Shkarkohet drejtori i Albpetrolit
Vendimi vjen vetëm një ditë pas deklaratave të ministrit Prifti për abuzime në këtë ndërmarrje
TIRANË-Shkarkohet nga detyra drejtori i Albpetrolit, Ylli Gjoni. Vendimi vjen vetëm një ditë pas deklaratës së ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, se kompania shtetërore e naftës është në situatë të vështirë për shkak të keqadministrimit.
Mësohet se gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një mbledhje e Këshillit Mbikëqyrës të kësaj kompanie i cili ka vendosur shkarkimin nga detyra të Ylli Gjonit duke e zëvendësuar me Ferdinand Muratin. Bëhet e ditur se vendimi për shkarkimin e Gjonit ka qënë ecuria jo e mirë e kësaj kompanie, duke arritur në atë stad ku sipas deklaratës së ministrit Prifti, nuk ka mundësi që të paguajë as punonjësit.
Krahas kësaj, gjatë konferencës për shtyp të dy ditëve më parë, Prifti lajmëroi fillimin e procedurave për privatizimin e kësaj kompanie duke e parë si të vetmen mënyrë për nxjerrjen e saj nga vështirësitë. "Ne e kemi analizuar disa herë situatën në Alb-Petrol dhe nuk jemi aspak të kënaqur për mënyrën sesi është drejtuar. Për këtë arsye, do të bëjmë ndryshime edhe në Këshillin Mbikëqyrës të kompanisë.
Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është mbledhur grupi i punës. Ndërkohë që do të zgjidhet një konsulent ndërkombëtar për formën e privatizimit, ndryshimet ligjore etj. Po përgatitet edhe vendimi i qeverisë për ngritjen e një grupi ndërministror. Procesi i privatizimit do të jetë i shkurtër dhe do të realizohet brenda 6-8 muajsh. Do të ftojmë që në tender të marrin pjesë sa më shumë kompani të huaja", - tha Prifti.