E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryqëzimi i Petrit Dumes në Pleniumin e 6-të

Autori i Lajmit: Leonard VeiziPas mbledhjes së Pleniumit të 5-të të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë më 25 dhe 26 korrik 1974, ku u dënua Beqir Balluku, më 16 dhe 17 dhjetor 1974 u mbajt Pleniumi i 6-të, ku u dënuan Petrit Dume, Hito Çako, Rrahman Parllaku dhe oficerë të tjerë madhorë të ushtrisë. Gazeta “Ballkan” boton proçesverbalin tepër sekret të dënimit të tyre. Mbledhjen e kryesonte Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH, Enver Hoxha. Merrnin pjesë të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror, me përjashtim të Behar Shtyllës, i cili ishte ambasador në Republikën Popullore të Kinës. Ishin ftuar për të marrë pjesë sekretarët e parë të komiteteve të Partisë të rretheve që nuk ishin anëtarë të Komitetit Qendror: Ali Manaj i Tepelenës, Simon Stefani i Përmetit, Iliaz Reka i Durrësit, Mihal Dodbiba i Gramshit, Hodo Kaso i Kolonjës, Izet Dyrmishi i Kukësit, Mentor Muça i Lezhës, Marko Bega i Librazhdit, Maksut Selenica i Pogradecit, Jani Pani i Sarandës, Teki Malindi i Skraparit, Hysen Papa i Tropojës, Gaqo Nesho i Vlorës si dhe ndihmësat e sekretarëve të KQ: Gafurr Çuçi, Qemal Myrseli, Miti Bozo, Mihal Basha shef i sektorit të kuadrit në aparatin e KQ të partisë, Detar Avdia shef i sektorit ushtarak dhe kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit” Xhelil Gjoni.

Zhvillimi i mbledhjes
Seanca e parë
(Datë 16 dhjetor 1974 ora 9)

Enver Hoxha: Të gjithë janë prezent, prandaj mbledhjen e deklaroj të hapur. Sikurse jeni në dijeni, punimet e këtij pleniumi do të zhvillohen me këtë rend dite: “Raport i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë mbi përfundimet që dolën nga diskutimi në parti (në ushtri dhe në terren), rreth veprimtarisë armiqësore të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos etj”. Meqenëse raporti është lexuar nga të gjithë, atëherë fillojmë me diskutime. Fjalën ia japim Petrit Dumes.
Petrit Dume: Unë, duke u mbështetur në fjalimet e 10 dhe 14 tetorit të shokut Enver dhe në punimet e aktivit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, kisha përgatitur diskutimin për mbledhjen e pleniumit. Dje na u lexua raporti i Byrosë Politike përgatitur për pleniumin e Komitetit Qendror, “Mbi rezultatet e punimeve të fjalimeve të shokut Enver” ku unë jam cilësuar se kam bërë punë armiqësore, prandaj diskutimi që kam përgatitur mbi bazën e fjalimit të shokut Enver, patjetër që është i papërshtatëm, se unë jam nisur nga ato baza, nga fjalimet e shokut Enver.
Enver Hoxha: Nga cilat je nisur ti, që s kishe bërë apo që kishe bërë gjë?
Petrit Dume: Unë nisesha nga ato baza që, në punën time kisha bërë gabime të rënda, por nuk isha cilësuar armik. Tani mendoj që diskutimi im i përgatitur nuk vete, nuk shkon, prandaj jam i detyruar të flas me pika për disa probleme që ngrihen në raportin e Byrosë Politike, ashtu si i shikoj unë ato. Gjatë gjithë jetës meqë kam punuar në ushtri, kam ditur dhe kam menduar se gjithmonë kam vënë të gjitha forcat dhe aftësitë për t i shërbyer sa më mirë popullit, atdheut dhe partisë.
Rrapo Dervishi: Me leje, shoku Enver t i drejtohem Petrit Dumes. Ti Petrit Dume, propagandë mos na bëj këtu, po na u përgjigj për tradhëtinë që ke bërë. Çfarë tradhtie ke bërë?
Petrit Dume: Për punën dhe gabimet që kam bërë, kurrë nuk kam menduar se jam duke kryer një punë armiqësore. Kritikat e rënda që më bënte shoku Enver në fjalimet e tij të kohëve të fundit, unë i pranova me ndërgjegje dhe për ato isha përgatitur të flisja, por që të kem bërë me ndërgjegje, në mënyrë të organizuar, me pikësynime dhe të koordinuar një punë armiqësore, këtë nuk e kam bërë.
