, i fshehur në një banesë, si dhe Hyqmet Sollaku, 41 vjeç, lindur në Fier e banues në Tiranë. Ndalimi i tij është bërë në lagjen Kombinat, Tiranë, i fshehur në një banesë”, - bëri të ditur në një komunikatë për shtyp Policia e Shtetit. Sipas burimeve pranë kësaj policie, Dashamir Mane është personi që ka transportuar me varkë mbrëmjen e së dielës klandestinët që do të kalonin kufirin për në Greqi, teksa Hyqmet Sollaku ka organizuar ndihmën për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror. Ndërkohë, me arrestimin e dy personave të mësipërm, si dhe të Bashkim Senës dhe Ahmet Bushit dy ditë më parë, tashmë policia është vënën në kërkim edhe të dy të dyshuarve të fundit, Brahim Madhi dhe Albert Gega. Vendndodhja e këtyre të fundit nuk është gjendur ende, teksa policia dyshon që ata mund të jenë larguar për në drejtim të Greqisë, me qëllim mos-prangosjen nga ana e policisë sonë. Ndërkohë, edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar kërkimet nga ana e palombarëve dhe forcave të RENEA-s, për gjetjen e 18-vjeçarit Ndriçim Myftarit, kërkime të cilat nuk ka sjellë asnjë rezultat, duke qenë se nuk është gjendur asnjë shenjë nga ky i fundit. Sakaq, Policia e Shtetit bëri të ditur se përveç 18-vjeçarit, deri më tani nuk ka denoncime për humbjen e personave të tjerë dhe se mundësitë që nga tragjedia e Butrintit të ketë viktima të tjera janë shumë të pakta. Policia tha se “vazhdojnë kontaktet me të gjithë qarqet e vendit, për informacione mbi persona që mund të jenë nisur për Greqi ditët e fundit dhe kanë humbur kontaktet me familjet. Theksojmë se deri në këto momente nuk ka asnjë rast të denoncuar në gjithë qarqet e vendit”.

Identifikimi i autorëve

Policia e Shtetit bëri të ditur dy ditë më parë se ka identifikuar përfundimisht të dyshuarit si autorë të organizimit të trafikut të klandestinëve, që solli edhe tragjedinë e Butrintit, me katër viktima dhe një të zhdukur deri më tani. “Deri në këtë moment, janë shoqëruar dhe pyetur në Komisariatin e Policisë 27 persona. Nga deklarimet e tyre rezulton se organizatorët, rekrutuesit, transportuesit dhe strehuesit e këtyre shtetasve që do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, janë shtetasit: Dashamir Mane, Brahim Madhi, Hyqmet Sollaku, Albert Gega, Bashkim Sena dhe Ahmet Bushi”, - bëri të ditur në një deklaratë për shtyp Policia e Shtetit. Tashmë katër prej tyre kanë përfunduar në prangat e policisë, teksa dy të dyshuarit e fundit janë shpallur në kërkim. Policia bëri të ditur se zyrtarisht nuk ka të dhëna të sakta për numrin e klandestinëve që kanë qenë në varkë gjatë natës së tragjedisë, teksa një gjë e tillë mund të mësohet vetëm nga organizatorët e trafikut të klandestinëve. Kjo, duke qenë se klandestinët kanë qenë nga zona të ndryshme të Shqipërisë dhe nuk njiheshin me njëri-tjetrin, çka do të sillte edhe identifikimin dhe saktësimin e numrit të klandestinëve të zhdukur. Sakaq, për tragjedinë e Butrintit është krijuar edhe një grup i posaçëm hetimor, i cili pritet që të zbardhë gjithë rrjedhën e ngjarjes së rëndë. “Ky grup kryesohet nga prokurori i rrethit gjyqësor Sarandë, në përbërje të të cilit janë drejtuesit e policisë së qarkut Vlorë, drejtues të policisë së Sarandës dhe drejtues të sektorit të anti-trafiqeve në Policinë e Shtetit”, - bëri të ditur policia në një deklaratë për shtyp.

