E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Durrësit ; Sofia Loren, Lolobrixhida dhe Mastrojani propozohen për emra rrugësh



Këshilli Bashkiak i Durrësit ka vendosur që 970 emra të personaliteteve të shquara nga vendi dhe bota që janë propozuar nga komisioni i emërtimit të rrugëve, shesheve dhe territoreve të qytetit, të miratohen mbledhjen e ardhshme. Bashkia e qytetit është tepër e vonuar në këtë proces, pasi bazuar në projektin LAMP për sistemimin e adresave, duhej ta kishte përfunduar këtë proces disa muaj më parë.

Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako deklaroi për “standard” se “Këshilli Bashkiak ngriti komisionin prej tetë vetash që do të merrej me këtë punë, dy prej të cilëve janë pjesë e Bashkisë së Durrësit. Komisioni ka propozuar emrat që do të vihen për rrugë, sheshe dhe territore që nuk kanë pasur emra bazuar në kodet përkatëse për secilin.

Komisioni e ka ndarë territorin e qytetit të Durrësit në tre zona, në atë të qytetit, zonën e Shkozetit dhe zonën e plazhit”. Për zonën e Shkozetit propozimet janë bërë pothuajse nga të gjithë anëtarët e komisionit, kurse për zonën e Plazhit emrat janë propozuar nga historiani Sali Hidri, ndërsa për atë të qytetit nga arkeologu Afrim Hoti.

Në këto propozime ka pasur edhe emra fare të panjohur, siç është propozimi që një rruge në Durrës t’i vihet emri rruga “Abu Abdullah Al Idris”, rruga “Agora” apo “Scolia”. Dako tha se “këshilltarët kanë kërkuar që emrat që janë propozuar të shoqërohen me një shpjegim të shkurtër në lidhje me atë që këta personalitete kanë përfaqësuar gjatë jetës së tyre”.

Personat shqiptarë që janë përzgjedhur në shumicën e tyre kanë pasur lidhje të ndryshme me qytetin e Durrësit, ku janë përzgjedhur shumë mësues, mjekë, aktorë të teatrit, figura të politikës etj. Komisioni ka pasur parasysh që personalitetet shqiptare që janë përzgjedhur për emërtimin e rrugëve të merren vetëm ata që nuk jetojnë më, por nga personalitetet e huaja nuk është marrë parasysh ky kriter, siç është rasti për rrugën që pritet të marrë emrin “President Obama” në qytetin e Durrësit.

Shumë emra të shquar janë përzgjedhur edhe nga Kosova, ngjarje të ndryshme historike, data dhe vende që zënë vend të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar. Nga ana tjetër komisioni ka propozuar edhe emra të shquar të artit skenik botëror, siç është aktorja me famë botërore Ingrid Bergman, Marçelo Mastrojani, Sofia Loren, Xhina Lolobrixhida apo këngëtarët e mirënjohur italianë: Adriano Çelentano, Domeniko Modunjo etj.

Pas miratimit nga Këshilli Bashkiak për emërtimin e rrugëve e shesheve me këta emra, lista me kodet përkatëse do të dërgohet në Ministrinë e Brendshme. Kjo e fundit do të përgatisë shumë shpejt tenderin për stampimin e tabelave me adresat që do të jenë unike në të gjithë vendin.

Shirat rrezikojnë kodrat e Durrësit

Shirat e tetorit të këtyre ditëve kanë rrezikuar seriozisht kodrinat e qytetit dhe u kujtuan banorëve të Durrësit se stina e nxehtë mbaroi dhe se sezoni dimëror sapo ka nisur. Por gjatë këtyre ditëve u kujtuam se problemi i kanalizimeve në sistemin kodrinor do të vazhdojë të jetë një problem i pazgjidhur pasi rrugët që lidhen me to u mbushën me baltë e zhavorr me origjinë lartësitë. Kolektori ose kanali i ujërave të larta ka vite që ka dalë jashtë përdorimit, për shkak të ndërtimeve pa leje si dhe për shkak se ka vite që nuk është pastruar pasi mjetet e rënda nuk kanë nga të kalojnë. Kjo situatë ndikon në bllokimin e rrugëve sa herë që ka shira të rrëmbyer. Pasi reshjet pushojnë, duhet më shumë se 1 orë që akset rrugore të bëhen të kalueshme për këmbësorët. Ato që e pësojnë janë blloqet pas Mauzoleut të Dëshmorëve si dhe ato në hyrje të qytetit të Durrësit. Duket se ndërtimi i një sistemi kullimi nëpër kodrat e Durrësit është ende një projekt i largët për vetë koston që mbart, kështu që banorët e këtyre lagjeve edhe për disa vjet do të vazhdojnë të përballen me pasojat e shirave të rrëmbyer që në Durrës shkaktohen shpeshherë nga stuhitë detare. Të tilla ishin edhe shirat e parë të vjeshtës gjatë këtyre ditëve.

