BBC: Tension për Kodin Zgjedhor
Rrjeti prestigjioz britanik BBC në gjuhën shqipe ka vënë në dukje tensionet politike në Shqipëri përsa i takon Kodit të ri Zgjedhor dhe administrimit të votës. "Tensionet parazgjedhore në Shqipëri janë shtuar ndjeshëm pas disa ndryshimeve të shpallura nga Komisioni i posaçëm për hartimin e Reformës Zgjedhore. Këto ndryshime ende nuk janë miratuar nga Parlamenti. Shkak i këtyre tensioneve është bërja publike e formulës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në përbërje të KQZ-së do të ketë vetëm përfaqësues të dy partive të mëdha, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe jo përfaqësues të partive të vogla. Veçanërisht i ashpër ka qenë reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim", thuhet në shkrimin e BBC-së. Sipas saj, njëri prej figurave të njohura të saj, Spartak Ngjela, i tha BBC-së se hapi i hedhur nga dy partitë e mëdha është një shkelje e rëndë e Kushtetutës. "Të gjitha subjektet elektorale duhet të jenë të barabarta para ligjit", tha Ngjela. Reagime duket se ka patur edhe nga vetë brenda Partisë Demokratike. Shtypi i së premtes sjell një deklaratë të ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili citohet të ketë paralajmëruar se zgjedhjet e vitit 2009 do të rrezikohen nëse PD-ja dhe PS-ja 'do të monopolizojnë votat'", përfundon BBC.