E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjendet në një qendër bamirësie, nëna e zhdukur e katër fëmijëve

29/04/2005  Vëllezërit e gruas denoncuan humbjen e motrës së tyre

DURRËS - Pesë ditë pas largimit nga shtëpia, policia kthen në banesën e saj nënën e katër fëmijëve, e deklaruar e zhdukur. Xhona (Ndreu) Pepkolaj është gjetur e strehuar nga policia në një qendër të përkujdesjes së grave dhe vajzave në Durrës dhe që andej ajo është shoqëruar te shtëpia e saj në Porto Romano. Pepkolaj është larguar nga shtëpia pas grindjeve me të shoqin, mosmarrëveshje të cilat ishin pasojë e nivelit shumë të ulët ekonomik të familjes.

Të hënën e kësaj jave, dy vëllezër të gruas 35-vjeçare i janë drejtuar bluve të Durrësit për të kërkuar ndihmë, duke deklaruar humbjen e motrës së tyre që prej tri ditësh. Kallëzimi i tyre ka vënë në lëvizje policinë, të cilët së bashku me pjesëtarë të familjes së vajzës kanë trokitur te të afërmit e gruas dhe të burrit të saj. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës thonë se për të mësuar adresën e saj, si dhe problemet që kishin pasuar deri në humbjen e nënës së katër fëmijëve, kanë pyetur edhe burrin e saj.

Pohime policore bëjnë të ditur se i shoqi i saj ka mohuar në mënyrë kategorike që mbi 35-vjeçaren të jetë ushtruar dhunë, ndërsa ai nuk ka dhënë për policinë asnjë adresë për të humburën. Në këtë mënyrë, policisë i është dashur dy ditë derisa ka gjetur strehën, ku ishte marrë nën kujdes gruaja.

Policia ka thënë se ajo i ishte drejtuar motrave te kisha katolike, në afërsi të Kënetës, për të kërkuar ndihmë dhe aty kishte qëndruar që nga koha e braktisjes së familjes.

Ajo është shoqëruar në banesën e saj nga inspektori i policisë së zonës, i cili ka kontaktuar edhe me burrin e saj për të normalizuar marrëdhëniet mes palëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›