Rikonstruksionet e rrugëve, ferri i qytetarëve

Edhe pse sipas planit duhen më pak se dy muaj nga afati i përfundimit të rrugës së varrezave në Durrës, niveli i punimeve duket mjaft larg përfundimit. Shirat e parë të vjeshtës të këtyre ditëve kanë krijuar një situatë tepër të vështirë në këtë aks rrugor. Kortezhet të cilat përcjellin për në banesën e fundit njerëzit e tyre, vuajnë gjendjen e rëndë të kësaj rruge. Varrezat e Durrësit ndodhen 5 km larg qendrës së qytetit, por për të mbërritur deri atje, makinave u duhet pothuajse 1 orë dhe kjo në kushtet kur nuk ka përplasje oraresh për të kryer këtë ritet e varrimeve. Riparimi i kësaj rruge ka nisur ditët e para të muajit maj të këtij viti, por punimet kanë ngecur apo po ecin shumë ngadalë dhe nuk premtojnë respektimin e afatit të deklaruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në Tiranë, e cila është edhe përgjegjësja e këtij projekti. Në 6 maj të këtij viti, nisi puna për rikonstruksionin e rrugës së varrezave e cila ndodhet në zonën e Spitallës në Durrës. Ajo ishte katandisur në një gjendje shumë të rëndë, edhe pse është njëra ndër akset më të rëndësishme të Durrësit. Bëhet fjalë për segmentin shkolla 9-vjeçare “Naim Babameto” – ish-kombinati kimik. Për banorët e Durrësit kjo rrugë ka rëndësi, pasi lidh pjesën kryesore të qytetit me të dyja varrezat e tij, ndërsa për qeverinë ajo merr edhe një rëndësi tjetër atë të lidhjes së qytetit me parqet e ardhshme industriale dhe energjitike. Për të realizuar këtë projekt janë dhënë 222 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Segmenti që po i nënshtrohet riparimit është 2 km i gjatë dhe 16 m i gjerë. Por gjendja e tij paraqitet mjaft e rëndë, pasi punimet po ecin me hapin e breshkës dhe rruga përfaqëson një baltovinë të përkeqësuar nga shirat e këtyre ditëve që paralajmëruan se stina e thatë përfundoi.

Kur zyrtarisht nisi puna për rikonstruksionin e kësaj rruge, u deklarua se afati i përfundimit do të jetë pas 7 muajve. Por deri atë ditë kanë mbetur vetëm 2 muaj dhe ajo që shihet nuk premton aspak respektimin e afatit. Rruga ende nuk është konturuar dhe nga të dyja anët për të përcaktuar gjerësinë e saj e për të ndërtuar trotuaret. Hedhja e shtresave të gurëve nuk është kryer ende çka do të thotë një dimër i vështirë për banorët e zonës si dhe për ata që do të marrin pjesë në ceremonitë mortore. Ajo që shihet për realizimin e këtij projekti janë vetëm një grusht punëtorësh si dhe disa mjete që punojnë në këtë aks. Drejtoria e Rrugëve, e cila ka caktuar edhe supervizorin e projektit, duhet të shohë realizimin e projektit, pasi ky aks është tepër i rëndësishëm për Durrësin. Ndërkohë segmenti tjetër nga Mauzoleu i Dëshmorëve deri te spitali rajonal e që është pjesë e kësaj rruge po shkatërrohet për çdo ditë, ndaj investimi mbetet nevojë urgjente.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›