E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ndryshimet në Kushtetutë, jo për interesa personale”

• Ndryshimet që duhet të bëhen në Kushtetutë nuk duhet t’u shërbejnë interesave të veçanta, por ato duhet të mendohen mirë dhe të konsultohen gjerësisht. Presidenti Bamir Topi reagon ashpër pas paraqitjes së draftit të PD-së, në një pikë të së cilit (tashmë i hequr) kërkohej pikërisht kufizimi i kompetencave të tij.

SOKOL BALLA

Në një intervistë në “Top Channel”, Topi thotë se nuk ka pasur asnjë konsultim për këto ndryshime.
Zoti President, javët e fundit është thelluar, le të themi debati politik lidhur me ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Partia Demokratike dhe natyrisht deri diku, të miratuara edhe nga Partia Socialiste, por që kanë ngjallur debat qoftë brenda kampit të majtë, qoftë brenda kampit të djathtë për shumë arsye. Ju si i shikoni këto kërkesa të vazhdueshme, thuajse periodike për këto ndryshime kaq të shpeshta të Kushtetutës?
Së pari, do të thosha që ka pasur një ndryshim në axhendën e partive politike për çështjen e prekjes së Kushtetutës. Pra, kemi pasur prej muajsh në diskutim çështjet e reformës zgjedhore, e mirëpritur për t’u realizuar sa më shpejt, por ditët e fundit i është shtuar kësaj axhende edhe një propozim për ndryshimet kushtetuese përsa i përket çështjes së mandatit të Presidentit, kompetencave të tij. U fut një propozim për ndryshimin e nenit 93 për nevojën e kundërfirmosjes së dekreteve, një çështje që kishte të bënte me KQZ-në dhe me Prokurorinë. Unë në parim, do të thosha që çështjet e prekjes së Kushtetutës nuk mund të jenë çështje të karakterit sipërfaqësor. Unë sot flas me një cilësi tjetër, jam President i Republikës dhe kuptohet që jam garanti institucional dhe garanti moral i ruajtjes së këtij dokumenti themeltar, që është dokumenti bazal mbi të cilin ngrihet e gjithë jeta institucionale e institucioneve shqiptare. Ajo që të bën përshtypje është se në këtë debat të improvizuar nuk ka pasur asnjë lloj konsultimi, në radhë të parë me njerëzit të cilët janë marrë me këtë Kushtetutë, njerëzit që kanë një eksperiencë politike në radhë të parë konstitucionale, por edhe me njerëzit e ligjit që janë profesionistë. Kuptohet, që të prekësh Kushtetutën duhet patjetër që t’i referohesh frymës apo klimës në të cilën është realizuar ajo Kushtetutë, pra ka pasur një referendum, ka qenë referendumi i nëntorit të vitit 1998, pra ta prekësh në mënyrë kaq frekuente, do të thotë të mos jesh serioz, pikërisht në ruajtjen e këtij dokumenti themeltar të shtetit, aq më shumë kur ka disa propozime “ex tempora” të çastit, që krijojnë një lloj pështjellimi, fusin në një debat të panevojshëm jo vetëm politikën, por edhe institucionet. Tregojnë patjetër një mungesë serioziteti, duket sikur jemi pikërisht në caqet e një politike amatoreske, që frymëzohet nga emocionet e çastit dhe kuptohet kjo e bën klimën më të rënduar dhe aq më shumë pastaj, kur disa tendenca për të dominuar pushtete të stabilizuara, tregojnë që këto mentalitete nuk mund të jenë kurrë mentalitete perëndimore, por tregojnë një lloj rrëshqitjeje në mentalitetet e vjetra ballkanike, të cilat ne dita-ditës po mundohemi t’i shmangim në frymën e integrimit euro-atlantik.
Zoti President, kërkesa për ndryshimet, pikërisht të këtyre kompetencave erdhi nga e djathta. A janë konsultuar me ju përpara se të bëheshin publike këto lloj propozimesh? Kur them me ju flas për ju si Bamir Topi, si njeri politik dhe si President i Republikës.
Unë mendoj që konsulta, jo vetëm që nuk është realizuar, por mendoj që kjo konsultë nuk ka nevojë të bëhet në mënyrë ekskluzive me Presidentin. Unë nga ajo që kam parë dhe nga informacionet që kam marrë, këto kanë qenë propozime të futura në mënyrë shumë të pabazuar në procedura, çka do të thotë që me këtë dokument kaq të rëndësishëm nuk kanë qenë të konsultuar as njerëzit e grupit parlamentar të Partisë Demokratike nga ka ardhur ky propozim. Pastaj mendoj që për çështje kaq të rëndësishme patjetër që duhej të konsultohej Institucioni i Presidentit, por edhe të gjitha partitë politike, sepse kanë qenë të befasuar me aq sa unë kam parë dhe kam marrë informacion edhe aktorë të rëndësishëm të jetës politike, të jetës institucionale politike, por edhe mjaft protagonistë të jetës profesionale, konstitucionalistë, çka e bëjnë këtë një element vërtet për t’u shqetësuar.
