BB: Varfëria është ulur lehtë, por është zhvendosur nga fshati në qytet
Banka Botërore tha dje se kriza ekonomike globale rrezikon të thellojë varfërinë në vend, megjithëse niveli i varfërisë ka pësuar ulje, para se efektet e krizës të ndjeheshin.
Një studim i kryer bashkërisht nga një grup specialistësh të INSTAT, PNUD dhe Bankës Botërore nxori si rezultat se Shqipëria vazhdon të provojë ulje të varfërisë në periudhën 2005-2008. Të dhënat e anketës së Bankës Botërore thonë se varfëria ka pësuar ulje në nivele të mira në zonën e Shqipërisë së mesme, por ajo është bërë më e madhe dhe më e pranishme në zonat malore të vendit e kryesisht në zonat verilindore. Anketa e Bankës Botërore dhe PNUD thotë se ka patur edhe një zhvendosje të varfërisë nga zonat rurale drejt atyre urbane gjatë këtyre viteve. Gjithashtu, niveli me të cilin ka rënë varfëria gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë më i ulët me nivelin me të cilin varfëria binte në vitin 2002 ose edhe me vonë. Zvogëlimi i shpejtë i varfërisë në zonat rurale, tha Banka Botërore dje, nënkupton që varfëria mund të mos përbëjë më një problem kryesisht rural. Zona të tjera të Shqipërisë vazhdojnë të provojnë ulje të rëndësishme të nivelit të varfërisë. Zonat Qendrore kanë pasur uljen më të madhe të nivelit të varfërisë që nga viti 2005. Sidoqoftë, vijoi Banka, të dhënat tregojnë një ngadalësim të dukshëm të reduktimit të varfërisë në zonat malore, ku varfëria vazhdon të shfaqë nivelin më të lartë, si dhe ulje jo të rëndësishme që nga 2005. Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah, tha se duhet të identifikohen personat më të prekshëm, të cilët në kushtet e krizës botërore rrezikojnë të bien në varfëri. “Duhet të shohim se cilët janë personat vulnerabël ndaj varfërisë, pasi nuk e dimë se sa do të zgjasë kriza globale. Duhet të analizojmë se çfarë duhet të bëjmë për të mbajtur këto rezultate të varfërisë, pasi nuk është faji i shqiptarëve, por i problemeve të ekonomisë botërore”, - u shpreh Camille Nuamah. Sipas anketës, niveli i varfërisë në vend ka rënë nga 25.4% në vitin 2002 në 12.4% në fund të 2008. Por përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe PNUD kanë cilësuar se në këtë studim nuk janë përfshirë efektet e krizës globale që kanë nisur të ndihen në vendin tonë gjatë muajve të fundit të vitit që lamë pas. “Progresi i shënuar në uljen e varfërisë është rezultat i shpirtit sipërmarrës të popullit shqiptar, të dhënat e anketës janë marrë përpara fillimit të krizës globale”, - u shpreh përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri Camille Nuamah. Ndërkohë. përfaqësuesi i PNUD, Norimasa Shimomura, tha se “rezultatet e anketës nuk reflektojnë efektet sociale të krizës globale. Shqipëria ka nevojë për një sistem të fuqishëm statistikor dhe hapat e marra nga qeveria në këtë drejtim janë të mirëpritura”.