E Diel, 1 Nëntor 2026

BE 200 milionë euro për Shqipërinë

Autori i Lajmit: Suela TopiMinistrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, nënshkruan paktin kuadër mes Qeverisë shqiptare dhe Komisionit Evropian për menaxhimin e ndihmës financiare të BE-së nën Instrumentin e Ndihmës së Paraanëtarësimit. Përgjegjësia për implementimin e IPA-s në vitet në vijim do të transferohet tek autoritetet kombëtare, ndërkohë që dokumenti parashikon rregulla të përcaktuara mirë lidhur me përgjegjësitë e secilit prej aktorëve të përfshirë në menaxhimin e fondeve të ndihmës të Programit IPA. Pas nënshkrimit të marrëveshjes Lohan tha se ky program synon dhënien ndihmë për kapëcimin e tranzicionit përmes investimeve institucionale. Në vijim përfaqësuesi i KE-së u shpreh se pret që administrata shqiptare të marrë në dorë programin si dhe përgjegjësinë për zbatimin e tij. Fondi rreth 200 milionë euro i parashikuar nga programi IPA për dy vitet e ardhshme ka për qëllim t i japë ndihmë Shqipërisë për përafrimin me legjislacionin e BE, për forcimin e institucioneve demokratike etj.
Marrëveshja
IPA është vazhdim i programit CARDS ose programit të asistencës së BE-së për Shqipërinë dhe vendet e rajonit. Marrëveshja për vazhdimin e këtij programi në Shqipëri, sipas Lohan, tregon mbështetjen e BE-së për vendin tonë. “Komisioni Evropian pret që administrata shqiptare të marrë në dorë gjithnjë e më shumë programimin dhe përgjegjësinë e vënies në jetë të aktiviteteve të financuara nga IPA”, - tha Lohan. Ai sqaroi se IPA ka për qëllim t i japë ndihmë Shqipërisë për përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, për forcimin e institucioneve demokratike dhe vendosjes së shtetit ligjor. Sipas tij, gjithashtu IPA ka për qëllim t i japë ndihmë Shqipërisë për reformën në administratën publike, për reformën ekonomike, respektimin e të drejtave të njeriut, minoriteteve dhe barazisë gjinore, zhvillimin e shoqërisë civile dhe bashkëpunimit rajonal, për mbështetjen e zhvillimit dhe zbutjen e varfërisë. Ndërsa Bregu pohoi se ndihma financiare e ofruar nga Bashkimi Evropian përbën shtyllën kryesore mbështetëse për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Shuma totale e fondeve akorduar vendit tonë për periudhën 2007 – 2009 është 219.9 milionë euro. “Nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje Kuadër ka si qëllim përcaktimin e rregullave dhe parimeve të përbashkëta, të cilat do të aplikohen për zbatimin e ndihmës financiare të ofruar nga Bashkimi Evropian vendit tonë”,- tha Bregu.

Ky lajm është publikuar: 19/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›