E Diel, 1 Nëntor 2026

BB i fal Kosovës 150 milionë dollarë të borxhit



Menjëherë pas anëtarësimi të Bankën Botërore, Kosova ka filluar të marrë përfitimet e para. Zëvendëssekretari i Shtetit Amerikan Xhems Stajnberg bëri të ditur se Kosovës do t’i falen 150 milion dollarë borxh që ka ndaj Bankës Botërore, një borxh i trashëguar i Kosovës nga periudha e ish-Jugosllavisë. Me një akt të ashtuquajtur hua e konsoliduar, Kosova merr përsipër pagesën e borxheve ekzistuese ndaj Bankës Botërore që kapin shumën prej 381 milionë dollarësh. Nga kjo shumë, SHBA-të kanë premtuar se do t’i japin 150 milionë, duke e zbritur kështu borxhin e Kosovës në 231 milionë dollarë. Stajnberg tha se akti i nënshkrimit dhe i pranimit të Kosovës në FMN e BB është një rast për të shqyrtuar dhe përballur me sfidat ekonomike që ka Kosova. Vetë aktin ai e cilësoi si një integrim të mëtejshëm të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Për afatet dhe përqindjen e interesit dhe të pagesës do të merren vesh mes tyre përfaqësues të Bankës Botërore dhe të Qeverisë së Kosovës. Ndërkohë një delegacion i Kosovës i kryesuar nga Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi ndodheshin edhe dje në Uashington ku nënshkruan një marrëveshje me Korporatën e Investimeve Private Jashtë shtetit, ose OPIC, që është një agjenci e Qeverisë amerikane që u ndihmon bizneseve të vogëla amerikane duke u ofruar shërbime në investimet e tyre jashtë vendit.

1 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›