E Shtunë, 31 Tetor 2026

Institucionet në provë

• Zef Preçi

Nuk ka dyshim se muajt e fundit po përjetojmë një vorbull politike të krijuar nga guximi i dy partive politike më të mëdha, për të nxjerrë nga loja demokratike ...me anën e një dekreti kushtetutshmërisht të diskutueshëm më shumë se gjysmën e anëtarëve të Kuvendit dhe efektet jo saktësisht të parashikueshme të ndryshimit të sistemit zgjedhor edhe për vetë ato. Nga ana tjetër, tragjedia e Gërdecit dhe pasojat e saj të shoqëruara me përpjekjet e stërmundimshme të kreut të ekzekutivit “për të lëvizur gjithçka, duke mos lëvizur asgjë”, duke u fokusuar në gjetjen e ndonjë “gome shpëtimi” për mbijetesën e vet politike mbi një maxhorancë që ka humbur tashmë kredon morale të konsiderohet më si e tillë, duket se e kanë trullosur edhe më shumë qytetarin shqiptar. Duket se “mbështetja për reforma” e opozitës po e kryen këtë shërbim ndaj pushtetit të radhës, edhe pse mund të çojë përkohësisht në një imazh disi më të përmirësuar të vendit. Eshtë vështirë të besohet se duke ndryshuar Kodin Elektoral sa herë që qytetarët përgatiten t’u drejtohen kutive të votimit, mund të shmanget “kapja e shtetit” nga bizneset e mëdha që duan përfaqësim polik dhe mbrojtje nga ndëshkimi i ligjit, ruajtje të pozitave monopoliste dhe oligopoliste të tyre në treg, tenderë publikë, prokurime e koncesione shtetërore gjithfarësh etj. Po aq e vështirë është të mendosh se pas këtyre ndryshimeve (nëse do të bëhen), politika nuk do të vazhdojë të ushqejë dhe të ushqehet nga paratë e pista të vjedhjes së taksave, shitjes së trojeve publike dhe lejeve të ndërtimit, shitjes së arsenalit të trashëguar nga periudha komuniste, trafiqeve të narkotikëve dhe qenieve njerëzore etj. Tragjedia e Gërdecit ka vënë në provë jo vetëm shkallën e konsolidimit të institucioneve të ekonomisë së tregut dhe të shoqërisë së lirë që kemi ndërtuar në afro dy dekada, por edhe ndërgjegjen tonë civile, përgjegjshmërinë tonë qytetare mbi fatin e përbashkët.
Nuk mendoj se duhet parë me habi dhe dyshim reagimi i parë i drejtpërdrejtë i Presidentit Topi në lidhje me ndryshimet kushtetuese të shpallura disi çuditërisht dhe me shpejtësi marramendëse nga maxhoranca, që e zgjodhi në krye të shtetit gati një vit më parë. Sipas mendimit tim, ky reagim përmbledh një sërë reagimesh të dukshme dhe të padukshme për publikun, por që lidhen sa me profilin politik të z.Topi, aq edhe me detyrën e lartë kushtetuese që mban, të cilat po i analizojmë në vijim.
Së pari, për publikun e gjerë, ky reagim, përtej tonit të matur prej politikani profesionist të Presidentit Topi, dëshmon se paqja institucionale midis tij dhe kreut të ekzekutivit nuk do të jetë e pafundme, njëngjyrëshe, sikurse ishte përfytyruar në momentin e ardhjes së tij në atë post. Kjo duhet parë si një shenjë e mirë, sepse në demokraci nga shkalla e balancimit të pushteteve, varet jo vetëm performanca e institucioneve, por edhe funksionimi i drejtësisë, respektimi i të drejtave bazë të njeriut etj. Në kushtet konkrete, një paqe “e prishur” midis tyre në emër të ligjit të jep shpresë për frenimin disi të politizimit të drejtësisë dhe vënies së saj plotësisht nën thundrën e ekzekutivit, që u shfaq dukshëm me ardhjen në pushtet të maxhorancës aktuale.
Së dyti, me intuitën e njërit ndër politikanët më të spikatur të periudhës post-komuniste, Presidenti Topi nuk mund të mos jetë koshient mbi defektet, mangësitë, abuzimin me postin, shkeljet e ligjit dhe rreziqet që paraqet për vendin qeverisja e keqe e sotme dhe degjenerimi e braktisja prej saj e objektivave programore politiko-qeverisëse të promovuar gjerësisht edhe prej atij vetë. Edhe në prononcime të mëparshme, duke mos qenë kaq i drejtpërdrejtë, ai ka përcjellë në publik mesazhe të fuqishme mbi çështjen e pronave, përmirësimit të performancës së drejtësisë etj.
