E Shtunë, 31 Tetor 2026

Himara, PS kërkon Bashën të raportojë në Parlament

• Opozita kërkon raportim në Parlament mbi ngjarjen e Himarës dhe vizitën e zv.ministrit grek, Kasimas. Incidenti i Himarës pritet të jetë temë e diskutimeve në Kuvendin e Shqipërisë dhe komisionet e saj.

BLEDAR HOTI

Incidenti i ndodhur në Himarë me banorët e zonës dhe policisë, ka shkaktuar debate të ashpra në kampet e politikës shqiptare. Gjithashtu Partia Socialiste kërkon që kryediplomati shqiptar të raportojë dhe në lidhje me vizitën e zv.ministrit grek, Kasimas, i cili ka përdorur në disa raste shprehjen zona minoritare në zona të thella të jugut të vendit. Këtë kërkesë e bëri publike dje anëtarja e këtij komisioni, socialistja Arta Dade. “Duhet kërkuar një informacion më i plotë rreth vizitës së zv.ministrit grek, i kam kërkuar përmes kryetarit të komisionit zotit Zogaj, që të kontaktonte me ministrin Basha dhe të vinte sot në Kuvend për të raportuar, në mënyrë që të kishim një informacion më të qartë se çfarë ka ndodhur”, deklaroi Dade. Ajo thekson se incidenti i ndodhur në Himarë në prag të vizitës së zv.ministrit grek, është i përsëritur disa herë më parë dhe se shteti duhet të funksionojë duke ushtruar të gjitha kompetencat. Socialistët gjithashtu kërkojnë që të mbahet qëndrim dhe në lidhje me deklaratat e shpeshta të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, në lidhje me minoritetin grek. Incidenti i ndodhur dhe deklaratat e Bollanos janë shoqëruar me reagime dhe nga anëtarët e tjerë të Komisionit të Politikës së Jashtme. Kreu i Bashkimit Liberal Demokrat, Arian Starova, kërkon që Prokuroria të hetojë mbi Bollanon. “Kryeministri dhe presidenti i vendit e dinë mirë se kur shkelet Kushtetuta e vendit, ndaj Bollano nuk mund të jetë më kryetar bashkie kur shkel ligjin themeltar të shtetit”, deklaroi Starova. Ndërsa Dade ka shprehur rezerva dhe ndaj PBDNJ-së, si një parti që ka propozuar Bollanon në këtë post të drejtimit të Bashkisë së Himarës. “Është në mënyrë të përsëritur që zoti Bollano shkel praktikisht ligjet e shtetit shqiptar, madje dhe Kushtetutën, e besoj se ka shumë kohë që në Parlament për rastin e parë të zotit Bollano, u kërkua që kryeministri të ndërhynte konform pushtetit dhe kompetencave që i jep ligji. Nuk dua t’i zmadhoj t’i jap përmasa të mëdha për ato që flet një zyrtar, e në rastin konkret për zotin Bollano, duke iu referuar më pas partisë që përfaqëson interesat e minoritetit, kanë pretenduar gjithmonë që përfaqësojnë dhe minoritete të tjera, dhe për fat të keq janë të përfshirë rëndom dhe në incidentet e tjera që ndodhin vetëm me ata që i quajnë vetëm pjesëtarë të minoritetit grek”, thekson Dade. Ndërsa në Parlament, në seancën e dy ditëve më parë, i vetmi deputet që ka reaguar në sallë ndaj ngjarjeve të Himarës ka qenë Spartak Ngjela. Deputeti i djathtë kërkoi publikisht ndjekje penale për Bollanon, pasi ka fyer ligjet e shtetit shqiptar dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. “Zoti President, ju duhet t’i kërkoni menjëherë Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë procesin penal kundër kryetarit të Bashkisë së Himarës, sepse ka dhunuar Kushtetutën dhe ka fyer popullin shqiptar, madje jo vetëm kaq, por ka marrë pjesë në një tubim ku ka thirrur ‘jashtë shqiptarët nga Shqipëria’. Kërkoj të vihet në vend nderi i shqiptarëve”, theksoi Ngjela. Gjithashtu avokat Ngjela akuzoi Bollanon si pengues të investimeve në Himarë. “Jam interesuar për këtë çështje, kryetari i bashkisë bllokon qëllimisht investimet. Le ta dijë dhe kjo parti që e mbron, PBDNJ, se ai e cilëson Skënderbeun, heroin tonë kombëtar me emrin Jorgos. Si ka mundësi që ai fyen e ndryshon historinë e kombit tonë, ku në faqen e internetit të bashkisë cilësohet në këtë mënyrë. Ne nuk do të lejojmë njeri të tallet me simbolet tona”, u shpreh Ngjela.