Mehmet Shehu: Po të ngresh në këmbë ushtrinë dhe të arrestosh Komitetin Qendror dhe Qeverinë, t i likuidosh ato, ç është? Të rrethosh Komitetin Qendror me tanket e tua e ta asgjesosh atë, ashtu siç bëri Zhukovi në Kremlin, ç do të thotë kjo?
Petrit Dume: Tradhëti e lartë.
Mehmet Shehu: Tradhëti e lartë! A nuk je ti një Zhukov i Shqipërisë?
Petrit Dume: Nuk kam bërë ndonjë gjë të tillë.
Mehmet Shehu: Ç janë gradat e tua? Ti ke qenë kundër Letrës së Hapur, të Komitetit Qendror të Partisë. Ti u përpoqe ta likuidoje rolin e partisë dhe të vije gradat si bonapartiat. Këto na shpjego, se të gjitha të tjerat pastaj dalin vetë.
Petrit Dume: Ta shpjegoj, shoku Mehmet. Që nga masat revolucionarizuese që mori Partia në vitin 1966 për ushtrinë, kur doli ky problem në vitin 1966, para Letrës së Hapur, u diskutua dhe gjatë diskutimeve unë patjetër kam patur lëkundje. Këto mua më duket se vinin nga ajo që ne ishim mësuar dhe i qemë adoptuar deri në atë kohë komandës. Pasi u diskutuan këto probleme dhe shkuan poshtë, unë u thirra në Këshillin e Mbrojtjes, ku thashë se në fillim nuk i kisha kutpuar këto masa, kurse tani i kuptoj ashtu siç i kuptojnë të gjithë kuadrot e ushtrisë e partisë.
Mustafa Pajenga: Na trego lidhjet që ke pasur dhe me cilët armiq i ke pasur kur ke hyrë në këto lidhje, format që keni bashkëpunuar me armiqtë e jashtëm si dhe me të brendshmit si me Hito Çakon, Rrahman Parllakun, Sadik Bekteshin, Dashnor Mamaqin etj. Na trego që kur dhe si keni bashkëpunuar me armikun, format e bashkëpunimit këtu brenda, planin e bashkëpunimit që keni hartuar, si do ta vinit në zbatim, se të gjitha këto që po na thua janë dokrra.
Enver Hoxha: E dëgjon çfarë kërkojnë shokët? Me kë ke patur lidhje?
(Të gjithë përgjigjen njëzëri se atë kërkojnë).
Petrit Dume: Do të mundohem t u përgjigjem pyetjeve që më bëjnë shokët.
Enver Hoxha: Se ato që po na thua ti, shokët i dinë që në vitin 1966.
Petrit Dume: T i përgjigjem pyetjes që më bëri shoku Muçi: Ç lidhje kam pasur unë, me kë i kam pasur këto jashtë dhe brenda dhe çfarë qëllimi armiqësor kam patur? Unë nuk kam asnjë lidhje armiqësore, as me jashtë, as me brenda, as kam menduar, as më ka shkuar në mendje një punë e tillë. Në qoftë se Byroja Politike, Komiteti Qëndror do ta vërtetojnë një punë të tillë tek unë, le të më japin dënimin më të rëndë. Mund të kem bërë gabime në vijën e Partisë, kam lejuar gabime të rënda ato i pranoj, por që t i jem kundërvënë vijës së Partisë me qëllim, këtë nuk e kam bërë.
Aranit Çela: Ti the që pas mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes i kuptove drejt të gjitha problemet që shtronte Letra e Hapur e Komitetit Qëndror, ashtu si të gjithë shokët. Tani në mbledhjen e fundit të kanë ngritur çështje që tregojnë se ti nuk ke qenë kurrë dakort me vijën e Partisë. Shokët e ushtrisë së Leskovikut thanë se në një bisedë telefonike që ke bërë me ta, ke shprehur teksualisht këto fjalë: “Me rivendosjen e rregullave të disiplinës ne fituam pozitat e humbura”. Ku i fitove këto pozita të humbura? Çfarë është kjo, pa na e shpjego pak se çfarë doje të thoshje me këtë?
