E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB presion qeverisë: Rrisni çmimin e dritave në verë

• Edhe pse çmimi i energjisë për këtë vit është rritur, Banka Botërore shprehet e pakënaqur me tarifat e reja.

Fabiola Çela

Madje sipas tyre, çmimi i energjisë duhet të rritet dhe ky vendim duhet të merret brenda këtij viti. Kështu është shprehur dje në një deklaratë të dhënë për “Zëri i Amerikës”, Camille Nuamah, përfaqësuesja e Bankës Botërore. Të njëjtin mendim me BB, ka edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Rritja e çmimit u vonua me dy muaj dhe kështu Shqipëria humbi si të thuash një mundësi për të marrë burime për importet apo për prodhimin e saj në muaj të rëndësishëm, janar dhe shkurt”, ka thënë përfaqësuesja e BB-së. Ajo theksoi se “Banka Botërore mendon se, kjo rritje çmimi nuk do të jetë e mjaftueshme dhe kjo është arsyeja që ne dhe FMN-ja po e inkurajojmë qeverinë për një tjetër rritje çmimi. Koha e kësaj rritjeje do të varet nga llogaritjet, pasi nëse ka më shumë prodhim vendas të energjisë, do të ketë më pak nevojë për import. Një faktor tjetër do të jetë aftësia e KESH-it për të grumbulluar të ardhura nga faturimet”. Por nga ana tjetër rritja e çmimit të energjisë dy herë brenda vitit ka një efekt goxha negativ për shtresat e varfra. Kjo pasi kjo kategori familjesh nuk disponon të ardhurat e mjaftueshme për të përballuar këtë rritje çmimi. Por sipas përfaqësues të BB-së, për këto shtresa duhet të mendojë qeveria, me anë të subvencionimit. “Banka Botërore mendon se ka nevojë serioze për të ndërhyrë në këto politika, në mënyrë që mbështetja të mos jepet për gjithë klasën e mesme në përgjithësi, pasi kjo do të rriste kërkesën dhe për rrjedhojë do të çonte në rritjen e inflacionit. Duhet të kushtohet vëmendje që subvencionet që do të jepen për energjinë dhe rritja e pensioneve, që është një pjesë e rëndësishme e zbutjes së varfërisë në Shqipëri, të jepen për të varfrit.”
Inflacioni
Kriza e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, pritet të japë efektin e saj negativ edhe në tregun vendas. Ngadalësimi i rritjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, duket se do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare. Paqëndrueshmëria në tregjet financiare po sjell një pakësim dhe shtrenjtim të kreditimit ndërkombëtar. Për një vend si Shqipëria, thotë përfaqësuesja e Bankës Botërore, ku një pjesë e rritjes në tregun e kredive është mbështetur në të ardhurat nga jashtë, kjo situatë mund të sjellë zvogëlim të tregut të kreditimit, që ndihmon në nxitjen e rritjes ekonomike. “Këshilla jonë ndaj qeverisë është vëzhgimi më i kujdesshëm i bankave, për të parë më mirë investimet e tyre në Shqipëri dhe për të shtuar vigjilencën për aktivitetin huadhënës të bankave”, ka thënë në deklaratën e saj përfaqësuesja e BB-së në Shqipëri. Rritja e çmimeve të mallrave ushqimore dhe të energjisë, po shkakton rritje të inflacionit, duke bërë të nevojshme politika më të forta monetare dhe fiskale. “Nga ana e qeverisë kemi parë se, me marrëveshjen e fundit të arritur me FMN-në, ajo është tërhequr nga disa politika fiskale që ishin planifikuar për 2008-ën, në mënyrë që të ngushtohet deficiti buxhetor nga 7 presje 9 për qind, në 5 presje 2 për qind. Dhe ky është një fillim i mirë”, ka theksuar Nuamah . 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›