E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoni: “Akti Normativ për ushtarakët bie në kundërshtim me Kushtetuesen”



Eljona Ballhysa
Deputeti socialist, Ilir Gjoni, e cilëson të jashtëligjshëm Aktin Normativ për pensionet e ushtarakëve. Sipas Gjonit, ky akt nuk është i justifikuar ligjërisht dhe për më tepër bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas deputetit socialist, Akti Normativ i qeverisë cenon të drejtat ekonomike të shtresës së ushtarakëve. Ai e akuzon ministrin e Financave, Ridvan Bode, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, për shkelje të vendimeve të institucioneve të pavarura, në rastin konkret të Gjykatës Kushtetuese. Vetëm pak ditë më parë, Akti Normativ për sigurimin suplementar të ushtarakëve u miratua me votat e PD-së në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Në këtë projektligj parashikohet që llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të bëhet mbi pagën mesatare referuese neto të çastit kur një përfitues merr pension. Në këtë mënyrë, përfitimi nga pensioni përllogaritet si pjesë e përfitimit faktik mujor nga puna dhe teorikisht nuk mund të jetë më i madh se paga neto që një ushtarak apo punonjës policie merrte gjatë kohës kur ishte në punë.
Kundërshtimi
Deputeti socialist Ilir Gjoni, duke u shprehur kundër këtij projekti, akuzon qeverinë për shkelje ligjore. “Jam këtu për të denoncuar një krim të shumëfishtë institucional e ligjor që qeveria po përpiqet të realizojë në dëm të interesave të ushtarakëve shqiptare. Ajo çka po ndodh këto ditë, ku qeveria, përmes një akti normativ të pajustifikuar ligjërisht, për shkak se aktet normative mund të nxirren vetëm në situata të jashtëzakonshme, flet qartë për mungesën e kujdesit që qeveria e Sali Berishës tregon ndaj kësaj shtrese të nderuar të shoqërisë shqiptare. Përmes Aktit Normativ, Sali Berisha jo vetëm që cenon të drejtat ekonomike të kësaj shtrese, e cila i ka fituar ato me mund e sakrifica, por edhe të drejtat e tyre ligjore të fituara me vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke u mohuar një të drejtë themelore, siç është e drejta e të jetuarit me dinjitet”, - është shprehur Gjoni. Më tej ai ka akuzuar ministrin Bode për shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Racionalja e këtij qëndrimi u shpreh në seancën e fundit të Kuvendit përmes gojës së ministrit të Financave, i cili deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është jologjik dhe, për rrjedhojë, nuk do të zbatohet. Me këtë veprim të qeverisë thellohet akoma më tej ajo çka edhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë theksuar në raportin më të fundit të BE-së, pikërisht mungesën e shtetit ligjor, pandëshkueshmërisë dhe mospërfilljen e ligjeve dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Në këtë tentativë antikushtetuese është përfshirë edhe Kuvendi i Shqipërisë, i orkestruar nga Jozefina Topalli, personi i shënjestruar direkt nga opinioni i BE-së si personi që e ka vënë Kuvendin e Shqipërisë në funksion të Sali Berishës dhe kësaj maxhorance të ardhur në pushtet me vota të vjedhura”, - është shprehur Gjoni. Sipas tij, drejtuesit demokratë të komisioneve të përhershme parlamentare kanë shkelur Rregulloren e Kuvendit duke mos iu përgjigjur kërkesës së opozitës për të ftuar në diskutimin e këtij akti përfaqësues të grupeve të interesit. “Refuzimi nga ana e komisioneve kuvendore të drejtuara nga përfaqësues të PD-së për të thirrur në seancë dëgjimore grupet e interesit kur është debatuar për këtë akt normativ, është një shkelje e pastër e Rregullores së Kuvendit, një mohim i të drejtave të deputetëve dhe, për më shumë, mohim i të drejtës së grupeve të interesit, në këtë rast ushtarakëve, për të dhënë mendimet e tyre. Partia Socialiste e Shqipërisë i garanton të gjithë ushtarakët e ish-ushtarakët se ajo do të bëjë maksimumin e saj në mbrojtje të interesave të tyre, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat demokratike. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shoqatave të ushtarakëve që të protestojnë ndaj kësaj padrejtësie politike e juridike dhe të refuzojnë të pranojnë çdo thërrime që qeveria përpiqet t’u japë duke kërkuar me ngulm të drejtat e tyre”, - ka përfunduar deklaratën e tij deputeti socialist Ilir Gjoni.