Tragjedia

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, ku një grup prej 25 vetësh tentuan që të kalonin për në Greqi me anë të dy varkave. Për t’iu shmangur postbllokut të shërbimeve të policisë kufitare, të cilat qëndrojnë pranë vendit të quajtur “Lundra”, klandestinët kanë marrë varkat pas parkut, tek ish-peshkimi, në vendin e quajtur “Bufi”. Të ndarë në dy varka, ata janë nisur për në Xarrë, por fatkeqësisht, pasi kanë lundruar rreth 60 metra nga bregu, njëra nga varkat është përmbysur, duke i hedhur në ujë të gjithë personat që ndodheshin në të. Sipas dëshmive të para të dhënë në rajonin e policisë së qytetit të Sarandës, mësohet se shkak për përmbysjen e varkës ka qenë qarja e fëmijës tremuajshe, Klara Jaho, e cila fatkeqësisht gjeti edhe vdekjen mbrëmjen e së dielës. Mësohet se fëmija ka filluar të qajë në momentin që varka me 13 klandestinë ka qenë duke kaluar pranë postbllokut të policisë. Në këtë çast, drejtuesi i varkës i ka ulëritur fëmijës që të pushojë, me qëllimin për të mos u diktuar nga rojet kufitare të policisë. Por, i ati i fëmijës, Dritan Jaho, ka reaguar në këtë moment, duke qëlluar me grusht drejtuesin e varkës, çka ka sjellë më pas edhe humbjen e kontrollit të varkës nga ana e këtij të fundit. Brenda pak sekondash, varka është anuar dhe të gjithë klandestinët që gjendeshin në të e kanë parë veten të zhytur në ujë. Nga të 13 personat që gjendeshin në varkë, 21-vjeçarja Elvira Jaho, së bashku me vajzën e saj tremuajshe, Klarën, nuk kanë mundur dot që ta dalin në sipërfaqe, teksa për pasojë kanë gjetur edhe vdekjen. Sakaq, nuk dihet ende edhe fati i 18-vjeçarit nga Lushnja, Ndriçim Myftari, i cili ka qenë në varkën që u mbyt. Nga hetimet e deritanishme, rezulton që barka e përmbysur të ketë qenë prej druri dhe përdorej nga peshkatarët për gjuetinë e midhjeve. Pas konstatimit të ngjarjes që po ndodhte, mësohet se kanë ndërhyrë menjëherë punonjësit e patrullës së policisë kufitare, duke shpëtuar shtatë prej personave. Më pas, në vendin e ngjarjes mbërritën përforcime të shumta, katër ambulanca dhe rreth 50 efektiva policie.

Fati i Ndriçim Myftarit

Mbërritja e dy shokëve të Ndriçim Myftarit në shtëpi, të cilët kishin qenë së bashku me të në të njëjtën varkë mbrëmjen e 19 tetorit, kur edhe ndodhi tragjedia e Butrintit, ka rritur shpresat se 18-vjeçari i zhdukur prej disa ditësh mund të jetë gjallë. Marsid Mita dhe Denis Zema mësohet se kanë qenë bashkë me të, në të njëjtën varkë dhe thonë se për herë të fundit e kanë parë, kur Ndriçimi u zhyt në ujë. Por, ata thonë se Ndriçimi ka shumë mundësi që të ketë shpëtuar, pasi ai është një djalë që dinte shumë mirë not dhe falë kësaj mund të ketë dal në breg. Sipas dëshmisë së tyre, adoleshentët pohuan se paguan nga 2 mijë lekë për person, që të kalonin në anën tjetër të kanalit. Ndërkohë, e gjithë shuma që do t’i paguanin trafikantëve për të kaluar në Greqi, ka qenë 80 mijë lekë. Sakaq, në familjen e Ndriçimit ka pllakosur heshtja dhe të gjithë presin një telefonatë nga adoleshenti. Orët e ankthit vazhdojnë të mbajnë mbërthyer familjarët e 18-vjeçarit, megjithëse siç edhe ata shprehen, kanë shpresë se Ndriçimi është ende gjallë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›