Petrit Dume: Ta shpjegoj unë, shoku Aranit. Kjo çështje ka dalë edhe në organizatën bazë ku bëj pjesë, po unë nuk e kam thënë atë me atë qëllim. Në vitin 1970, kur Byroja Politike mori në analizë gjëndjen në ushtri, u arrit në konkluzionin se në punën për drejtimin e ushtrisë ishin bërë lëshime dhe kishte zënë vend liberalizmi, ishin lëkundur kërkesat e rregulloreve dhe të disliplinës, prandaj në konkluzionet e Byrosë Politike vihej theksi që në ushtri duhet të kërkohet në bazë të rregulloreve dhe disiplinës ushtarake.
Aranit Çela: Po kur është thënë që në ushtri të mos kërkohet në bazë të disiplinës ushtarake?
Petrit Dume: Këtë nuk e ka thënë njeri, prandaj në atë mbledhje dhe në konkluzionet e Byrosë Politike të vitit 1970 u qortuam dhe u orientuam edhe njëherë se duhet të vendosim rregulla të forta disipline, mbasi kishim thyerje të rënda disiplinore. Pas vitit 1970 unë kam thënë se mangësitë që patëm në drejtim të liberalizmit dhe lëshimeve në rregullat dhe disiplinën ushtarake janë humbje fronti për të cilën ne tani duhet t i përvishemi punës dhe ta marrim atë me sakrifica, se njerëzit vanë edhe në gjyq për thyerjen e rregullave e të disiplinës. Kjo këtë kuptim ka.
Enver Hoxha: Po disiplinë e quan ti atë që e futin ushtarin në mes dy rradhëve dhe oficeri i urdhëronte ushtarët ta pështynin shokun e tyre? Me këto forma e vendos disiplinën ti?
Petrit Dume: Jo.
Mihallaq Zeqishti: Po ndryshimin e pozicioneve, që ka caktuar vetë shoku Mehmet dhe ti nuk e zbatove ashtu si urdhëori ai, si e quan ti, disiplinë? Apo kërkon disiplinën vetëm tek ushtarët?
Pali Miska: Raporti i Byrosë Politike dhe i gjithë diskutimi që u bë në organizatat bazë të Partisë si në ushtri dhe në terren, nxorrën açik punën tënde armiqësore, tradhtare, puçiste dhe të gjithë këtyre të tjerëve që janë këtu. Unë jam me atë që tha shoku Muçi, që t u përgjigjesh pyetjeve që të bëri ai se përralla këtu nuk duam. Po ta zesh nga vogëlsirat, nga ato ka sa të duash se ti nxjerr një, po ne nxjerrim njëmijë nga ato që kanë dalë nga organizata e Partisë nga aktivet dhe kudo. Prandaj përgjigju pyetjeve në lidhje më tradhtinë dhe për qëllimet që kini patur ju.
Pirro Kondi: Pse Petrit Dumja ka qenë kundër Partisë dhe drejtimit të Partisë në ushtri dhe pse ka punuar për ndryshimin e karakterit popullor të ushtrisë sonë? Nuk është ky një komplot kundër partisë dhe shtetit? Këtë të na thotë.
Rrapo Dervishi: Kur thua ti që nuk ke patur lidhje, po vetë e ke pranuar se ke humbur besimin në udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver. Atëherë te kush kishe besim kur s kishe këtu? Na e shpjego pak këtë?
Fiqret Shehu: Të propagandosh teza kapitullante si ato që ke shkruar, si cilësohet kjo? Petrit Dumja në Akademi në vitin 1971 ka thënë se në rastin dhe në momentin më të parë, kur armiku është më i madh (dhe dihet nga të gjithë që ai do të jetë më i madh në numër) ne do të tërhiqemi. Të shpartallosh ushtrinë, ta dërgosh atë në fshat, nuk është ky një komplot i rrezikshëm kundër atdheut dhe interesave të popullit? Meqenëse ka shumë e shumë të tilla, kësaj t i përgjigjet Petrit Dumja, prandaj të futet në këto gjëra dhe të hyjë në rrugën e shpëtimit.
Rrapi Gjermeni: Në Brigadën e 12-të të Lushnjes, Petrit Dumja ka thënë: “Pa Parti bëhet, pa komandim nuk bëhet”. A nuk është kjo thirrje kundër partisë?
