E Hënë, 2 Nëntor 2026

BB: Shqipëria, performancën më të dobët fiskale

29/04/2005  Qëndrueshmëria fiskale e rrezikuar për shkak të rezultateve të dobëta tatimore

Koha kur nuk paguanim taksa e tatime dhe ishim një vend i “lirë” ka mbaruar. Shteti mbahet në këmbë pikërisht nga taksat dhe tatimet, të cilat i mbledh me logjikën që t’i përdorë për investime publike. Por duket se 15 vjet pas fitores së nocionit kapitalist të zhvillimit, strukturat shtetërore akoma nuk kanë mësuar të mbledhin në mënyrë të kënaqshme taksat dhe tatimet. “Qëndrueshmëria fiskale është e rrezikuar për shkak të rezultateve të punës për mbledhjen e tatimeve”, ka bërë të ditur Banka Botërore në Raportin e saj të fundit mbi qëndrueshmërinë e arritjeve ekonomike në 2004-ën. “Rezultatet e dobëta të punës së Shqipërisë i kanë fillimet në ’91-shin me ndryshimet në sistem, të cilat erdhën si pasojë e rënies së sistemit social të transfertave automatike buxhetore”, ka cituar në raportin e saj BB-ja. Kështu problemi i përhershëm i mbledhjes së taksave duket se ka zënë vend dhe në këtë raport, ku është bërë e qartë se performanca ekonomike e mbledhjes së taksave është në nivelet më të ulëta në rajon. “Të ardhurat shtetërore janë shumë më të ulëta se në çdo vend tjetër të Evropës Juglindore”, bën të ditur në raportin e vet BB-ja. Jo vetëm kaq, por tatimorët vazhdojnë të konsiderohen si “gogoli” i bizneseve. “Sipas anketave, ngacmimi tatimor konsiderohet si një problem i madh për bizneset”, ka deklaruar Banka Botërore në raportin e saj. Si të mos mjaftonte kjo, duket se Shqipëria do të ketë “evazion” të madh fiskal dhe nga hapja e kufijve dhe kalimi pa doganë i produkteve që vijnë nga vende të marrëveshjes së MTL-së. “Shqipëria do të vuaj nga humbje të mëdha fiskale në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, për shkak të ndikimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë, të negociatave me MLT dhe BE-në dhe të marrëveshjes dypalëshe të tregtisë së lirë me vendet e EJL-së”, bën të ditur BB-ja. Integrimi në ekonominë botërore, përmes liberalizimit të tregtisë në nivel rajonal me vende e tjera të EJL-së dhe me BE-në në kontekstin e reduktimit të tarifave, do të ketë kosto në periudhën afatshkurtër. Sipas BB-së janë tre skenarët, të cilët duhet të vihen në skenë nga qeveria shqiptare, zbatimi i të cilave do të japë ndikimin e vet në uljen e ndjeshme të të ardhurave buxhetore.

”Duhen shqyrtuar tre skenarë liberalizimi i plotë i tarifave mbi importet nga vendet fqinje në Evropën Juglindore, në përputhje me marrëveshjet e tregtisë së lirë të Shqipërisë, zbatimi i plotë i MLT-së me BE-në si dhe miratimi i tarifave të përbashkëta evropiane mbi produktet industriale”, sqaron BB-ja. Ajo çka sugjerojnë ndërkombëtarët në këtë moment, është zgjerimi i bazës tatimore për të mundësuar shtimin e të ardhurave që do të kompensojnë humbjet nga marrëveshjet.

Familjarët nuk deklarojnë të ardhurat

Në Shqipëri ka informalitet në ekonomi, në sektorin bankar, në atë fiskal, por duket se informaliteti ka zënë vend dhe në sektorin familjar. Shqiptarët nuk tregojnë se sa të ardhura kanë. Anketimet e INSTAT kanë treguar se në këtë sektor “evazioni” është më i lartë se në çdo sektor tjetër. Në rast se pas përpjekjeve të vazhdueshme nga ana e shtetit, informaliteti në disa sektorë ka shkuar duke u ulur, në sektorin familjar ai vazhdon të jetë në nivele tepër të larta. “Të ardhurat familjare janë të padeklaruara dhe vlerësohen si 52 për qind e GDP–së, që është dhe përqindja më e lartë e informalitetit mes vendeve të Evropës Juglindore dhe asaj Qendore”, ka bërë të ditur në raportin e vet BSH-ja. Sipas BB-së, evazioni tatimor dhe shmangia nga tatimet në sektorin familjar janë të konsiderueshme. Kështu tingëllon akoma normale që shqiptarët nuk paguajnë sigurime për veten e tyre, duke rrezikuar një pleqëri pa pension. Shumica e ekonomisë mbështetet te bujqësia dhe për pasojë është jashtë kontrollit fiskal. Në këtë sektor punojnë të paktën një e dyta e krahut të punës, persona të cilët shpesh jetojnë me bujqësi për të mbijetuar dhe nuk raportojnë të ardhurat. “Kontributi i sigurimeve shoqërore është ende i pakënaqshëm. Më pak se 35 për qind e punonjësve të firmave private janë të mbuluar nga mbledhja e kontributeve dhe kjo është e dobët në pjesën bregdetare të vendit”, sqaron Banka Botërore në lidhje me normën e lartë të informalitetit në sektorin familjar.

52 për qind

informaliteti familjar

30 për qind

informaliteti i ekonomisë

23 për qind

mbledhja e të ardhurave

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›