E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritjet zinxhir të çmimeve pas rritjes së naftës

Vendimi që hyri në fuqi këtë fillim muaji për rritjen me 8 lekë të taksës mbi karbonin, ka shkaktuar edhe rritjen e naftës për të gjithë shoferët.

Bizneset që do të preken më së shumti janë transporti, prodhimi industrial dhe ai bujqësor, si dhe ndërtimi. Këto janë konsumatorët më të mëdhenj, që janë të lidhur njësisht edhe shtresat e gjera të popullsisë.

"Ky efekt është më i madh tek sektori i transportit, jo vetëm sepse është konsumatori më i madh i karburanteve, por sepse në të njëjtën kohë, rrit koston për prodhimin vendas dhe mallrat e importit. I njëjti efekt do të jepet dhe në transportin publik urban dhe atë privat”, ka thënë Presidenti i Konfindustrisë, Hajredin Fratari.

Përveç sistemit fiskal, si taksa doganore, TVSH-ja dhe akciza, të tjerë faktorë që ndikojnë në rritjen e çmimit të naftës, është edhe kursi i këmbimit dollarë/lekë, apo edhe ndryshimet në bursat ndërkombëtare.

Sipas Fratarit, për ta lehtësuar disi këtë shqetësim do të ishte liberalizimi i tregut hidrokarbureve. “Masat e ndërmarra nga qeveria kanë qenë të domosdoshme, por jo të mjaftueshme”, thotë ai, teksa shton se nxitja e prodhimit në vend, privatizimi sa më shpejt i "Albpetrol-it", nxitja për krijimin e një cikli të mbyllur në prodhimin dhe përpunimin e hidrokarbureve, nxitja e projekteve për linjat e transportit të gazit pa deformuar tregun e lirë, janë disa nga masat që Konfindustria Shqiptare i vlerëson se duhen marrë sa më shpejt nga qeveria.

Fratari e konsideron "të vonuar" Draft-ligjin për energjinë, që po përgatitet në ministrinë e Ekonomisë në lidhje me "incetivat " që duhen marrë, si në vendet e Bashkimit Europian për burimet alternative të energjisë. "Ky draft është i vonuar dhe duhet të përgatitet sa me shpejt”, thotë ai. /Start/

                                                                                             2012-01-06 15:31
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›