Partia Demokratike mbushi dje 20 vjeç

Partia më e madhe e maxhorancës, Partia Demokratike, mbushi dje 20 vjeç. PD-ja është e para parti opozitare që u krijua në 12 dhjetorin e vitit 1990, pasi studentët morën nga Ramiz Alia, gjatë takimit të 11 dhjetorit, premtimin e pluralizmit. Studentë që prej ditësh ishin në protesta dhe pedagogët që iu bashkuan kësaj lëvizjeje në datën 12 dhjetor vendosën që emri i partisë do të ishte Partia Demokratike dhe krijimi i saj u shpall në Qytetin Studenti në një miting që u mbajt po këtë ditë në orën 16:00. Në datat 14-15-16 dhjetor u hartua dhe u përfundua statuti dhe më datën 17, kur edhe doli dekreti për lejimin e partive të tjera politike, u dorëzuan dokumentet pranë Ministrisë së Drejtësisë, ku si anëtarë themelues të PD-së figuronin 285 firmëtarë. Legalizimi i Partisë Demokratike u bë më 19 dhjetor, një lajm që i gjeti themeluesit në Qytetin Studenti dhe që u festua me një miting në sheshin me emrin “Demokracia”.

Berisha viziton në Maternitetin e Lezhës 21-vjeçaren nga Velipoja

Kryeministri Berisha, së bashku me bashkëshorten, Liri Berisha, vizituan dje në Maternitetin e Lezhës 21-vjeçaren Violeta Marku nga Velipoja, që një natë më parë solli në jetë një djalë, ndërsa është transportuar me varkë për shkak të përmbytjes së zonës. Duke i uruar jetë të gjatë dhe lumtur djalit të sapolindur të familjes Marku, kryeministri Berisha shprehu mirënjohje dhe falënderoi ekipin mjekësor, i cili mesnatën e së shtunës dhe në një terren jashtëzakonisht të vështirë, ia doli të arrijë në këtë familje, të asistojë në lindje dhe të shpëtojë jetën e nënës e të foshnjës. “Violetës dhe djalit të saj dua t’u uroj jetë të gjatë, shëndet, gëzime, të rritet i lumtur, me prindërit dhe gjithë familjen e tij. Mirënjohje shumë të madhe dua t’i shpreh ekipit mjekësor, i cili në mesnatë, me varkë dhe në një terren jashtëzakonisht të vështirë, ia doli të arrijë në familjen e Violetës, të asistojë në lindjen e saj dhe të shpëtoje dy jetë, të nënës dhe të fëmijës. Kjo është një dhuratë e madhe që ky ekip, me sakrificën e tij, i bëri vendit dhe çdo qytetari. Zonja më thotë se kur varka nuk shkonte më tutje, banorët i kanë transportuar në krah së bashku me mamitë, sepse nuk kalohej”, - është shprehur Berisha.

Haxhinasto, marrëveshje me ISSH-në për sigurimet shoqërore të emigrantëve

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ka nënshkruar dje me drejtoreshën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi, marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore në fushën e sigurimit shoqëror të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Kjo marrëveshje i angazhon të dyja institucionet që në bashkëpunim mes tyre, të lehtësojnë sigurimin shoqëror vullnetar të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Përfaqësitë diplomatike jashtë vendit do të mundësojnë njohjen e shtetasve shqiptarë me sigurimin shoqëror vullnetar në Republikën e Shqipërisë, ndërsa ISSH-ja do të realizojë përfshirjen e tyre në skemën e sigurimit shoqëror vullnetar. Të dyja institucionet shprehin bindjen se ky bashkëpunim do të sjellë një ndihmë reale për ofrimin e shërbimeve efektive për shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Pra emigrantët shqiptarë, duke paguar siguracionin vullnetar për vitet e mbetura për të dalë në pension, përfitojnë nga ISSH-ja pension për vitet e punës të bëra në Shqipëri. “Kemi nënshkruar sot një marrëveshje mes Ministrisë së Jashtme dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vendosjen e infrastrukturës së trupit diplomatik në shërbim të emigrantëve shqiptarë përsa i takon sigurimit vullnetar të tyre, si dhe përfitimit të sigurimit për periudhën që ata kanë kontribuar për sistemin e sigurimit shoqëror kur kanë punuar në Shqipëri. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme përsa i takon përmirësimit të shërbimeve që qeveria shqiptare u ofron emigrantëve shqiptarë”, - është shprehur pas nënshkrimit të marrëveshjes ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto. Para pak ditësh ne realizuam një tjetër angazhim në lidhje me mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e kulturës shqiptare për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në emigracion.

14 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›