Braçe: Buxheti i 2009, i ngjan një skeme piramidale
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Braçe, e cilësoi projektbuxhetin e vitit 2009, të ngjashëm me një skemë piramidale. Sipas tij, asnjë nga treguesit nuk pëson rritje përveç taksave, që duhet të paguajnë shqiptarët. "Ne kërkojmë garanci për zbatimin e këtij buxheti, që respekton çoroditjen totale, aq sa i ngjan një skeme piramidale. Shihni treguesit: rritja ekonomike sipas qeverisë planifikohet të jetë 6 %, rritja e të ardhurave po prapë sipas qeverisë planifikohet të jetë 0 %, rritja e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, planifikohet të jetë 0 %. Shpenzimet totale ulen me 0.9 % të GDP, shpenzimet koherente mbeten 0 % në rritjen e tyre në raport me GDP. Shpenzimet kapitale apo investimet ulen me 1.2 %. Ky buxhet absurd bën që të ardhurat të rriten me 0 %, por shqiptarët do të paguajnë sërish më shumë TVSH nga 9.7 lekë për çdo 100 lekë për prodhim të përgjithshëm, do të paguajnë më shumë tatim fitimin, nga 1.7 lekë për çdo 100 lekë, me 1.5 lekë për çdo 100 lekë, do të paguajnë më shumë akcizë etj", tha Braçe. Sipas tij, varfëria ne Shqipëri po thellohet çdo ditë e më shumë dhe pjesa më e madhe e qytetarëve të ardhurat e tyre i përdorin për ushqim dhe energji elektrike. Varfëria ka qenë një fenomen në rritje gjatë vitit 2007 dhe 2008 dhe kjo ka dalë edhe nga raportet e publikuara nga ndërkombëtarët. Braçe është shprehur, se FMN duhet të qëndrojë në Shqipëri edhe vitin e ardhshëm, pasi është një vit elektoral i mbushur me zhvillime. Ndërkohë buxhetin e qeverisë ai e ka krahasuar me skemat piramidale të '97-ës. "Qeveria po shpërdoron paratë dhe borxhet e marra po e fusin vendin në krizë të pashmangshme", tha ai.