E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Çifti babëzia, kërkon të vjedhë votën

 

Aristir Lumezi

Komiteti Kombëtar Drejtues i LSI-së, mbështeti fuqimisht vendimin për të hyrë në grevë urie në mbrojtje të votës së lirë. Në mbledhjen e djeshme u diskutuan dhe u vendosën disa masa organizative, për mbështetjen e të gjitha veprimeve demokratike, që do të bëhen në ditët në vijim, në mbrojtje të votës së lirë dhe kundër Kodit zgjedhor jo të zgjedhjeve, por të vjedhjeve të votës. Të gjithë anëtarët e KDK-së miratuan vendimet e kryesisë së LSI dhe lidershipit të saj, për ndërmarrjen e veprimeve radikale dhe demokratike deri në grevën e urisë së deputetëve për të garantuar të drejtën demokratike të numërimit të votave të shqiptarëve, për t'i shpëtuar ata nga vjedhja barbare, që po përgatitet të bëhet nga dyshja Rama-Berisha. 
Meta
Kryetari i LSI-së gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të KDK-së e cilësoi kryeministrin Berisha dhe kreun e PS-së, si çiftin e babëzitur që tani kërkon të vjedhë dhe votën e shqiptarëve. "Çifti Rama-Berisha, i cili me plot gojë është çifti babëzia, pasi grabitën pronat e qytetarëve, Sportklubet më të rëndësishme të kryeqytetit dhe hapësirat e gjelbra të kryeqytetit, me kodin e ri që kanë bërë duan të vjedhin edhe votën e shqiptarëve në 2009", tha Meta. Meta i kërkoi Ramës dhe Berishës të heqin dorë nga synimi i tyre i cenimit të votës së lirë. "Ndaj këta dy pehlivanë duhet të kuptojnë, se në rast se nuk heqin dorë në ditët e ardhshme nga ky skenar ogurzi për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri, për shkatërrimin e së ardhmes evropiane të Shqipërisë, padyshim që jo vetëm do të dështojnë, por do të mbajnë një përgjegjësi historike dhe askush nuk do t'ua falë këtë kosto, që po i provokojnë vendit tonë në këto momente kaq të rëndësishme dhe kaq delikate", tha Meta.
Kreu i LSI-së u shpreh i bindur se bashkë me shqiptarët do të fitojë betejën për votën e lirë për të cilën aq shumë luftuan në fillim të viteve '90. Kjo sipas tij, do të jetë dhe një fitore ndaj kartelit Rama-Berisha. "Ne do të sakrifikojmë çdo gjë, që shqiptarët të mos humbasin lirinë e tyre. Ne do të arrijmë objektivin tonë, që nuk është thjesht garantimi i të drejtave të LSI, por që është mbrojtja e dinjitetit të çdo qytetari shqiptar, që është shpëtimi i vendit dhe të ardhmes së tij nga sundimi i një karteli të përbashkët dhe një kaste me dy koka, Rama-Berisha", tha Meta. Duke denoncuar replikat që kreu i PS dhe ai i PD-së shkëmbejnë në distancë, Meta tha se ky është një teatër që ata luajnë me shqiptarët. "Të gjitha debatet që ata bëjnë, jo Kryeministër i paaftë thotë njëri, jo mister 15-përqindëshi, thotë tjetri, të gjithë këto janë teatër. Ata tashmë janë ortakë edhe në biznese. Kjo është mëse e qartë për shumicën dërrmues të qytetarëve shqiptarë e sidomos në kryeqytet", tha Meta. Sipas tij, shqiptarët nuk do ta pranojnë kartelin Rama-Berisha. "Ne e fituam betejën me një shtet të tërë 18 vjet më parë, kur nuk e dinim ende se çfarë ishte liria, vetëm kishim dëgjuar dhe kishim lexuar, dhe e dinim se nuk mund të vazhdohej më ashtu sikurse jetonim deri në dhjetor të '90 e jo më një popull, një komb, që e ka provuar lirinë gjatë 18 viteve, që një të tretën e tij dhe pjesën më aktive e ka në Evropë dhe e ka në Amerikë, të pranojë regjimin e korruptuar të kartelit Rama-Berisha. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë dhe nuk do të ndodhë", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›