Firmat shqiptare, në panairin e Nurembergut “BioFach 2011”
Kompanitë e prodhimeve organike nga Shqipëria ndeshen me një kërkesë më të madhe sesa mund ta përballojnë ata. Një sektor i ekonomisë, që aktualisht njeh vetëm rritje, është ai i prodhimeve organike. Skandalet e vazhdueshme në industrinë bujqësore, siç ishte kohët e fundit ai i dyoksinës te vezët, kanë bërë që gjithmonë e më shumë tregtues me shumicë t'i kthejnë sytë nga kjo degë. Që këto prodhime nuk janë më diçka e veçantë, por kanë hyrë në tregun e konsumit në masë, këtë e dëshmoi edhe panairi i Nurembergut ‘BioFach 2011’, të cilin e vizituan afro 44000 njerëz të fushës. Joshjen për prodhimet organike të ekspozuara në panair nuk e ndillte vetëm vetëdija për ushqim të shëndetshëm, por edhe estetika e prezantimit. Tek kaloje ndërmjet stendave të krijohej përshtypja se aty nuk shiteshin mallra bujqësore, por gurë të çmuar, me aq finesë i kishin zbukuruar dhe ndriçuar raftet dhe vitrinat e tyre mbi 2500 ekspozuesit, nga 86 vende të botës. Në këtë kolorit, prezantimi ishin shkrirë edhe vitrinat e katër prodhuesve shqiptarë.
Lulet e kuqërremta të monarda didyma-s, njërës prej bimëve të rralla, që kultivon kompania nga Tirana “Tomadhea”, formonin një yll mbi xhamin e poshtëm të vitrinës: Një magnet për syrin e vizitorit që tërhiqte vëmendjen për bimët e tjera të paketuara nëpër qese të vogla të tejdukshme. Agim Dudja numëron: “Edelweiss, mentes, sambucus, e disa të tjera, të gjitha janë të certifikuara nga Bio-Inspekta zvicerane”, thotë pronari i kompanisë. Agim Dudja arrin të shesë deri dhjetë ton në vit në tregun e huaj, kryesisht atë italian, zviceran, gjerman. Bimët janë të egra dhe mblidhen nga njerëz të ndryshëm nëpër zonat malore të certifikuara. Pjesëmarrja e sivjetshme në BioFach, ia ka shtuar të ardhurat e pritshme me 20 për qind, thotë ai.