Berisha: Tre herë më ka rënë të fikët nga virozat. Por kam një trup që nuk njeh moshë
Kryeministri tha se deshi edhe para dy vitesh të botonte rezultatet e analizave të trupit të tij, që tregojnë se ai nuk njeh plakje
Sali Berisha u shfaq përpara ministrave të tij duke buzëqeshur. Shumë media ishin të pranishme në sallë. Berisha sqaroi përpara tyre se gjendjen që kaloi më 12 dhjetor, e ka kaluar edhe dy herë të tjera. Ai tha se analizat kanë provuar se nuk ka asgjë shqetësuese, por thjesht viroza. Berisha tha se kjo i ka ndodhur dy herë të tjera, dhe sërish bëhet fjalë për virozë. Por përse i ndodh Berishës kjo? Ai tha se viruset përballen me një trup shumë të fuqishëm, ndaj ndodh ajo që ndodh. Berisha tha se megjithatë efektet e këtyre goditjeve janë gjithmonë e më të vogla. Gjeni më poshtë fjalën e plotë të Berishës:
Mediat qenkan dyfishuar sot dhe presin deklaratën time për gjendjen shëndetësore. Ndjehem shumë mirë, ajo që pësova, më datën 12 ishte një episod sipas mjekëve, ishte një episod lipotimie, i lidhur me një virozë. Ky është i treti që unë kam pësuar gjatë jetës sime. I pari ka ndodhur në vitin 1988. Në realitet ishte më i forti, që më imponoi të bëj një ekzaminim të të gjitha sistemeve dhe që dolën gjithçka në kuadër të një viroze. Viruse që mesa duket kanë potenciale të ndikojnë dhe të krijojnë episode të tillë. Rasti tjetër ka ndodhur në Vlorë në vitin 1998, dhjetë vjet më vonë. Ajo ishte në kuadër të një viroze më të fuqishme. Dhe rasti i tretë ishte i çuditshëm se ishte më i lehti, edhe ai në sfondin e një viroze.
Cili është shpjegimi? Shpjegimi është se në tërësi këto viroza japin temperatura të larta, por në një organizëm që reagon fuqishëm dhe me energji të mëdha, krijohen mesa duket episode të tilla, të cilat kanë ardhë në zvogëlim në fuqitë e tyre. Pra, ndjehem shumë mirë, nga një check-up që u bë, rezultoi se sistemi i të gjitha enëve të qarkullimit të gjakut nuk gjendet qoftë edhe një pllakë e vetme ateomatozë. Sistemi im nuk ka moshë. E kisha bërë kontrollin para dy vjetësh, madje desha ta botoj njëherë. E bëra tani përsëri tani. Nëse kishte ndonjë pllakë, ishin të lëmuara siç kam lindur.
Dua të falënderoj me këtë rast ata mijëra qytetarë që më kanë shprehur urimet dhe i siguroj se ata urime janë shndërruar tek unë në një forcë shëruese. Episodet janë edhe psikologjike. Ato ishin për mua ilaçi më i shkëlqyer. Falënderoj mjekët, të cilët me shumë përkushtim trajtuan e shqyrtuan këtë episod me kompetencë të madhe. Ishte dhe një rast i imi për tu bashkuar me miqtë e mi të vjetër dhe për tu kthyer pastaj në memorien e disa kohërave të punës së përbashkët.