Zoti President, në fakt ideja që të mos kishte vetëm ndryshime që kishte të bënin vetëm me reformën zgjedhore, apo atë në drejtësi është pak e hershme, pra nuk është e këtyre dy tre javëve të fundit. Ka qarkulluar gjithmonë paksa në “underground”, sidomos në krahun e djathë pas zgjedhjes suaj si President kuptohet. Pyetja ime është e drejtpërdrejtë, përse kërkohen të bëhen këto ndryshime zoti President?
Jo, nuk mund të them arsyen se përse është marrë kjo iniciativë, por unë e trajtova dhe vazhdoj ta trajtoj çështjen në parim. Çështja e ndryshimeve kushtetuese patjetër duhet të jenë pjesë e një konsultimi të gjerë, duhet të jetë një proces mjaft i matur dhe i sigurt. Unë nuk po them që nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese, por këto ndryshime kushtetuese nuk mund të bëhen si ndryshime të çastit, sipas vullneteve të çastit, por duhet të jenë gjëra shumë të maturuara, në mënyrë që kur të futemi për të prekur Kushtetutën, të futemi për ta prekur në mënyrë të kujdesshme, për çështje substanciale dhe nuk mund të ndërhyjmë në mënyrë frekuente. Vitin e kaluar ndërhymë, sot po ndërhyjmë, do të vijë puna që për interesa ndoshta edhe të ngushta të individëve të caktuar mund të kërkohet që të ndërhyhet prapë. Unë mendoj se duhet të jemi mjaft seriozë në këtë proces.
Zoti President, ka një tërheqje për sa i përket nenit 93, megjithatë ideja e ndryshimeve kushtetuese vazhdon dhe deri diku mbështetet dhe nga partia kryesore e grupimit të majtë. Çfarë do të bëjë Presidenti i Republikës, le të themi në rast se këto nisma konkretizohen dhe pa konsultuar qoftë faktorë, konstitucionalistë, juristë, politikanë, apo institucione publike dhe kushtetuese, këto nisma kthehen në aksione politike, çfarë do të bëjë Presidenti i Republikës, në rast se ato vazhdojnë të jenë kundër thelbit siç ju sapo e thatë?
Unë mendoj që të diskutosh sot për ndryshimet kushtetuese, për çështje të reformës zgjedhore, do të thotë që të jesh në përfundim të një procesi që ka filluar kohë më parë, pra të gjithë kemi qenë të përgatitur për këtë proces. Jua thashë dhe e përsëris që ne mezi presim që ndryshimet e paralajmëruara, që janë pjesë edhe e angazhimit për plotësimin e reformës zgjedhore të realizohen. Nuk jam kundër propozimeve edhe për ndryshime të tjera. Edhe një herë e ritheksoj, jam që gjithë këto çështje të mos bëhen në mënyrë spontane, me amatorizëm politik dhe procedural dhe mbi të gjitha të mos jenë pjesë e ekspozimit të interesave të veçanta, që nuk janë pjesë e interesit të shoqërisë dhe e partive politike në përgjithësi. Kështu që unë jam i hapur që të bashkëpunoj si Institucion Presidenti për të gjitha ato ndryshime kushtetuese, që do të jenë në funksion të reformave të vendit.
Zoti President, më duket pak si “déja vu” kjo situatë e krijuar. Në fakt edhe paraardhësit tuaj në përgjithësi, por ai i fundit në veçanti është ankuar edhe publikisht që institucione të tjera kërkonin të mbivendosnin, ose të anashkalonin Institucionin e Presidentit. A jemi sërish në këtë lloj situate zoti Topi dhe a ka rrezik që të kthehet ky debat në një krizë institucionale?
Unë besoj që tërheqja e atij propozimi që ka të bëjë me ndryshimin e nenit 93, presupozon që propozuesit ose të diktuar nga hapja e një debati publik ku të gjithë ishin kundër, ose për shkak të qëllimeve taktike, tashmë janë të tërhequr dhe unë nuk kam nevojë t’i bëj ndonjë koment eksplicit nenit 93. Edhe një herë rishpreh shqetësimin tim për çështje parimore që kanë të bëjnë me dokumentin themeltar, Kushtetutën. Nëse ndryshimet kushtetuese janë të menduara mirë, janë të sinkronizuara me vullnetin e të gjitha partive politike, bëhen pjesë e një debati të rëndësishëm, maturohet si proces dhe mbi të gjitha bëhet transparent për njerëzit, me pjesëmarrjen patjetër edhe të profesionistëve, konstitucionalistëve, atëherë jemi në një proces të mirëseardhur ku të gjithë kërkojmë që ndryshimet kushtetuese të jenë në funksion të realizimit të atyre premtimeve për reformat. Përndryshe, tentativa të segmentuara që janë të pabazuara, janë më shumë pjesë e një aksioni të dështuar që në mënyrë absolute nuk u bën mirë propozuesve, apo njerëzve që kanë harruar që interesat madhore janë të mishëruara pikërisht tek Kushtetuta.
Kushdo që të jenë ata dhe sado lart që të jenë?
Cilitdo, jam duke folur në parim thellësisht për principe dhe aspak për emra të caktuar njerëzish.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›