Shtrirja e EULEX-it, Sejdiu e Thaçi mbrojnë qëndrimin e tyre
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë mbrijtur sërish qëndrimin e tyre, edhe pas zhvillimit të një takimi me ambasadorët e vendeve të Quintit, të cilët po bëjnë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me planin e sekretarit të përgjithshëm të OKB së për shtrirjen e EULEX-it.
Edhe në këtë takim, i cili ka zgjatur deri në orët e mbrëmjes së djeshme, liderët e institucioneve më të larta shtetërore kanë përsëritur qëndrimin e tyre kundër planit.
Mësohet se ata kanë kërkuar edhe tërheqjen e planit, duke ritheksuar se elementet substanciale të tij nënkuptojnë përmbushjen e kushteve të Beogradit lidhur me shtrirjen dhe me mandatin e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Sipas burimeve të afërta me kabinetin qeveritar, Presidenti Sejdiu e Kryeministri Thaçi kanë ritheksuar se aplikimi i planit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara do të përbënte shkelje të Planit të Ahtisaarit dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Njëkohësisht, ata kanë kërkuar vendosjen sa më të shpejtë të këtij misioni në Kosovë shtirjen e tij në mbarë territorin e vendit. Sipas të njëjtave burime, ambasadorët e vendeve anëtare të Quintit janë përpjekur të bindin liderët kosovarë se plani 6 pikësh i Ban Ki-moonit nuk e rrezikon tërësinë territoriale të Kosovës.
Ata nuk e kanë përjashtuar mundësinë e modifikimeve të vogla të planit, por kanë shfaqur drojën se mungesa e një marrëveshjeje lidhur me këtë plan mund ta kthejë çështjen në fillim dhe ta bëjë të pamundur vendosjen e EULEX-it në Kosovë.
Në takim me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës kanë marrë pjesë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. (telegrafi)