E Hënë, 2 Nëntor 2026

Interesat e kredive akoma të larta

29/04/2005  Banka e Shqipërisë

Asnjë nga bankat nuk ka reflektuar politikën e BSH-së për uljen e interesave të kredive

Banka e Shqipërisë e ka ulur në minimumin historik normën bazë të interesit për lekun, por duket se kjo nuk ka ndryshuar mendjen e bankave për të ulur sadopak interesat e kredive. Ndërsa BSH-ja e shet lirë lekun te bankat e nivelit të dytë, duke i dhënë një normë interesi 5 për qind, kreditë në treg vazhdojnë të jenë mbi 10 për qind, çka do të thotë se bankat fitojnë dyfishin e vlerës me kreditë. Këtë e ka pranuar dhe Këshilli i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit. “Gjatë muajit mars, normat e interesit të lekut kanë vazhduar të ulen në tregun e parasë dhe në atë të depozitave, por jo në tregun e kredive”. BSH-ja ka konfirmuar se politika e saj monetare do të vazhdojë të ruaj kahun zbutës, duke synuar uljen e mëtejshme të normave të interesit në tregun bankar dhe nxitjen e zhvillimit të ekonomisë nëpërmjet kreditimit. Banka e Shqipërisë lajmëron se muaji mars ka shënuar dhe nivelin më të ulët historik të parasë jashtë sistemit bankar. ”Raporti i parasë jashtë bankave në fund të muajit shkurt arriti në 25.4 për qind, duke shënuar nivelin e tij më të ulët historik”, thuhet në deklaratën për shtyp të BSH-së. Kështu duket se Banka e Shqipërisë ka mundur të ulë nivelin e parave jashtë bankave në 25 për qind, nga 28 për qind që ka qenë vlerësimi për 2004-ën. Qarkullimi i parave brenda kanaleve formale të sistemit bankar duket se ka ndikuar pozitivisht dhe në rritjen e nivelit të kreditimit. BSH informon se kreditimi i ekonomisë gjatë dy muajve të parë të vitit 2005, ka paraqitur një ecuri pozitive. “Teprica e kredisë është rritur me rreth 6 miliardë lekë, duke arritur në nivelin 76 miliardë lekë, ndërkohë që shkurti i këtij viti u prezantua si periudha me rritjen më të madhe të tepricës së kredisë, me rreth 4 miliardë lekë”, sqaron BSH-ja.

Faturat e larta të dritave dhe ujit kanë shkaktuar inflacion, duke ndikuar negativisht mbi indeksin e çmimeve. Banka e Shqipërisë mbështetur në raportet e INSTAT-it, ka arritur në përfundimin se në muajin mars inflacioni në masën 2.5 për qind i dedikohet pikërisht këtyre dy faktorëve. ”Muaji mars është karakterizuar nga një normë negative e çmimeve të mallrave ushqimore, dhe nga një normë relativisht e lartë e inflacionit vjetor të grupit ’Qira, ujë, energji, elektrike’, inflacioni i të cilit është ndikuar nga rritja e çmimit të energjisë elektrike në muajin janar të këtij viti”, ka deklaruar Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit. Ndërkaq, sipas vlerësimit të BSH-së, rritja e shpenzimeve buxhetore dhe tejkalimi i planit të shpenzimeve për muajin shkurt, nuk duken të kenë ushtruar presione inflacioniste deri në muajin mars.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›