E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet në kohë rekord dhënia e licencës së operatorit celular

Nga L.Progni

Brenda pak ditësh, projektligji për dhënien e licencës së operatorit të katërt celular është bërë realitet si rrallë ndonjë ligj tjetër, duke shkelur rregulloren dhe procedurat parlamentare, por mbi të gjitha duke shkelur ligjet e këtij vendi që parashikojnë garë për të dhënë këtë pasuri kombëtare. Parlamenti ka miratuar ditën e djeshme projektligjin, i cili prej fare pak ditësh ndodhej në Kuvend. Më 74 vota pro të mazhorancës, licenca i është dorëzuar një grupimi kompanish shqiptare që kanë në krye Postën e Kosovës, e cila po përdoret si mbulesë prej tyre.

Në seancë kanë munguar deputetët e opozitës, jo për shkak të kësaj çështjeje, por për shkak të kartave të identitetit. Kundër projektligjit janë shprehur deputetët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis dhe Spiro Peçi, dhe deputeti i djathtë, Spartak Ngjela.

Kryeministri, Sali Berisha, ka mbrojtur projektligjin në Kuvend, duke thënë se konsorciumi fitues solli ofertën më të lartë. “Qeveria nuk është si bashkia që Edi Rama e ka bërë si familje dhe i jep vetes dhe Eftimit 19 leje ndërtimi. Këta flasin për korrupsionin dhe për punësimin, ndërkohë që zotohen për të anuluar koncesionet që vetëm ai i Devollit po punëson 5-7 mijë punëtorë”, - tha Berisha.

Megjithatë, në këtë fund mandati kjo qeveri po jep një pasuri të vendit pa pasur garë.

Duke folur gjatë një konference për shtyp para dy ditësh, kryeministri, Sali Berisha, tha se janë ndërprerë të gjitha privatizimet në vend, përveç këtij të licencës së operatorit celular.

“I kemi ndërprerë të gjitha, përveç kësaj. Unë iu kam dhënë urdhër ministrive që të ndërpriten. Por kjo ofertë është në një periudhë të paktën 2-3 muaj para zgjedhjeve. Megjithatë, ju, kur të dëshironi, mund të shkoni të njiheni me çmimin e dhënë. Njëra ofertë është 7 milionë, tjetra është 4-5 milionë. Sigurisht që fitues u shpall ai që ofroi më shumë. Nuk mjafton të bësh presion mbi këtë qeveri për të fituar tenderë. Kjo nuk ndodh”, - tha Berisha.

Socialistët

Megjithëse edhe për këtë çështje kryeministri, Sali Berisha, ka sulmuar kryetarin e PS, Edi Rama, duhet thënë se janë pikërisht socialistët që nuk kanë ngritur aspak zërin për këtë çështje.

Vetëm deputeti Erion Braçe për të dytën herë dje ka përsëritur se tenderi është i paligjshëm.

Sipas Braçes, shkelja e parë e ligjit është bërë nga ministri Olldashi, i cili, pasi ka anashkaluar vendimin e Komisionit të Verifikimit të Ofertave, që anulonte tenderin për shkak të parregullsive, ka nxjerrë një fitues, kur në fakt nuk ekzistonte një i tillë. Absurdi vijon, sipas Braçes, pasi në projektligj, në nenin tre, theksohet se ky konsorcium është shpallur fitues, kur ky term nuk ekziston, për shkak se nuk ka pasur një garë. Por abuzimi me i madh, sipas Braçes, është pjesa e Postës së Kosovës, e cila në gjithë këtë licencë nuk paguan dhe nuk fiton asnjë qindarkë dhe për më tepër dhe 30% e aksioneve që ka do t'i shesë me anë të një marrëveshjeje të dytë të fshehtë me aksionerët shqiptarë. Kjo sanksionohet, sipas Braçes, dhe në ligj, ku theksohet se kompanitë me anë të firmave të hedhura më 19 shkurt kanë rënë dakord ta mbajnë këtë lidhje për një “periudhë minimale”. Shkelja e tretë nga ana e qeverisë konstatohet në ligjin për komunikimet elektronike. Qeveria ka dhënë vetë frekuencat, kur këtë kompetencë e ka autoriteti i komunikimeve elektronike. Me këto fakte Braçe thekson se projektligji i votuar nga parlamenti është tërësisht antiligjor dhe klientelist.