Kasimis: Shkolla greke e pensione dhe në Nart

Greqia do të realizojë botimin e librave në gjuhën greke, në mënyrë që arsimi i tyre të bëhen jo në gjuhën shqipe. Këtë e ka bërë publike, Ministria e Punëve të Jashtme greke pas vizitës së numrit dy të këtij dikasteri, Teodor Kasimis. Vizita e Kasimis nëpër territorin shqiptar ka prekur një sipërfaqe të gjerë, saqë të bën kujtosh se shteti fqinj vazhdon të punojë për Epirin e Veriut, (Vorioepiri). Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke Kasimis ka kryer vizita në fshatrat e minoritetit grek të Shqipërisë si Nartën, Himarën, Sarandën, Livadhian, Mosopotamin, Gjirokastrën, Derviçanin dhe Korçën. Njoftimi thekson se, në të gjitha ndalesat e tij gjatë këtij turi, zoti Kasimis takoi kryekomunarët dhe prefektët e këtyre zonave, kryetarët lokalë të shoqatës “Omonia”, mësuesit e shkollave greke dhe vizitoi shkollat greke në Nartë, Himarë, Mosopotam, Dervician dhe në Korçë. “Në të gjitha takimet, zoti Kasimi përsëriti nevojën e bashkimit dhe të strategjisë së kthimit në tokën e të parëve të të rinjve për një të ardhme më të mirë të minoritetit grek. Në takimet që zhvilloi me shoqatat lokale të “Omonia”-s dhe me drejtuesit qendrorë të saj në Himarë, zv. ministri grek ftoi të gjithë anëtarët e minoritetit grek të bashkojnë fuqitë e tyre në unison, duke lënë pas problemet e së shkuarës”, thuhet në njoftimin për shtyp të MPJ-së greke. Gjithashtu ai theksoi nevojën e ndërtimit të institucioneve moderne për të qenë një zë i fuqishëm në shoqërinë shqiptare. “Duhet të kemi një fuqi të madhe këtu dhe jo të shpërndahemi në grupe të ndryshme”, ka thënë Kasimi, duke kërkuar kontributin e të gjithëve për arritjen e këtij qëllimi, pasi shteti grek do të jetë pranë tyre me të gjitha mjetet që mundet, duke përfshirë përmirësimin e jetës dhe duke përforcuar arsimin. Gjithashtu ai ka premtuar edhe për pensione të veçanta në këto zona. Njoftim i MPJ-së greke shton se, “Kasimis shpjegoi se çështjet praktike, si librezat shëndetësore dhe pensionet agrare, do të marrin zgjidhje shumë shpejt”.                              b.h

Zogaj: Po hetohet ngjarja

Komisioni parlamentar i Jashtëm do të jetë në pritje të zhvillimeve të hetimeve për ngjarjen e Himarës. Kryekomisioneri Preç Zogaj ka deklaruar, se në lidhje me ngjarjen në Himarë po hetohet. “Po hetohet për incidentin që ka ndodhur në Himarë dhe ne besojmë se hetimi do të nxjerrë dhe përgjegjësitë e kujtdo qofshin dhe mbi bazën e hetimit do të përcaktohen dhe qëndrimet”, deklaroi Zogaj. Për ngjarjen e ndodhur, deputeti i PD-së shprehet se, “ngjarja mund të ketë ndodhur nga gjendja ekonomike dhe vështirësitë që kanë atje, disa mendojnë se bashkia dhe kryetari i Himarës e bllokojnë këtë investim. Nëse pushteti lokal refuzon ose nuk do për arsye të ëndrrave që mund të ketë ndonjë aty dhe nuk paraqet asnjë projekt, kjo është në dëm të banorëve”, thekson Zogaj. Sipas tij, në të gjitha rastet është bashkia që i kërkon qeverisë për të investuar, sipas projekteve të caktuara, ku strukturat e pushtetit vendor duhet të bëjnë lobingje për t’i realizuar. “Në rast se nuk realizohet kjo skemë, atëherë duhet të gjejmë mënyrën për të investuar në zonën e Himarës, pra që të ketë më shumë investime”, thekson Zogaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›