Dy trilionë dollarë për ekonominë reale të botës
Qeveritë e G-20 në të gjithë botën po shikojnë se si ekonomitë e tyre zhyten në recesion, me papunësinë në rritje drejt niveleve të papara 20 vitet e fundit dhe fantazmën e deflacionit që endet në qiejt e trazuar financiarë. Në këtë mjedis, ministrat e Ekonomisë dhe bankat qendrore kanë nisur shpenzimet në përkrahje të ekonomisë.
Këtu nuk e kemi fjalën për paratë e shpenzuara në përkrahje të tregjeve financiare për të shpëtuar gjithë institucionet kredidhënëse dhe bankat për pará të përdorura ekskluzivisht për mbështetjen e prodhimit dhe vendeve të punës në ekonominë reale. Praktikisht, të gjitha vendet anëtare të G-20 kanë shpallur programe në ndihmë të ekonomisë reale.
Sasia e përgjithshme e planifikuar për këtë qëllim arrin deri tani thuajse dy trilionë dollarë amerikanë. Shumë nga këto qeveri kanë deklaruar se nuk do të ngurojnë të harxhojnë edhe më, nëse programet e aplikuara tashmë rezultojnë të pamjaftueshëm për të ndalur uljen e të ardhurave dhe humbjen e vendeve të punës. Karakteristika e përbashkët e gjithë këtyre projekteve është se llogariten në miliarda, në çdo lloj monedhe. Më saktësisht këto projekte kanë këto veçori:
- SHBA: 787 miliardë USD ose 5.5% të GDP. Periudha kohore 2009-‘10. Politikat bazë: Ulje taksash me vlerë të përgjithshme 287 miliardë USD dhe shpenzime publike 500 miliardë.
- Japonia: 15.4 trilionë Jen (154 miliardë USD) ose 3.1% e GDP. Periudha kohore shkon deri në mars 2010. Politikat bazë: subvencione dhe kredi në mbështetje të konsumit dhe investimeve.
- Kina: 4 miliardë Van (586 miliardë USD) ose 13.3% të GDP. Periudha kohore: nëntor 2008-fund i 2010. Politikat bazë: projekte infrastrukture dhe përkrahje për shtëpi banimi.
- Gjermania: 81 miliardë Euro (110 miliardë dollarë) ose 3.25% të GDP. Koha: 2009-‘10. Politikat bazë: Më shumë projekte në infrastrukturë, kredi të reja nga banka shtetërore KfW, incentiva për konsumatorët që të blejnë makina të reja dhe ulje taksash për investimet e kompanive.
- Britani: 20 miliardë Pound (29 miliardë dollarë) ose 1% e GDP. Koha: fundi i 2008 deri në 2011.
- Francë: 26 miliardë Euro (35 miliardë dollarë) ose 1.3% të GDP. Koha: 2009. Politikat bazë: Më shumë shpenzime publike, përkrahje për sektorin e ndërtimit dhe prodhim makinash. Kredi rreth 6 miliardë euro për Peugeot, Citroen dhe Renault.
- Itali: shtatë miliardë euro (10 miliardë dollarë) ose 0.4% të GDP. Koha: 2009. Politikat bazë: ulje taksash për familjet dhe bizneset me të ardhura të pakta, incentiva për të blerë makina të reja.
- Kanada: 33 miliardë Dollarë kanadezë ose 2.5% të GDP. Koha: 2009-‘10. Politikat bazë: investime publike në infrastrukturë, ulje taksash, më tepër përkrahje sociale.
- Rusia: 61-62 miliardë Dollarë ose 5.2-5.4% të GDP. Koha: 2009. Politikat bazë: ulje taksash, kredi të buta dhe garanci për bankat.
- Koreja e Jugut: 69 trilionë Uon (51.2 miliardë dollarë) ose 7.5% të GDP. Koha: deri në 2012. Politikat bazë: incentiva për investimet për ruajtjen e mjedisit.
- India: katër miliardë Dollarë ose 0.4% të GDP. Politikat bazë: përkrahje për kërkesat e brendshme dhe eksportet.