E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e trafikuar nga babai dëshmojnë nga Greqia

 

TIRANE – Pesë fëmijë shqiptarë, të cilët janë trafikuar në Greqi nga babai i tyre, u morën në pyetje në Athinë nga avokati i të pandehurit Agim Xhambazi, si dhe një prokuror e një gjyqtar i Krimeve të Rënda nga Shqipëria. Burime zyrtare nga organi i akuzës, thanë se pyetja e fëmijëve është bërë në një seancë të improvizuar gjyqësore në Athinë, për llogari të gjyqit që po zhvillohet në Tiranë ndaj të pandehurit Agim Xhambazi, i cili dyshohet se ka trafikuar në Greqi bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tij, të cilët i ka shfrytëzuar për të lypur. Për shkak të pamundësisë së fëmijëve dhe nënës së tyre për t’u paraqitur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe për të dëshmuar në proces, një anëtar i trupës gjykuese, prokurori i çështjes dhe avokati i të pandehurit, kanë udhëtuar drejt Greqisë ku kanë marrë në pyetje pesë fëmijët e dëmtuar. Më 5 janar 2009, Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, dërgoi në gjyq dosjen penale ndaj Agim Xhambazit, i cili akuzohet se ka trafikuar në Greqi anëtarët e familjes së tij. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se Agim Xhambazi, nga Korça, akuzohet se ka kryer veprat penale “trafik njerëzish” dhe “trafik fëmijësh”. “Nga hetimet ka rezultuar se Agim Xhambazi dhe pesë fëmijët e tij, në vitin 2001 kanë shkuar në Greqi përmes kalimit të paligjshëm të kufirit pa u pajisur me dokumente të rregullta. Ata janë vendosur në qytetin e Athinës ku kanë qëndruar në një banesë me qira të dhënë nga nëna e të pandehurit Agim Xhambazi. Pas disa ditësh qëndrimi në Athinë, i dyshuari ka detyruar bashkëshorten dhe pesë fëmijët të lypnin dhe më pas fitimet e arritura t’ia dorëzonin atij”, thanë burimet nga Prokuroria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›