E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti përplas sërish PD-PS

 

ADI SHKEMBI

Me gjithë deklaratën e dy ditëve më parë të ambasadorëve të vendeve të BE-së në Tiranë, ku përcaktoheshin qartë progresi dhe të metat e Shqipërisë, progres-raporti i Komisionit Evropian përplas sërish maxhorancën dhe opozitën. Shumica ka vijuar ditën e djeshme të theksojë me forcë pikat ku përmendet progresi në reforma, ndërsa nga ana tjetër opozita, përfshi edhe PDK-në, konsiderojnë problemet në raport si dështim të qeverisë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha dje në një konferencë për shtyp se ky është raporti më i mirë i bërë ndonjëherë për Shqipërinë, por edhe për vendet e rajonit. Sipas saj, "ky raport është një vlerësim objektiv i punës së Parlamentit. Në këtë raport të progresit, i cili është dhe shumë profesional, në secilën prej 56 faqeve të tij fjala "progres" përmendet mbi 100 herë dhe në shumë faqe kjo fjalë përsëritet 5, 6 herë". Duke u fokusuar në çështje konkrete si Kodi Zgjedhor apo Reforma në Drejtësi, Topalli tha se "sfida kryesore, Kodi Elektoral është prioriteti ynë, vëmendja jonë; dhe ju garantoj se do të mbyllet së shpejti", ndërsa shtoi se në fokusin e punimeve në Kuvend do të jenë pikërisht Reforma në Drejtësi dhe çështja e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Në të njëjtën linjë ka qenë dje edhe ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, sipas të cilit raporti vlerëson arritjet në sektorin energjetik, të privatizimeve, në politikat tregtare dhe ato të infrastrukturës së tregut. Duke u ndalur te privatizimet, Ruli tha se "në raport përgëzohet privatizimi i suksesshëm i ARMO-s dhe stadi i avancuar në privatizimin e OSSH-së. Në raport theksohet se këto jan
ë reforma të suksesshme strukturore të qeverisë. Muajt në vazhdim do të shënojë privatizimin gjithashtu të suksesshëm të paketës së mbetur të aksioneve të AMC-së. Për këtë, METE është duke marrë të gjitha masat". Nga ana tjetër, opozita vlerëson se në 90 të rasteve ngrihet shqetësimi për ritmet e ngadalta apo mungesës së progresit sa i përket kritereve politike e ekonomike. Sekretari për çështjet elektorale në PS, Kastriot Islami, shprehet se në rreth 18 raste evidentohet progres i ngadaltë. "Në 28 raste të tjera evidentohen boshllëqe në realizimin e këtij procesi apo të disa proceseve të ndryshme, të cilat merren në konsideratë, pra ka boshllëqe në realizimin e indikatorëve të përcaktuar në kuadër të vlerësimit të progresi”, thekson Islami. Zërave kundër raportit i bashkohet edhe PDK-ja e Nard Ndokës. Nënkryetarja e kësaj partie, Aida Joanidhi tha dje se, "në kundërshtim me të gjitha akuzat që janë bërë nga ministrja e Shëndetësisë dhe stafi i Gërdecit i katapultuar në këtë ministri, raporti i progresit për të dytin vit radhazi shpreh vlerësimin e tij për reformat e ndërmarra nga Nard Ndoka gjatë kohës që ishte ministër Shëndetësie".

Vizat, Lohan: Gota, gjysmë e mbushur
Shqipëria ka shpresë të përfitojë liberalizim të vizave në vitin 2009, por ka ende disa standarde për të përmbushur. "Qeveria shqiptare është angazhuar që të punojë me një plan që është nxjerrë prej nesh, përsa i përket liberalizimit të vizave, por ka disa standarde të tjera në lidhje me liberalizimin e vizave, përsa i përket këtij plani. Nuk mendoj se mund të përjashtohet fakti që Shqipëria mund të plotësojë, mund t'i arrijë kërkesat në vitin 2009, dhe meqenëse jam optimist, atëherë unë mund të them që gota është gjysmë e mbushur", u shpreh Lohan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›