E Diel, 1 Nëntor 2026

BB ndihmë vendeve të Ballkanit për të përballuar krizën

Rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë i ndjeshëm ndaj rritjes ekonomike të Bashkimit Evropian, i cili është partneri i tij tregtar më i madh.

Gjithashtu, ky rajon është i rrezikuar ndaj ndryshimeve të kushteve monetare dhe financiare në vendet evropiane, bankat e të cilave janë poseduesit kryesore të aseteve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Fluksi i remitancave (dërgesave individuale) për Shqipërinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën është sa rreth 10 për qind të PBB-së dhe ai mund të ndikohet thellësisht nga një ngadalësim i rritjes ekonomike të Eurozonës.

Në një mjedis të tillë të rritjes së risqeve të jashtme dhe pasigurive ekonomike, Banka Botërore po rrit financimin e disponueshëm për disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, Ballkanit Perëndimor, Kaukazit dhe për Turqinë. Kjo do të thotë që Banka Botërore tani mund të ofrojë përgjatë dy viteve të ardhshëm (2012 dhe 2013) një mbështetje më të madhe financiare për këto vende nga sa ishte parashikuar në portofolet aktuale të strategjive të partneritetit për këto vende.

Objektivi kryesor i rritjes së portofolit të financimit me kredi për vendet e Ballkanit Perëndimor është që t’i ndihmojë ato të përgatiten dhe t’iu përgjigjen në mënyrë të efektshme goditjeve të jashtme, duke ruajtur fokusin në reformat strukturore dhe rrjetin e sigurisë sociale, të cilat janë shumë të rëndësishme për ruajtjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Në rastin e Shqipërisë, Banka Botërore është angazhuar tashmë me qeverinë në përgatitjen e një kredie për mbështetjen e politikave të zhvillimit që lidhen me qeverisjen dhe konkurrueshmërinë, e cila mund të përdorë financime shtesë për të forcuar programin e reformave ekonomike. Qeveria e Shqipërisë do të jetë gjithashtu në gjendje të përdorë mbështetjen shtesë nga Banka Botërore për të reduktuar dobësitë fiskale dhe për të ruajtur stabilitetin fiskal dhe makroekonimik për vijueshmërinë e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.  
   
Aktualisht, Banka Botërore dhe Qeveria e Shqipërisë janë në fazën fillestare të diskutimit mbi përdorimin e portofolit të rritur të financimit. Një grup ekspertësh të Bankës Botërore do të vizitojë Shqipërinë javën e ardhshme për të diskutuar dhe identifikuar së bashku me partnerët e qeverisë, fushat specifike për zgjerimin e mbështetjes për reformat ekonomike, përgatitjen për goditjet e jashtme, stabilitetin dhe rritjen ekonomike. /Start/

                                                                                             2012-01-06 11:11
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›