Deti mbulohet nga nafta e solari
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Katër bote të mbushur me mbetje hidrokarbure ndotin plazhin e Vlorës.Ato janë zbrazur mëngjesin e djeshëm në afërsi të Pyllit të Sodës, duke mbuluar me mbeturina të naftës, solarit e vajrave një sipërfaqe të konsiderueshme deti dhe rëre. Ngjarja konsiderohet e qëllimshme, e lidhur me vizitën e kryeministrit Berisha në ditën e përurimit të portit të Petroliferës, ndërsa hetimet po i ndjek Policia e Shtetit. Sasia e konsiderueshme e mbetjeve, rreth 60 tonë, është hedhur në vendin e quajtur “Kanali i Motorit”, aty ku kalojnë ujërat e zeza të qytetit. Ato kanë mbuluar ujin në një gjerësi prej 10 metrash, ndërsa 5 metra në pjesën e rërës. Policia e Vlorës arriti të identifikonte autorët, duke shoqëruar në orët e pasdites 6 persona nga Vlora dhe një nga Fieri. Nga hetimet e kryera rezulton se në det janë zbrazur nga 4 bote të një prej firmave të licencuara nga qeveria për largimin e mbetjeve të vajrave, solarit si dhe të naftës nga mjetet lundruese, siç janë anijet apo tragetet e ndryshme. Kjo firmë, e cila sipas policisë ka emrin “Arkand Xhunior” shpk ka mbledhur mbetjet nga anija me flamur italian “Guildo”, e cila transporton naftë bruto nga Shqipëria, pikërisht nga porti i Vlorës, për në shtet të tjera ku çohet për përpunim. Deri në Vlorë mësohet se nafta transportohet me bote nga Fieri. Anija naftëtransportuese kishte mbërritur në portin e Vlorës dy ditë më parë, me qëllim shkarkimin e mbetjeve, sipas procedurave të shtetit tonë. Kjo dhe për faktin se në Shqipëri ekzistojnë taksa më të vogla për të kryer shkarkimin e mbeturinave. Pasi anija është pastruar janë mbushur 6 bote, dy prej tyre kanë shkuar për t’u shkarkuar në vendin e përcaktuar si gjithmonë në zonën e naftës në Fier, ndërsa 4 prej tyre përfunduan në “Kanalin e Motorit”. Pas këtij veprimi të papërgjegjshëm nisën hetimet nga policia e prokuroria, ndërsa Kapitaneria e Vlorës i ka bllokuar anijes dokumentacionin për të mos u larguar nga porti. Sipas Kapitanerisë, anija ka të gjithë dokumentacionin në rregull dhe ka kryer me përpikmëri të gjitha procedurat. Ajo rezulton se prej 5 vitesh vepron në portin e Vlorës, por pavarësisht kësaj do të qëndrojë e bllokuar deri në sqarimin e situatës. Gjithashtu është shoqëruar dhe pronari i firmës që kryente transportin me bote si dhe dy shoferët e tyre. Sipas Niko Dumanit, specialist i Mjedisit, ndotja fatmirësisht nuk ka atë ndikim sa për të dëmtuar gjallesat në det. Kjo pasi është përhapur një pjesë e madhe në rërë, ndërsa kjo zonë nuk frekuentohet nga pushuesit vlonjatë. Ai thotë se nëse ndotja do të përhapet në det, situata do të jetë alarmante, pasi autoritetet vendore nuk kanë asnjë pajisje, njerëz apo përvojë në pastrimin e ujërave nga ndotjet hidrokarbure.
“Ndotja, si me orën e Bushit”
Kryeministri Sali Berisha, i ndodhur dje në Vlorë për të inauguruar portin e ri të Petroliferës, u shpreh se u krijua sërish historia e orës së presidentit Bush. “Pak më tej kanë hedhur ca naftë, për të prishur syrin e keq, por ne do t’ua lëmë atyre këto truke dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë vepra si kjo. Le t’u lëmë atyre histori të tilla të turpshme, le t’ia lëmë ato atyre që i stisin”, deklaroi Berisha.