SMS-të e gjobës për kryebankierin
Trazhgim Sokolaj
“Nëse bëni ndonjë gabim do të vrasim ose ju, ose bashkëshortin tuaj ose vajzën tuaj të bukur. Mos njoftoni policinë, edhe unë jam polic”. Kjo është një pjesë nga mesazhet kërcënuese që kanë mbërritur në familjen e Drejtorit të Bankës së Bashkuar Arabe (ABA) në Shqipëri, Ehab Saad më 24 shkurt 2009. Kryebankieri nga Egjipti, por me banim në Tiranë është kërcënuar me jetën e vajzës, gruas dhe vetë atij, nëse nuk dorëzonte gjobën prej 85 mijë eurosh. Mesazhet janë dërguar në celularin e gruas së drejtorit të bankës, shtetases egjiptiane Amal Read. Menjëherë pasi ka marrë mesazhet kërcënuese në celularin e të shoqes, drejtori i bankës denoncoi ngjarjen në polici. Hetimi u drejtua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit filloi verifikimet për personat që kishin dërguar mesazhet kërcënuese në celularin e gruas së bankierit. Pas dy muaj hetimesh, Prokuroria zbuloi se autori i ngjarjes, ishte Lulëzim Makishti, 29 vjeç, banues në Tiranë. Gjobëvënësi, sipas Prokurorisë, ishte djali i Esma Makishtit, gruas që ishte punësuar si pastruese në shtëpinë e drejtorit të Bankës së Bashkuar Arabe në Tiranë. I dyshuari për gjobën dhe kërcënimet ndaj familjes egjiptiane me qëndrim në Tiranë, u arrestua më 29 prill 2009, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Gjobëvënësi në gjyq
Organi i akuzës përfundoi dje hetimet për personin që kërkoi 85 mijë euro nga kreu i bankës ABA, shtetasi 43-vjeçar Ehad Saad, nga Kajro e Egjiptit, banues në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, 29-vjeçari Lulëzim Makishti u dërgua në gjyq për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, neni 109/b/1 i K.Penal. Hetimet nisën bazuar në denoncimin e drejtorit të Bankës së Bashkuar Arabe në Tiranë. “Në kallëzim shtetasi egjiptian shpjegoi se më 24 shkurt 2009 në telefonin e të shoqes së tij e quajtur Amal Read, kanë ardhur tri mesazhe nga numri i telefonit celular (355672674... red). Nga përmbajtja e këtyre mesazheve del se ndaj familjes së tij është drejtuar një kërcënim për jetën e pjesëtareve të familjes i kushtëzuar me dhënien e një shume prej 85 mijë eurosh”, thuhet në dosjen e dorëzuar për gjykim pranë Krimeve të Rënda në Tiranë. Sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se SMS-të kërcënuese janë dërguar në gjuhën angleze, ndërsa janë përkthyer nga specialistë të licencuar për t’u administruar si prova penale në dosjen hetimore të gjobëvënies. Provat materiale të grumbulluara gjatë hetimit mësohet se janë dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku pritet të fillojë shqyrtimi gjyqësor i çështjes.
SMS-të kërcënuese
Mesazhi i parë, dt. 24 shkurt 2009:
• “Përshëndetje zonjë, mos i tregoni njeriu për këtë mesazh, vetëm burrit tuaj. Nëse bëni ndonjë gabim do të vrasim ose ju, ose bashkëshortin tuaj ose vajzën tuaj të bukur. Mos merrni në telefon vetëm dërgoni mesazhe, kështu në rast se nuk na jepni 85.000 euro deri nesër atëherë kini kujdes. Mos njoftoni policinë, edhe unë jam polic. Pas një ore më dërgoni një mesazh dhe më thoni çfarë keni vendosur.”.
Mesazhi i dytë:
•”Mos bëni lojëra, ne i shohim të gjitha lëvizjet tuaja.”
Mesazhi i tretë:
• “Keni bërë një gabim të madh, kini kujdes tani e prapa”