Meta

Kryetari i LSI, Ilir Meta, ka qenë i drejtpërdrejtë në kërkesën e tij drejtuar kryeministrit, Sali Berisha, për t’i dhënë fund privatizimeve të dyshimta paraelektorale. Meta e quajti dhënien e licencës së operatorit të katërt veprim skandaloz.

“Procedurat, me të cilat po operon kryeministri Berisha për licencën e katërt të telefonisë celulare, janë skandaloze, janë të paligjshme, janë në kundërshtim dhe me direktivat e Bashkimit Evropian. Unë do e ftoj z. Berisha që të tërhiqet nga përpjekja e tij për të ndarë fajin për shkeljen e ligjeve me të gjithë parlamentin si institucion. Nuk është koha për të bërë vendime të tilla, por është koha për të shkuar drejt zgjedhjeve dhe, sikurse e ka thënë vetë z. Berisha para katër vitesh, kur ishte në opozitë, privatizimet në fund të mandatit të çdo qeverie janë të dyshimta, përveç faktit që procedurat në këtë rast duken qartazi që janë të paligjshme”, - tha Meta.

Ngjela

Abuzimet me miratimin e licencës së operatorit të katërt celular kanë ardhur si pasojë e mungesës së drejtësisë në vend. Avokati Spartak Ngjela ka komentuar në “Vizion Plus” se kjo është një vjedhje e hapur që bëhet në prag të zgjedhjeve nga njerëz të papërgjegjshëm. Ngjela u ndal edhe në heshtjen e opozitës lidhur me skandalin e radhës së qeverisë. Ai e cilësoi si naive strategjinë që po përdor opozita me në krye lidershipin socialist.

Olldashi: Tani kemi më shumë operatorë celularë se çdo vend në rajon

Ministri i Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, tha se dhënia e licencës së operatorit të katërt është një veprim i ligjshëm. Olldashi tha se nuk ka folur gjer më tani për këtë çështje, për shkak se kishte frikë mos ndikonte Kuvendin, që duhet theksuar se votoi në mënyrë krejt të pavarur për këtë projektligj.

“Besoj që jeni në dijeni të një diskutimi të gjatë që është bërë gjatë ditëve të fundit për çështjen e licencës së katërt të telefonisë mobile - nuk kam dashur të ndërhyj në këtë debat deri më sot, për të mos ndikuar gjykimin sovran të Kuvendit të Shqipërisë, por pas miratimit (të projektligjit) e ndjej si detyrim të sqaroj pozicionin e ministrisë në lidhje me këtë procedurë”, - tha Olldashi.

Ministri tha se kompania është shpallur fituese, për shkak se ofroi çmimet më të mira dhe dha ofertën më të lartë.

Ministri u shpreh entuziast që Shqipëria ka tashmë katër operatorë celularë, duke u bërë e para në rajon me një numër të tillë operatorësh. Olldashi nuk ka sqaruar se pse duhet të jenë kaq shumë operatorë dhe çmimet të jenë më të lartat në rajon.

“Nga pikëpamja ligjore propozimi (i iniciuar dhe dërguar në Kuvend) është tërësisht në përputhje me ligjin, pasi do të ishte absurditet të mendonim se një ligj bie në kundërshtim me një ligj, pra ajo që është miratuar sot ka vlerën e të njëjtit ligj sikurse dhe ligji i komunikimeve elektronike.

Së dyti, kemi mbajtur të njëjtat kushte dhe procedura të propozuara në dokumentacionin e tenderit, pra, - detyrimin e kompanisë për të shlyer brenda afatit 7-ditor 7.2 milionë euro nga marrja e njoftimit (të fituesit), dhe ndërkohë i hapim tregut të telefonisë së lëvizshme një operator të katërt, i cili me paketën e tij ka ofruar ndjeshëm çmime më të ulëta se ekzistentet në treg. Në këtë mënyrë Shqipëria bëhet vendi i parë në rajon me katër licenca GSM”, - tha Olldashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›