E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Rritja globale e çmimeve, Shqipëria më pak e prekur

Rritja e çmimeve në Shqipëri dhe përgjithësisht në Ballkan ka qenë më e ulët, krahasuar me rajone të tjera, tha dje për mediat përfaqësuesja e Bankës Botërore në vendin tonë, Ksenia Lvovski. “Po ashtu, për fat të mirë vendi nuk vuan nga kequshqyerja e fëmijëve. Por kjo nuk do të thotë se, nuk ka vend për të mos u shqetësuar”, tha ajo në lidhje me ndikimin e krizës globale të ushqimeve në vendin tonë. Sipas Lvovski-it, 20 për qind e familjeve të varfra këtu shpenzojnë 20 për qind të buxhetit total, vetëm për bukë dhe drithëra dhe këta janë të rrezikuar. Kjo nuk është një krizë e përkohshme dhe çmimet e ushqimeve janë bërë të paqëndrueshme, duke rrezikuar më shumë vendet e varura nga importi, si Shqipëria. Zgjidhja për të minimizuar kostot kalon nga reformat, që për shumë vite ka dështuar t’i bëjë çdo qeveri. “Në afatshkurtër është e domosdoshme reformimi i ndihmës ekonomike për të mbrojtur të varfrit. Për këtë po bëhet një ligj i ri, zbatimi i të cilit do jetë kritik. Në afatgjatë, zgjidhja është modernizimi i bujqësisë. Fermerëve duhet t’u mundësohet aksesi në kredi dhe pronësia e tokës bujqësore duhet të jetë e qartë. Duhet të vazhdojë rehabilitimi i sistemeve të ujitjes dhe të forcohet kontrolli i sigurisë ushqimore, që do të mundësonte eksportin. Nga ana tjetër, Shqipëria duhet të lëvizë më shpejt për të përfituar nga fondet e Bashkimit Europian për zhvillimin rural”, u shpreh Lvovski. Sipas saj, lajmi i mirë është se, Shqipëria tani është një vend me të ardhura të mesme të larta, që do të thotë se shumë njerëz kanë dalë nga varfëria.

Banka Botërore, institucioni i krijuar për të luftuar varfërinë në botë, pak ditë më parë lëshoi alarmin se çmimet e ushqimeve kanë hyrë në një zonë të rrezikshme.

“Një nga arsyet kryesore është vëmendja e pamjaftueshme ndaj bujqësisë ,në fund të shekullit të kaluar. Edhe pse tani për fat të mirë gjendja ka ndryshuar, bota sërish po ndjen pasojat. Në 2008 ndihma globale për bujqësinë ishte 2 herë më e madhe se ajo në vitin 1998. Por kundër kësaj rritjeje të vëmendjes, janë fatkeqësitë natyrore. Përmbytjet shkatërruese në shumë vende të botës, thatësirat ekstreme në Rusi kanë tronditur prodhimin. Shqetësimi është se ndryshimi i klimës do i bëjë ngjarje të tilla edhe më të shpeshta. Pra bota po përballet me një sfidë konstante ushqimesh”, tha Lvovski.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›