Së treti, avantazhet që i krijon Presidentit Topi qenia në krye të piramidës shtetërore, nuk mund të mos shërbejnë edhe si një nxitje e fuqishme ndaj tij për të ndërhyrë brenda kuadrit kushtetues të shtetit, duke përdorur ato mekanizma modeste institucionale të ndikimit pozitiv mbi veprimtarinë e ekzekutivit, ushtrisë etj., pa folur për rolin dhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të tij mbi drejtësinë. Të gjithëve na kujtohen sulmet e përsëritura politike të kreut aktual të ekzekutivit mbi ish-Presidentin Moisiu, si “kryeministër i qeverisë së drejtësisë” (kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë). Tashti, në këtë cilësi, Presidenti Topi nuk mund të evitojë marrjen e përgjegjësive para Kushtetutës mbi të cilën është betuar, para Kuvendit të Shqipërisë që i dha besimin, para qytetarëve shqiptarë, të cilët presin me padurim që drejtësia të japë drejtësi për ta, por edhe para ndërkombëtarëve që presin që vendi ynë të arrijë standardet e një vendi normal, pjesëtar i familjes evropiane. E pikërisht tani, segmente të caktuara të maxhorancës me bekimin e një pjese të opozitës, nxitojnë të propozojnë ndryshime në Kushtetutën e Republikës që zhbalancojnë dukshëm pushtetet, duke përfshirë edhe “zbehjen” e rolin e Presidentit dhe të “qeverisë së drejtësisë” të drejtuar prej tij, d.m.th duke përqendruar pushtetin plotësisht në duart e kreut të ekzekutivit. “Çështjet e prekjes së Kushtetutës nuk mund të jenë kaq sipërfaqësore. Unë jam presidenti i vendit dhe garanti institucional dhe moral i dokumentit themelor mbi të cilin ngrihet e gjithë jeta e institucioneve shqiptare”, tha dje Presidenti Topi në një prononcim në televizionin kombëtar “Top Channel”. Sipas mendimit tim, ky reagim i djeshëm i Presidentit Topi duhet parë edhe si një thirrje për maturi dhe paralajmërim mbi rreziqet që paraqet zhbalancimi i pushteteve dhe jo fati i tij personal në krye të shtetit.
Së katërti, edhe pse periudha e qeverisjes së vendit nën një regjim demokratik është e shkurtër, ajo ka mundësuar të krijohen disa profile politike të kreut të shtetit. Ato fillojnë me presidentin autokratik (Berisha) vazhdojnë me presidentin që në zbatim të ligjit shkëputi lidhjet me partinë që e mandatoi (Meidani) e mbarojnë me presidentin jashtë partive (Moisiu). Ndërsa Presidenti Topi, jo aq për shkak të mbështetjes së gjerë që gëzon edhe jashtë forcës së vet politike, me ose nën nxitjen e përpjekjeve për t’i ngushtuar pjesën e tij të pushtetit, është në provën e marrjes së riskut t’u provojë shqiptarëve, se falë intuitës dhe përvojës së suksesshme personale politike, do të ngrihet mbi parcelën partiake në emër të shtetit dhe të legjimitetit të funksionimit të tij. Kështu do të mund të krijojë edhe profilin e tij politik, të ndryshëm nga paraardhësit në krye të piramidës shtetërore shqiptare.
Pavarësisht debatit të natyrshëm për reformën zgjedhore dhe nxitimit të rrezikshëm për ndryshime kushtetuese përtej aspekteve bazë të asaj reforme, një gjë është e qartë: Gërdeci me viktimat dhe dëmet e tij jo vetëm dëshmon sa larg jemi qenies një vend që qeveriset normalisht duke aspiruar për të qenë pjesë e Evropës, por është njëkohësisht edhe një apel për ruajtjen e shtetit nga pushtimi, që “de facto” i kanë bërë atij korrupsioni politik dhe krimi i organizuar. Nuk duhet të jesh jurist për të kuptuar se kuadri ligjor i miratuar me shpejtësi, që mundësoi kalimin në duart e Delijorgjëve të monopolit shtetëror të shitjes së stoqeve të armatimeve, është prova e përpjekjeve për pushtimin edhe “de jure” të tij. Tragjedia e Gërdecit u bë publike (aq sa është bërë deri më tani), sepse pati një shpërthim të tmerrshëm dhe shkaktoi viktima të pafajshme civile, por askush nuk mund të mohojë se “Gërdecë” të tjerë “flenë” nën mbrojtjen politike, për të shpërthyer një kohë tjetër në dëm të jetës, të mirëqenies dhe të pronës publike e asaj të qytetarëve të vendit. “Vendi gjendet në një moment politik amatoresk, që frymëzohet nga përpjekjet e çastit dhe kjo e bën klimën të rënduar, sidomos kur ka tendenca për të dominuar mbi pushtetet”, shtoi dje Presidenti Topi në prononcimin e cituar më lart.
Gërdeci është kështu një apel për një proces publik e politik të “duarve të pastra”, për të ndëshkuar shkelësit e ligjit në tërë piramidën shtetërore. E në këtë vorbull, roli i Presidentit Topi në krye të shtetit dhe të drejtësisë është i padiskutueshëm: qytetarët presin prej tij të ndërmarrë hapat e nevojshme që i japin mbështetje politike e institucionale organit të akuzës për fillimin e ndëshkimit. D.m.th, Presidenti Topi është në provën më të madhe të mandatit të tij presidencial, në provë janë institucionet e vendit, në provë është gjithë shoqëria e sotme shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›