Enver Hoxha: Përgjigju për këto gjëra.
Sadik Bocaj: Kush ju ka urdhëruar për përkthimin dhe botimin e literaturës së huaj, qoftë ushtarake apo politike, revizioniste dhe borgjeze dhe e shpërndanit atë në ushtri si lumë, si Petriti, Hitoja, Sadiku e të tjerë? A nuk ka këtu shkelje e faje të rënda ideologjike?
Petrit Dume: Përsa i përket pyetjes që bëri shoqja Fiqret, se unë paskam thënë që ne, me të parë forcat superiore të armikut, duhet të ikim shpejt, kjo është në kundërshtim me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Një gjë të tillë unë nuk e kam thënë, shoqja Fiqret. Unë kam mbajtur një leksion në Akademi mbi tërheqjen strategjike, në bazë të disa eksperimenteve që ishin bërë me grupe të ndryshme. Në atë leksion nuk ka asgjë në kundërshtim me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes.
Manush Myftiu: Qenka e çuditshme se ju të tëra leksionet mbi tërheqjen i mbani?
Enver Hoxha: Po tani do të vazhdoni tërheqjen strategjike?
Pali Miska: Këtu nuk është punë leksionesh, por kemi të bëjmë me një tradhëti.
Petrit Dume: Shoku Manush, unë bëra leksionin mbi tërheqjen strategjike, si element strategjik i ushtrisë sonë. Ky ishte një element i papërpunuar dhe u përpunua jo nga unë, por nga një kolektiv i tërë. Kjo është eksperimentuar dhe unë në këtë leksion, i cili është formuluar në bazë të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, e kam mbajtur me akademistët.
Hekuran Isai: Pse zbërtheve strategjinë ushtarake sovjetike, ashtu siç ishte dhe e shpërndave në mijëra kopje deri në batalion dhe kompani?
Petrit Dume: Kjo pyetje lidhet me disa pyetje të tjera që bënë shokët për literaturën e huaj. Ne kemi patur një plan të aprovuar për përkthimet. Çështja e përgatitjes së përkthimeve ka qenë e decentralizuar. Çdo shef duhej të përgjigjej dhe të mbante përgjegjësi për përkthimet që duhet të bënim. Përkthimet mbi taktikën dhe artin ushtarak të armiqve duhet t i bënim duke u nisur nga nevoja, se për të asgjesuar armikun duhet që ta njohësh atë, me qëllim që të dish t i kundërvihesh.
Hajredin Çeliku: Dhe ta çosh këtë material deri në oficerat poshtë në kompani e batalione, deri te ushtarët?
Petrit Dume: Vajtjen e strategjisë së ushtrive të huaja deri në atë shkallë unë e kam dënuar. Kur e kam marrë vesh një gjë të tillë, unë nuk kam qenë dakort.
Sadik Bocaj: Po Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, që janë teza e vijës ushtarake të Partisë sonë, pse i keni mbyllur me kyç dhe nuk keni punuar fare me to? Gjithë kjo literaturë borgjeze dhe revizioniste ka vërshuar si lumë në ushtri, ndërsa Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, që janë vija e Partisë sonë, ishin mbyllur në sirtare me çelësa. Pse kini vepruar kështu? Cili është qëllimi dhe kujt i shërben një gjë e tillë?
Sulejman Baholli: Ne, shoku Enver, jemi duke studiuar se çfarë studimesh ishin bërë nga Instituti i Studimeve Ushtarake dhe nga Drejtoria e Dytë e Ministrisë së Mbrojtjes. Jemi në vazhdim të punës për të parë më tej se çfarë është bërë dhe na del se janë përkthyer shumë libra të huaja serbe, kroate, sovjektike, gjermane. Unë nuk e di pse janë përkthyer gjithë ato vepra të mareshalëve, për përkthimin e të cilave janë paguar me qindra e mijëra lekë. Pse është bërë gjithë kjo? Petriti të na thotë se kur kanë ardhur këta në rrethe, sa herë kanë ardhur në komitetet e Partisë dhe kanë biseduar me shokët sekretarë të komiteteve të Partisë së rretheve për problemet e forcimit të ushtrisë? Ata asnjëherë nuk kanë biseduar për këto probleme. E pyes: Pse nuk kanë biseduar?
(vijon nesër)

Ky lajm është publikuar: 17/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›