Berisha: Kjo, opozita e mashtrimeve, vetëm shan
Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish dje opozitën për mashtrim të opinionit publik lidhur me arritjet e qeverisë. Duke folur nga qyteti i Lezhës, ku përuroi disa investime në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon", kreu i qeverisë tha se kreu i Partisë Socialiste nuk thotë asgjë tjetër veç sharjeve në takimet me qytetarët. "Unë ju them me bindje se, qysh nga kohërat e komunizmit e deri më sot, nuk ka ekzistuar në Shqipëri një parti kaq propagandistike dhe mashtruese, siç mashtron udhëheqja politike e Partisë Socialiste. U bëj thirrje juve që ta dëgjoni kryetarin e PS-së kur flet në televizor, por në fund duhet t'i shtroni një pyetje: 'Fole dhe vetëm fole, por çfarë the, përveç sharjeve?'", u shpreh dje Kryeministri Berisha. Megjithatë, sipas tij, "e kam thënë dhe do ta përsëris prapë se, ata vazhdojnë me historinë e "hurit të kuq", sipas të cilit parimi është "çfarëdo që t'i them, do më thotë po". Por këta harrojnë se qytetari, pavarësisht se mund të mos marrë çdo ditë informacionin që mund të marr unë, kur vjen puna për problemet kryesoret vendit, ai ka logjikën e ftohtë dhe të drejtë, njësoj si unë dhe çdo njeri tjetër". Gjatë turit në Lezhë, Kryeministri Berisha inauguroi fillimin e punimeve për rrugën Zejmen-Tale, përfundimin e punimeve për shkollën e mesme të përgjithshme të Shënkollit si dhe fillimit të punimeve për ndërtimin e tregut agro-ushqimor në komunën Kolsh.