BB, miliona dollarë për aparatura mjekësore
2 milionë dollarë do të investohen për pajisje mjekësore për 1500 ambulanca dhe për 6 qendra shëndetësore në të gjithë vendin
Projekti 3-vjeçar i Bankës Botërore investon miliona dollarë për zhvillimin e shëndetësisë në vend. Rreth 17 milionë dollarë do të jetë financimi i BB-së përgjatë dy viteve të ardhshme për sektorin e shëndetësisë. Kjo u bë e ditur dje gjatë një takimi të zhvilluar midis krerëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bankës Botërore (BB).
Investimet
Investimi do të përqendrohet kryesisht në infrastrukturën e qendrave shëndetësore dhe pajisjen e tyre me pajisje mjekësore. Kështu, vetëm për qendrat shëndetësore Banka Botërore do të financojë një fond prej 2 milionë dollarësh. “Financimi i BB-së është një financim i madh që bëhet për Institutin e Sigurimeve Shëndetësore. 2 milionë dollarë do të investohen për pajisje mjekësore për 1500 ambulanca dhe për 6 qendra shëndetësore në të gjithë Shqipërinë si dhe për poliklinikat e Tiranës”, - tha Saimir Kadiu, drejtor i Shpërndarjes së Buxhetit në Ministrinë e Shëndetësisë.
Lufta kundër sëmundjes së kancerit vlerësohet si një hap tejet i rëndësishëm, ndaj dhe një pjesë e rëndësishme e financimit të BB-së do të përdoret për luftën kundër kancerit.
Për këtë, do të investohet kryesisht për parandalimin dhe informimin e popullatës por edhe në depistimin e tyre. Në këtë mënyrë do të bëhet e mundur evidentimi i rasteve me këtë sëmundje dhe dhënia e ndihmës mjekësore. Gjithashtu do të punohet për pajisjen e qendrave shëndetësore me mamografi.
“Mendohet që ky projekt të financojë 1.5 milionë dollarë për blerje mamografësh, në mënyrë që të bëhet depistimi dhe gjithë kontrolli i mundshëm në kuadër të luftës kundër kancerit”, - tha Kadiu, duke shtuar se një problem i madh janë dhe mbetjet spitalore dhe në këtë kuadër mendohet të blihen pajisjet e para për mbetjet spitalore me një fond prej 1.5 milionë dollarësh për 7 spitalet kryesore të vendit. Ndërkaq, pjesë e financimit do të jetë dhe eliminimi i mbetjeve spitalore.
Ndërkohë, sipas tij, 3.5 milionë dollarë nga fondi i përgjithshëm do të vihen në dispozicion të sistemit të informacionit të ISKSH-së. Kadiu tha se fondet e Bankës Botërore do të jenë aktive brenda muajit prill të këtij viti.
Fondet e Bankës Botërore pritet që të aplikohen brenda muajit të ardhshëm. Ndërkohë që BB-ja vlerëson si problematike mbetjet spitalore dhe në këtë kuadër mendohet të blihen pajisjet e para për mbetjet spitalore me një fond prej 1.5 milionë dollarësh që do të jenë për 7 spitalet kryesore të Shqipërisë.