E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu merr çmimin 'Lidershipi shqiptar 2008'

Tiranë - Mbrëmë në hotelin "Sheraton" të Tiranës u mbajt ceremonia e dhënies së çmimeve për lidreship shqiptar të vitit 2008 në fushë të biznesit privat, të ekonomisë, të medias, të shoqërisë civile dhe qeverisjes. Me këtë rast, Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiut iu dha çmimi special "Lidershipi shqiptar 2008".

Në arsyetimin e jurisë së Co-Plan, Lidhjes për Zhvillimin e Habitatit, e cila përbëhej nga intelektualë dhe personalitete të shquara të jetës politike dhe publike të Shqipërisë, thuhet se Dr. Fatmir Sejdiu është një prej personaliteteve që kanë dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm për mendimin dhe aksionin politik modern në Kosovë dhe Ballkan, dhe në mënyrë të veçantë për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës si shtëpia e të gjithë atyre që besojnë tek demokracia, të drejtat e njeriut dhe harmonia e popujve.

"Z. Sejdiu ka arritur që përmes modelit të Presidencës së tij të shndërrohet në "Ambasadorin e Paqes" për Kosovën, dhe në figurën kryesore konsesuale dhe gjithëpërfshirëse si në debatet politike dhe sociale në Kosovë, ashtu edhe në raportet e ballafaqimet me institucionet ndërkombëtare. Për këtë arsye ai vazhdon të mbetet lideri dhe politikani më i shquar jo vetëm në Kosovë, por edhe një nga figurat politike më të pëlqyera dhe negociatorët më të respektuar në mbarë hapësirën shqipfolëse dhe më gjerë", vijon arsyetimi i motivimit për dhënien e këtij çmimi Presidentit Sejdiu.
Ndërkaq, në emër të Presidentit Sejdiu të pranishmit i përshëndeti Këshilltari i tij i lartë politik për arsim, shkencë dhe kulturë, z. Ibrahim Berisha, i cili lexoi telegramin e falënderimit të Presidentin dërguar z. Dritan Shutina dhe të gjithë bashkëpunëtoreve të tij në Co-Plan, në të cilin thuhej se “Viti 2008 ka qenë pa dyshim një vit i mbarë për shqiptarët. Kosova shpalli pavarësinë e saj, kurse Shqipëria mori ftesën për t'u bërë anëtare e NATO-s. Këto dy ngjarje madhore hapin horizonte të reja në perspektivën e zhvillimit të përgjithshëm të kombit tonë, si dhe në procesin e pakthyeshëm të integrimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike. Vetëm kur të arrihet ky synim sublim, kur të dyja vendet tona të kthehen edhe de jure në gjirin e natyrshëm të demokracisë perëndimore, do të mund të pohojmë se aspiratat shekullore të shumë brezave shqiptarë janë përmbushur. Deri atëherë na presin shumë sfida, por ne jemi të bindur se me një bashkëpunim të ngushtë në mes dy vendeve tona, si dhe me ndihmën e përhershme të miqve tanë, edhe kjo pjesë e mbetur e udhës do të kapërcehet me sukses”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›